Fjala e Zv.kryeministres, Belinda Balluku në konferencën për bilancin e sezonit turistik veror - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Zv.kryeministres, Belinda Balluku në konferencën për bilancin e sezonit turistik veror

Përshëndetje të gjithëve!

Një sallë e mbushur me bashkëpunëtorë, miq e dashamirës. Unë do ta nisja pak ndryshe, do thoja që unë dhe Taulanti ndoshta e kemi zyrën në zonën më turistike të Tiranës dhe tashmë për t’u futur në zyrën tonë duhet të shtymë pak turistët të cilët rrinë gjithë ditën para bunkerit duke foto, por edhe ata që vijnë dhe martohen etj.

Kështu që padyshim turizmi nuk është më një turizëm sezonal në Republikën e Shqipërisë dhe pavarësisht se Mirela vendosi të na mblidhet sot, në fillim të Tetorit, si mbyllje e sezonit, mua më rezulton që shumica e hoteleve në bregdetin shqiptar janë akoma të mbushur dhe do të jenë kështu deri në fund të Tetorit.

Por, turizëm nuk ka vetëm bregdeti. Ka edhe Dibra ime me ekoturizëm, me agroturizëm, me të gjitha shpatet dhe rrugëtimet e Korabit që kanë qenë të mbushura plotë me turistë të ardhur nga Veriu i Europës, të cilët janë çiklistë, të cilët preferojnë të bëjnë këto sportet outdoor apo që kanë filluar të shijojnë liqenet e Lurës dhe i njohin dhe më mirë se ne shqiptarët që akoma s’i kemi vizituar. Por është koha që ti planifikoni në axhendën tuaj pasi një rrugë unazë, e cila fillon nga Dibra dhe përfundon në Mirditë kalon tej për tej Lurës duke i dhënë kështu mundësi edhe një atraksioni tjetër shqiptar.

Do thoja gjithashtu që ne nuk jemi certifikuar akoma, siç tha Taulanti, si një vend turistik. Ky ishte një vit i papritur për të gjithë ne, pavarësisht se ishim përgatitur askush nuk priste që ne do të ishim ai vendi 10 milionë plus, që më pëlqeu shumë si slogan për vitin e ardhshëm. Ndërkohë që jemi 8.3 në fillim të tetorit, nuk ka asnjë dyshim që deri në Dhjetor do ti kemi arritur ndoshta 10 milionë, por dhe në qoftë se nuk arrihen në Dhjetor do të arrihen në fillim viti, siç thashë Shqipëria tani vizitohet nga të gjithë, në të gjitha sezonet.

Duhet thënë gjithashtu që kemi pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm, të suksesshëm, që Mirela e tha shumë bukur që ishte një sezon i paharrueshëm për ne të tre. Kemi qenë, jo vetëm në komunikim mes nesh, por kemi qenë në komunikim me të gjitha skuadrat tona. Ledina që sapo kishte një bebe të vogël ju desh që të qëndronte gjatë gjithë sezonit në gatishmëri si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit. Ku na është dashur që të gjithë së bashku të jemi në terren në vend që të bënim pushime pasi kemi kuptuar që ishte momentumi më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe këtë e dinë më mirë se të gjithë ne operatorët e turizmit që e kanë ndjerë se këtu nuk kanë arritur rastësisht. As ju dhe as Qeveria Shqiptare.

Nuk kemi arritur në këto rezultate se ashtu ndodhi, erdhi koha. Kam dëgjuar disa që thonë që erdhi koha dhe ndaj po vizitohet Shqipëria. Jo nuk është e vërtetë. Shqipëria po vizitohet sepse sot ka infrastrukturë që të çon nga Veriu në Jug. Shqipëria po vizitohet sepse sot ka porte dhe aeroporte të cilat funksionojnë më së miri sipas rregullave dhe parametrave europianë. Shqipëria sot vizitohet sepse ka infrastruktura hotelerie të cilat nuk lënë asgjë për të dëshiruar dhe ndoshta janë shumë më të mira dhe se shumë të tjera në vendet fqinje.

Kemi arritur këtu në sajë të një pune të përbashkët. Kemi arritur këtu në sajë të bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare me sektorin privat. Kemi arritur këtu sepse kemi vënë një qëllim për ta kthyer vendin tonë në një vend turistik pasi zoti ka qenë shumë  bujar me ne. Na ka dhënë diellin, na ka dhënë malet, na ka dhënë detin, liqenet na ka dhënë atë lumin e egër të fundit të Europës, që në çdo tryezë ku ulemi Mirela i bën gjithmonë një pyetje ndërkombëtareve, ‘pse është lumi i fundit? çfarë i bëtë lumenjtë tuja të egër që duhet të ruajmë këtë si të fundit’?. Ja pra të gjitha këto ne na i ka dhënë zoti, por na ka dhënë edhe krahë të fortë, edhe dëshirë dhe vullnet për të punuar dhe kur ne bëhemi të gjithë bashkë nuk ka asnjë si shqiptarët.

