Ministeriali “Tregu i përbashkët rajonal – një hap përpara drejt Tregut të Vetëm të BE-së”
Fjala e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete:
Të nderuar ministra,
Të nderuar Guvernatorë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi për mua t’ju uroj mirëseardhjen në këtë Ministerial të Ministrave të Ekonomisë të Procesit të Berlinit.
1. Ky është një moment i ri për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane. Situata gjeopolitike e krijuar nga lufta në Ukrainë kërkon domosdoshmërisht forcimin e marrëdhënieve mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian dhe përshpejtimin e procesit të integrimit. Hapja e negociatave të anëtarësimit me BE-në vitin e kaluar na ka dhënë mundësinë për të vlerësuar dhe përafruar legjislacionin tonë në fushën e Tregut të Vetëm, Transportit, Konektivitetit dhe Mjedisit. Për herë të parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të negociojnë në mënyrë dypalëshe me BE-në duke identifikuar fushat për integrim të përshpejtuar dhe duke u përgatitur për futjen në Tregun e Vetëm.
2. Procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i integrimit gradual në tregun e vetëm të BE-së duhet të ecin paralelisht dhe dorë për dore. Të dy proceset janë të lidhura ngushtësisht, pasi ato ushqehen me njëri-tjetrin dhe ofrojnë rezultate më të shpejta dhe më të prekshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Përshpejtimi i ritmit të hyrjes në Tregun e Vetëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor do të përkthehej në përmirësimin e konvergjencës midis BE-së dhe rajonit duke e lejuar atë të bëhet de facto pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane.
3. Hendeku në standardet e jetesës midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian mbetet jashtëzakonisht i lartë, e nga kjo lind nevoja e përshpejtimit të procesit të konvergjencës. Megjithatë, rajoni ka treguar qëndrueshmëri dhe dinamizëm të jashtëzakonshëm gjatë krizës së fundit, me rënie të mprehta të PBB-së të ndjekura nga ritme të shpejta rimëkëmbjeje. Tregu i Vetëm i BE-së, si një nga ekonomitë më të mëdha dhe më të begata në botë, mund të japë një nxitje të konsiderueshme për mirëqenien e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një burim i mëtejshëm rritjeje. Pavarësisht se lidhja më e mirë midis rajonit mbetet një objektiv i rëndësishëm për t’u ndjekur në të ardhmen, madhësia e përgjithshme e tregut rajonal parandalon zhvillimin e efekteve të rëndësishme të ekonomisë së shkallës. Kjo është arsyeja pse konvergjenca e standardeve të jetesës midis rajonit dhe BE-së është aq e lidhur ngushtë me një proces më të shpejtë integrimi.
4. Në Forumin Globsec, presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen nisi një Plan të ri Rritjeje për rajonin, i ndërtuar rreth katër shtyllave që do të mbështesin këtë vizion dhe do t’i përgjigjen kësaj nevoje urgjente të rajonit, e cila konsiston në:• Rritjen e angazhimit politik të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe pjesëmarrja e rajonit në platforma të ndryshme evropiane;• bashkëpunimin rajonal;• thellimin e reformave të brendshme të agjendës së anëtarësimit në BE;• dhe rritjen e fondeve të para-anëtarësimit.
5. Që nga fillimi i tij në 2014, Procesi i Berlinit u konsiderua nga qeveria shqiptare si një platformë politike bashkëpunimi dhe një mjet për të përgatitur rajonin për integrimin gradual në Tregun e Vetëm. Duke qënë se një energji e re ka rinisur në Berlin vitin e kaluar, është koha për ta përdorur atë për të rigjallëruar përpjekjet e rajonit për të përmirësuar standardet e jetesës, lidhjen në tregti dhe transport mes rajonit dhe me BE-në dhe kalimin në ekonomi të qëndrueshme, të gjelbra dhe të dixhitalizuara, të afta për të përfunduar dhe përparuar në Tregun e Vetëm. 6. Si rezultat, Ballkani Perëndimor ka shprehur interes për të marrë pjesë në Tregun e Vetëm të BE edhe para anëtarësimit, duke e kthyer integrimin gjithashtu në një proces ekonomik, për disa arsye bindëse. 7. Anëtarësimi në Tregun e Vetëm të BE-së do t’i siguronte Ballkanit Perëndimor akses në një treg më të madh konsumatorësh dhe një mjedis ekonomik më të integruar. Ai do të krijonte dhe zgjeronte mundësi për bizneset që të rriten përtej tregjeve të tyre vendase dhe rajonale dhe tregut aktual të konsumatorëve. Një ndërveprim më i shpejtë mund të nxisë rritjen dhe zhvillimin ekonomik duke tërhequr investime të huaja, duke rritur produktivitetin, mundësitë tregtare dhe së fundi duke krijuar mundësi punësimi nga të cilat do të përfitonin shoqëritë tona në përgjithësi. Qasja në këtë treg heq barrierat tregtare, të tilla si tarifat dhe kuotat, si dhe barrierat jotarifore, të cilat mund të nxisin ndjeshëm eksportet nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve anëtare të BE-së.
8. Për më tepër, anëtarësimi në Tregun e Vetëm të BE-së do të lejonte një zbatim më të shpejtë të standardeve të tregut të BE-së, duke rritur kështu dhe përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve dhe shërbimeve aktuale. Kjo do t’i bënte më konkurruese bizneset e Ballkanit Perëndimor jo vetëm në BE, por edhe në skenën globale. Përmirësimet e cilësisë dhe sigurisë do të ishin më shumë përfituese edhe për konsumatorët tanë sot, popullsinë e Ballkanit Perëndimor. 9. Ndërsa integrimi do të sillte përfitime të konsiderueshme për konsumatorët tanë, ai do të përfaqësonte një sfidë të madhe për bizneset tona. Për të adresuar këtë sfidë, ne duhet të punojmë ngushtë për zhvillimin e biznesit dhe shërbimeve këshillimore ndaj tij , të cilat do të përgatisin dhe forconin sipërmarrësit rajonalë për të konkurruar dhe lulëzuar në Tregun e Vetëm. Shumë prej veprimeve në këtë drejtim tashmë janë të përshkruara në listën e angazhimeve për Tregun e Përbashkët Rajonal.
