Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimet për rritjen e pagave në sektorin publik. Kjo u bë e ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete, në komunikimin me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ministri informoi se me miratimin e vendimeve të sotme avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.
Ministri theksoi faktin se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.
“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh z. Mete.
Nga politika e rritjes së pagave, vijoi më tej Ministri Mete, do të përfitojnë: punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; punonjësit e sistemit shëndetësor; punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi); si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Nga ana tjetër, Ministri Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.
Deklaratë e Ministrit të Financave, Ervin Mete:
Përshëndetje të gjithëve,
Kam kënaqësinë t’ ju njoftoj se sot në Këshillin e Ministrave miratuam vendimet specifike që synojnë rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e parashikuara edhe në Buxhetin e këtij viti.
Me miratimin e vendimeve ditën e sotme avancojmë fazën e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mije punonjës te administratës. Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik arrin në 105mijë lekë.
Pagat e rritura fillojnë te aplikohen ne 6 mujorin e dyte te vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me nje kosto te përllogaritur prej afro 11 mld lekësh për ketë 6 mujor te dyte te vitit dhe me nje kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh.
Nga kjo politike përfitojnë
- Punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar.
- Punonjësit e sistemit shëndetësor
- Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit:
-Policia e shtetit
-Policia e burgjeve
-Garda e Republikës
-Forcat e Armatosura
-Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi
Si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës te administratës shteterore.
Gjithashtu, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.
Shumë Faleminderit!