Kështu që të dashur miq dhe shokë unë do të përmendja disa nga punët e mira që na kanë shërbyer këtë vit për të promovuar Shqipërinë. Dhe do të përmend dhe disa nga ato punë që do të na duhet të bëjmë në vazhdim për të na ndihmuar vitin tjetër që ta certifikojmë Shqipërinë.

2024-ta, të dashur kryebashkiakë, do të jetë viti i certifikimit. Ky ishte viti i provës gjenerale. Erdhën dhe na vunë në provë. A vallë ja dalim? A jemi ne ata që ofrojmë shërbimin e duhur? A ka rrugë mjaftueshëm? A ka porte dhe aeroporte? A ka energji elektrike për çdo hotel? Për çdo strukturë? Kjo ishte prova gjenerale që e kaluam me sukses. 2024-ta do të jetë viti i certifikimit të Shqipërisë si një vend turistik. Nëse do jemi Maldivet apo jo kjo ka pak rëndësi. Ne jemi Shqipëria dhe jemi vendi më i bukur i Ballkanit, padyshim.

Gjatë këtij sezoni Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ministria e Infrastrukturës ka hapur dy nga akset më të rëndësishme të bregdetit. Kemi hapur aksin e parë atë Orikum – Dukat dhe Palasë – Dhërmi. Aksi Orikum-Dukat çon në hyrje të tunelit të Llogarasë dhe ne në fund të Qershorit 2024 do të inaugurojmë dhe do të hapim një portë të re, një portë të re të infrastrukturës, tunelin e Llogarasë, si një tunel i klasifikuar i gjatësisë së madhe sipas nivelit europian të kritereve, rreth 6 kilometra, i cili do të jetë i aksesueshëm në muajin Qershor 2024. Por edhe me këto dy rrugë që dorëzuam trafiku u facilitua dhe me të vërtetë pati një impakt shumë pozitiv tek të gjithë vizitorët në pjesën e jugut.

Nga ana tjetër, ne kemi nisur një punë e cila është e domosdoshme dhe shpresoj që të gjitha kontratat e të ecin me të njëjtën shpejtësi, siç ecin kantieret 5 vitet e fundit dhe bëhet fjalë për Korridorin Blu. Korridori Blu i cili do ti jepte një frymëmarrje të jashtëzakonshme të gjithë aksit të perëndimit, të ultësirës perëndimore, por mbi të gjitha aksit Perëndimor të Veriut, i cili nuk duhet të mohojmë faktin që ka një trafik shumë të ngarkuar sidomos pjesa e Krujë-Fushë Krujës edhe të gjitha akseset për hyrjen në Lezhë. Por, në këto momente të gjitha kontratat janë aktive, në faza të ndryshme, disa në fazat e ndërtimit, disa në fazat e lidhjes së kontratës, por rëndësia ka që ky Korridor tashmë është definuar dhe na duhet vetëm të punojmë fortë për ta mbyllur sa më parë.

Nga ana tjetër, duhet thënë që kemi planifikuar për vitin e ardhshëm, edhe pak jashtë kontureve të buxhetit edhe me ndihmën e Ministrisë së Financave disa ndërhyrje të rëndësishme të cilat u identifikuan si të nevojshme gjatë këtij viti dhe këtu bëhet fjalë për disa akse kryesore siç është aksi i Ksamilit. Një aks që do t’a kishim konsideruar deri dje si një aks lokal që duhet ti përkiste Bashkisë Sarandës etj, por me qenë se Ksamili u bë maskoti i Shqipërisë për këtë vit padyshim kërkon një vëmendje tjetër dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ndërhyjë në atë aks dhe jo vetëm përsa i përket infrastrukturës rrugore, por edhe asaj energjetike. Gjithashtu, do të kemi ndërhyrje në aksin Levan – Gjirokastër, Elbasan – Lekaj, si dhe padyshim në akset e tjera të cilat do të identifikohen gjatë kësaj analize në mbyllje të sezonit.

Por duhet thënë që një kujdes të posaçëm ne kemi pasur edhe me shpërndarjen e energjisë elektrike. Ka qenë një vit i mirë përsa i përket prodhimit duke qenë se kemi pasur ato shirat e shumë munguar në tre vjeçarin e kaluar dhe nga ana tjetër OSHEE-ja ka bërë një punë të mirë përsa i përket mirëmbajtjes së 26 nënstacioneve dhe padyshim një trupe të tërë që i përgjigjet sezonit veror prej më shumë se 1500 elektricistësh në të gjithë vendin. Gjithashtu kemi rikonstruktuar dhe rinovuar mbi 1300 kilometra linjë të tensionit të lartë dhe atij të mesëm.