10. Integrimi gradual në tregun e vetëm të BE-së do të siguronte gjithashtu përmirësime në lidhjet tregtare dhe ato të transportit midis rajonit dhe shteteve aktualisht anëtare të BE-së, veçanërisht atyre që janë në kufi me rajonin. Kjo do të ofronte një nxitje të mëtejshme edhe për këto shtete anëtare, duke lejuar akses më të lehtë në tregje të reja dhe duke përmirësuar lidhjen e tyre me BE-në përmes rrugëve të transportit që kalojnë në Ballkanin Perëndimor.
11. Siç artikuloi Presidentja von der Leyen në fjalimin e saj në Globsec, lidhja dixhitale midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mund të përmirësohet brenda parametrave ekzistues ligjorë dhe politikë, nëse ekziston një vullnet politik për të arritur këtë qëllim. Ballkani Perëndimor mund t’i bashkohet Tregut të Vetëm Dixhital në fusha me rëndësi kritike si tregtia elektronike ose siguria kibernetike. E para është e rëndësishme për të përshpejtuar fluksin e tregtisë në mallra dhe shërbime duke përmirësuar njëkohësisht sistemet e pagesave. Kjo e fundit është më e rëndësishme se kurrë në një kohë tensionesh dhe shqetësimesh gjeopolitike të rritura në kontinent dhe më gjerë. Nevoja për të përmirësuar dhe bashkëpunuar për sigurinë kibernetike, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor në programet evropiane të sigurisë kibernetike, ishte një nga temat kryesore të takimit të Ministrave të Punëve të Brendshme të mbajtur këtu në Tiranë dy javë më parë. 12. Në fushën e Konektivitetit, ne mbështesim konkluzionet e Samitit të Konektivitetit në Budva në maj, veçanërisht fokusin e tij në përfundimin e Korsive të Gjelbërta dhe Blu të Tregtisë dhe Transportit dhe kalimet e integruara kufitare me shtetet anëtare aktuale.
13. BE-ja mbetet partneri ynë kryesor tregtar. Aktualisht, 75% e të gjitha eksporteve të Shqipërisë janë me shtetet anëtare. Prandaj, ne duhet të synojmë të përmirësojmë procedurat dhe praktikat tona doganore në vendkalimet më të rëndësishme midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
14. Për këtë qëllim, Kryesia Shqiptare ka propozuar disa iniciativa që përfshihen në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
E para nga këto nisma është Programi i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit 2.0. Kjo iniciativë shihet si një vazhdimësi dhe një përmirësim i mëtejshëm i Fazës 1 të suksesshme të Programit, të zbatuar nga Banka Botërore në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke e zgjeruar tashmë atë me 7 vendet anëtare të BE-së të kalimit kufitar. Programi 2.0 i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit do të ofronte një mundësi për të përshpejtuar përpjekjet në të gjithë BE-në dhe Ballkanin Perëndimor në tre akse kryesore: · Mbështetje për Marrëveshje më të thella të Tregtisë dhe Dritaret e Vetme Doganore; · Ulja e kostove duke përmirësuar ose zgjeruar infrastrukturën në Pikat e Kalimit Kufitar në korridoret kritike të transportit, duke përfshirë zgjidhjet dixhitale që do të shpejtonin procedurat aktuale kufitare. · Identifikimi dhe prioritizimi i investimeve të mëdha në infrastrukturë, të nevojshme përgjatë korridoreve kryesore evropiane, si dhe për të rritur qëndrueshmërinë financiare të sistemeve të transportit për t’i shërbyer rrugëve të tranzitit tregtar të BE-së. Së dyti, ne po punojmë për integrimin e sistemeve të pagesave të bankave qendrore të rajonit drejt atij europian. Kjo nismë fillimisht u propozua si pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal, por koncepti që ne propozojmë tani ka një shtrirje dhe ambicie më të gjerë, përkatësisht lidhjen e shërbimeve tona financiare me ato të BE-së. Së treti, ne po propozojmë, si pjesë e kryesimit tonë, që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Aleancës Evropiane të Lëndëve të Para, një iniciativë e cila mbështetet nga arsye gjeopolitike dhe ekonomike.
- Për fat të keq, ne nuk kemi bërë përparim me vendimet e CEFTA-s në pritje, të cilat nëse miratohen dhe ratifikohen, do të sillnin vërtet rezultate të prekshme në fushën e pagesave elektronike dhe fusha të tjera të politikave. I bëj thirrje kolegëve të mi që të ndihmojnë në zhbllokimin e këtij sistemi, në mënyrë që të mund të vjelim disa rezultate lehtësisht të arritshme, por me shumë ndikim sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Mbi të gjitha, kjo do ta transformonte rajonin tonë në një partner gjithnjë e më të besueshëm për BE-në.
- Së fundi, do të doja të përgëzoja nisjen e Dialogut të nivelit të lartë mbi Partneritetin Klimatik midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor në qershor të këtij viti, pas zotimit të Kancelarit Scholz vitin e kaluar për të mbështetur tranzicionin e gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Ndihma për sektorin privat në fushat e burimeve të rinovueshme dhe mbështetja për zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një investim i prekshëm i BE-së për të ardhmen e rajonit dhe të gjithë kontinentin.
Faleminderit shumë!