Fjala në Kuvend e Ministrit Hasani, për zhvillimet më të fundit në veri të Republikës së Kosovës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala në Kuvend e Ministrit Hasani, për zhvillimet më të fundit në veri të Republikës së Kosovës

Zonja Kryetare,

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka dënuar me forcën më të madhe sulmin terrorist, kriminal, ndaj policisë së Republikës së Kosovës, më 24 shtator, në veri të vendit. Ai sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm agresioni kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, rendit dhe sigurisë së Kosovës. Sulmi është, gjithashtu, një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë, me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët.

Vrasja e një polici të Kosovës në krye të detyrës, e bën edhe më tragjik dhe të dhimbshëm këtë akt agresioni. Edhe njëherë shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjen e oficerit të policisë Afrim Bunjaku, që humbi jetën dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë policit të plagosur. Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe Qeverinë e Kosovës, të cilët sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës, ndërkohë që bëjnë përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane, të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxirren sa më shpejt para drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja të pakthyeshme të mundshme.

Ngjarjet më të fundit janë një tregues tjetër i qartë se nuk ka alternativë ndaj zbatimit të sundimit të ligjit në gjithë Republikën e Kosovës. Policia e Republikës së Kosovës ka legjitimitetin e plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Qetësimi dhe depërshkallëzimi i situatës tani është kyç dhe e vetmja rrugë përpara.

Në anën tjetër, dita e zisë, e shpallur nga Beogradi për pjesëtarët e grupit të armatosur që u neutralizuan nga forcat e sigurisë së Kosovës, pasi vranë një oficer policie, është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit tonë dhe komunitetit Euro-Atlantik. Kemi pritur që Serbia të niste një hetim serioz për grupin kriminal potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, dhe lidhjet e tij me trafikantët e armëve dhe individë, apo subjekte të tjera në Serbi, apo diku gjetkë. Në vend të kësaj, duke shpallur këtë ditë zie, Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur. Është pozitive që ushtria serbe nisi tërheqjen nga kufiri me Kosovën por është njëkohësiht shumë negative që ajo ushtri përdoret për shfaqje të tilla.

Ky është gjithashtu, momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur, nëse do ta ngrejnë  në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës.

Prandaj, ne bëjmë thirrje për angazhim të fuqishëm dhe të menjëhershëm të bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje komunitetit Euro-Atlantik që të intensifikojë përpjekjet për t’i ulur pa vonesë Kosovën dhe Serbinë në një proces autentik dhe të përforcuar bisedimi për normalizimin, nën mbikëqyrjen dhe garancitë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është sot më shumë se kurrë një domosdoshmëri strategjike për ligjin dhe rendin në Kosovë dhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike.

Dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes. Palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut të normalizimit, mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni të plotë me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ne kemi deklaruar dhe kërkuar disa herë publikisht dhe zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit Euro-Atlantik se formati i dialogut të normalizimit duhet ngritur në nivelin e një konference normalizimi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve.

Shtimi i pranisë së KFOR-it është një garanci shtesë për paprekshmërinë e kufijve të Kosovës dhe një garanci për sigurinë dhe paqen në Kosovë e rajon.

Shqipëria vlerëson se fillimi dhe përfundimi i procesit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është kyç për një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj në familjen evropiane. Në këtë kontekst, kërkesa publike për ndihmën e SHBA-ve për draftin e asociacionit, nga Presidentja e Republikës së Kosovës është pozitive dhe është një hap në drejtimin e duhur. Një draft i asociacionit, i cili duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, duhet të vihet në tryezë, në përputhje me kërkesat legjitime të procesit të dialogut, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara tashmë nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Ngjarjet e fundit tregojnë se Kosova sot, edhe më shumë pas tragjedisë së vrasjes së një oficeri të policisë, duhet ta kërkojë me këmbëngulje dialogun, duhet të besojë seriozisht në dialog dhe të përdorë të gjitha energjitë për përfundimin me sukses të dialogut.

Shqipëria ka qëndruar gjithmonë me Kosovën dhe qëndron me Kosovën sot, në këtë kohë të vështirë.

Faleminderitf

Previous Ministrja Koçiu në Kroaci, nënshkruan planin e ri të bashkëpunimit në shëndetësi