Nga ana tjetër treguesit e cilësisë të furnizimit të cilat bazohen në kohën dhe numrin e ndërprerjeve janë përmirësuar krahasimisht me 2022 me 40%. Përsa i takon planeve aktuale për muajt në vazhdim, pasi siç ju thashë, ne sot jemi duke bërë analizën e sezonit 2023 për t’u përgatitur për sezonin 2024 dhe unë së bashku me Mirelën dhe me Taulantin kemi nisur nga puna, ju i dëgjuat edhe kolegët e mi, për të gjitha masat që po marrim për vazhdimësinë. Kështu që edhe në sektorin energjetik, OSHEE tashmë ka bërë një plan përsa i përket optimizimit të disa prej stacioneve, nënstacioneve apo edhe njësive të tjera të shpërndarjes të cilat do të shkojnë rreth 15 milionë euro dhe këtu planifikojmë që të dëgjojnë edhe kryetarët e bashkive, nënstacionin e Velipojës që është për t’u fuqizuar, nënstacioni i Lezhës që duhet patjetër edhe për rritjen e sigurisë së furnizimit të Shëngjinit, nënstacioni i Golemit, Durrës, Kavajë, nënstacioni i Pogradecit dhe ndërtimi i rrjetit të ri të Ksamilit, ashtu siç ju thashë edhe më parë. Të gjitha këto investime parashikohen sigurisht që të përmbyllen para fillimit të sezonit 2024.

Nga ana tjetër, një fokus të veçantë ne kemi si zakonisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe duhet të përmend që me mbështetjen e KFV-së dhe të SECO-s, gjashtë bashki sigurisht do të arrijnë të përfitojnë këto projekte të cilat i kemi nisur dhe shpresojmë që do të përmbyllen me sukses, duke kontribuar kështu për sezonin 2024 që kanë të bëjë me bashkinë Vlorë, Lezhë, Shëngjin, Berat, Shkodër, Elbasan dhe Fier.

Gjithashtu, duhet thënë që projekti i Agjencisë Franceze për Zhvillimin do të prekë rrjetin shpërndarës të furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit, një nga qytetet kyç përsa i përket zhvillimit të turizmit. Por, duhet të ndalemi edhe tek një sukses i madh që e përmendën që të dy kolegët e mi që ka të bëjë me transportin ajror dhe atë detar. Duhet thënë që vetëm në 9 muajt e parë të vitit nga aeroporti i Rinasit kemi pasur një hyrje prej 5.4 milionë pasagjerë. Të gjitha këto shifra që ne referojmë herë pas here duhet të keni parasysh që minimalisht i përkasin provizioneve të vitit 2027. Ne sot po punojmë dhe po elaborojmë shifra të cilat ishim përgatitur për të pasur mbas 4 vitesh.

Nga ana tjetër, ky numër, 5.4 milionë pasagjerë vetëm në 9 muaj e parë të vitit është një tregues i qartë që aeroporti ndërkombëtar i Vlorës nuk është thjesht një vepër e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, por padyshim është një vepër e domosdoshme. Është një vepër që ka nisur prej kohësh, është një vepër e cila do ta vendosë Shqipërinë në një nivel tjetër të transportit ajror, duke qenë se është një nga pistat më të gjata të Ballkanit, me 3.2 kilometra gjatësi. Do ti krijojë Shqipërisë dhe një mundësi tjetër, jo vetëm për vizitorë europianë, por edhe për vizitorë nga kontinente të tjera, pasi aeroporti ndërkombëtar i Vlorës ka si synim fluturimet përtej oqeanit. Kur e kemi nisur këtë aeroport, nëse e mbani mend, kemi folur gjithmonë për mundësinë që duhet ti japim diasporës tonë që të aksesojë vendin dhe të kthehet në vendlindje pa përdorur hub-et e tjera. Por, ndërkohë kjo nuk ka të bëjë vetëm me diasporën sot, ka të bëjë me vizitorë të cilët ashtu siç erdhën nga Italia apo nga vende të tjera mund të vijnë nga Amerika, apo nga Kanadaja për të vizituar Shqipërinë dhe për të zbritur pikërisht në hyrjen më të rëndësishme turistike të vendit.

Gjithashtu, do të doja të theksoja se në portin e Durrësit nga Janari deri në Shtator 2023 janë përpunuar 700 mijë pasagjerë ose thënë ndryshe 31 mijë ose 5% më shumë pasagjerë krahasuar me 9 mujorin e 2022. Megjithatë ne nuk kënaqemi kurrë nga rezultatet tona dhe nuk kënaqemi kurrë me veten. Kryeministri vazhdon dhe të kërkojë më shumë punë nga ne, më shumë rezultate, ne sipas radhës të kërkojmë më shumë punë dhe më shumë rezultate nga bashkëpunëtorët tanë nga ana ata që punojnë me ne, kështu që është një zinxhir motivimi që nuk shkëputet kurrë në këto 10 vite. Ndaj të gjitha këto shifra dhe këto numra nuk na bëjnë entuziast, thjesht na vënë para një përgjegjësie për të punuar edhe më shumë përsa i përket vitit tjetër.

A kemi identifikuar problematika?! Po, pafund. Sa më shumë rritet numri i vizitorëve aq më shumë ne përballemi me problematikat. E përmendi Mirela. Siç ishte rasti i menaxhimit të ujërave të ndotura të cilat derdhen në ujërat larëse. Gjithçka që ne duhet të bëjmë për të mitiguar këtë problem, i cili ka lidhje me turizmin, ka lidhje me njësitë tregtare të lidhura me turizmin, ka lidhje me hotelerinë, ka lidhje me restorantet, me baret, ka lidhje me fshatrat turistikë. Kështu që të gjithë së bashku ne kemi arritur të identifikojmë problematikat dhe sot po i japim zgjidhje, qoftë kjo ligjore apo financiare për të mos u përballur me të njëjtat probleme në të ardhmen.

Një nga problematikat që kemi identifikuar ne në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë është transporti urban. Varet dhe nga kultura e vizitorit. Të gjithë ato vizitorë të cilët vijnë nga Veriu i Europës e kanë shumë të domosdoshme të përdorin transportin urban, gjë të cilën ne nuk e ofrojmë në të gjithë territorin e vendit. Është shumë e vështirë sot që ti kërkosh Sarandës që të ketë një transport të rregullt urban ndërlidhës me Ksamilin. Është shumë e vështirë të gjesh një zgjidhje sesi Tirana duhet të lidhet me Durrësin. Padyshim ne kemi plane për të ardhmen, duke nisur nga hekurudha, e cila tashmë ka kaluar 50% të volumeve të kantierit dhe do të jetë një tren shpejtësie i cili do të lidhi Tiranën me Durrësin dhe me aeroportin.

Nga ana tjetër, kemi një plan dhe strategji kombëtare përsa i përket e-transportit, pra një platforme e cila do të organizojë të gjithë transportin ndërqytetas në Republikën e Shqipërisë, por do të na duhet dhe një flotë e re, e cila ka kosto financiare, kërkon angazhim edhe të shtetit, edhe të sektorit privat, edhe të pushtetit lokal dhe të gjitha këto duhen bashkërenduar shumë më shpejt nga çne e kishim planifikuar që ti bënim në të ardhmen, pasi siç ju thashë, kemi vënë re nga pyetësorët, nga kontaktet që kemi pasur me përfaqësuesit e kompanive që sjellin këtu turistët, që për disa grupe turistësh nga vendet nordike sidomos, por edhe nga vende të tjera është një shërbim thelbësor që ne duhet ta ofrojmë si vend, si komunitete, si bashki, si qytete.

Ndaj jemi duke punuar me shumë përkushtim për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtyre problematikave që përmenda dhe që unë jam e sigurtë që secili prej jush është ndeshur. Ndaj diçka tjetër që do të thoja në përfundim të këtij sezoni dhe duke bërë të gjithë analizat, do ishte mirë që të hapnim edhe një dialog mes nesh për të marrë të gjitha imputet që ju keni si drejtues të pushtetit lokal apo që ju keni si menaxher të turizmit për vendin tonë apo çdo njësi tjetër, qoftë kjo shtetërore apo qoftë kjo private dhe për të mirëkuptuar njëri-tjetrin dhe në mënyrën sesi mund ta mbështesim në të ardhmen.

Siç thashë, Shqipëria i ka të gjitha. Zoti i ka dhuruar gjithçka dhe ka njerëz punëtorë. Tani ajo çka duhet, meqë ka ardhur edhe koha e duhur siç thonë ca është koha dhe prandaj po ndodh, unë them që ne duhet të bashkërendojmë forcat, duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe të mirëkuptojmë njëri-tjetrin për çdo hap që do hedhim më tutje, sepse ky është momenti i duhur dhe ne këtë moment nuk duhet ta humbim.

Shumë faleminderit për vëmendjen!

Previous Sezoni turistik veror 2023, së bashku në përpjekjen për përmirësimin e standardeve të industrisë së turizmit, për zhvillimin e qëndrueshëm gjithëvjetor