Forumi i Biznesit “Shqipëri – Gjermani”, Ibrahimaj: Shqipëria ka një ambient miqësor dhe tërheqës për investimet e huaja - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Forumi i Biznesit “Shqipëri – Gjermani”, Ibrahimaj: Shqipëria ka një ambient miqësor dhe tërheqës për investimet e huaja

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Forumin e Biznesit “Shqipëri – Gjermani”, ku merrnin pjesë përfaqësues të 40 bizneseve të reja gjermane “The Young Entrepreneurs”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraff.

Ministrja Ibrahimaj shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë për Shqipërinë ndër vite, në drejtim të zhvillimit të demokracisë, zbatimi të Reformës në Drejtësi, por edhe të proceseve transformuese, në rrugën drejt integrimit Europian. Ministrja vlerësoi nivelin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe shprehu besimin se forumi i biznesit do të shërbejë për forcimin e tyre në të ardhmen.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj u ndal në angazhimet dhe investimet që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe po ndërmerr në funksion të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të një ambienti tërheqës për investimet e huaja, duke vënë theksin fillimisht te infrastruktura.

“Infrastruktura është shumë e rëndësishme me qëllim krijimin e një ambienti biznesi të përshtatshëm pasi biznesi, nëse do të vendosë të investojë në një vend të caktuar, do të shohë stabilitetin politik, të cilin ne prej vitesh tashmë e kemi. Po ashtu, do të shohë ndërlidhjet, interkonjeksionin, interkonjeksionin rrugor, detar, portual dhe aeroportual, interkonjeksionin në lidhje me energjinë elektrike apo me linjat e internetit. Të gjitha këto që sapo përmenda janë investime madhore që Shqipëria tashmë i ka filluar”, tha Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje faktin se Shqipëria do të nisë këtë vit ndërtimin e një porti të ri tregtar në Durrës dhe do të vijojë investimet rrugore, duke vijuar investimet për korridorin 8, në mënyrë që të ketë një ndërlidhje shumë të mirë me gjithë Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, Shqipëria po punon në kuadër të procesit të Berlinit dhe Open Ballkan, për të krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal, i cili do të shfrytëzojë më së miri të gjithë infrastrukturën që është duke u ngritur, duke e lehtësuar tregtinë dhe shkëmbimet me vendet e rajonit.

“Ne po mundohemi që të ecim përpara në procesin tonë të integrimit europian duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend konkurrues në krahasim me gjithë vendet e tjera të rajonit”, u shpreh Ibrahimaj.

Në këtë proces të vazhdueshëm të zhvillimit të vendit, Ministrja nënvizoi faktin se qeveria e konsideron biznesin si partner kryesor, me qëllim tejkalimin e vështirësive, investimin e përbashkët në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së Shqipërisë.

Ministrja Ibrahimaj bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së ekonomisë së Shqipëri, ku për vitin e kaluar ajo u rrit me 4.8 %, ndjeshëm më lartë se parashikimet edhe të institucioneve ndërkombëtare dhe se sa vendet e tjera të rajonit, ndonëse në kushtet e një krize globale.

“Shqipëria, falë politika që ka ndërmarrë por edhe falë biznesit dhe dëshirës së biznesit për investim, në ato sektorë që japin rritje dhe kanë eficencë, arriti të realizojë këtë rritje ekonomike dhe ne jemi shumë pozitivë që rritja ekonomike do të vazhdojë dhe në të ardhmen në këto nivele. Gjithashtu, ne patëm nivel inflacioni ndjeshëm më të ulët se sa vendet e tjera, sepse në bashkëpunim me biznesin, vendosëm që çmimet e prodhimit të energjisë elektrike për biznesin të mos rriteshin gjatë vitit të kaluar. Ishte një mburojë që i garantoi biznesit mos rritjen e kostove të energjisë elektrike”, tha Ministrja.

Në vijim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj shtoi se: “Ne mundohemi të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, ta dëgjojmë zërin e biznesit, sepse rritja e kostove të tyre gjatë vitit të kaluar do të kishte qenë me efekt negativ për ecurinë ekonomike. Edhe sot, ndonëse Europa pret ngadalësim, ne shohim që kemi ende shenja shumë pozitive të zhvillimit. Ne kemi një kërkesë të fortë për investime, kreditimi vazhdon rritet, që do të thotë se biznesi është pozitiv dhe ka gjetur kushtet e përshtatshme për tu zhvilluar. Papunësia ka ardhur në rënie, bilanci i pagesave ka qenë pozitive, sektori turistik është në rritje dhe nuk e ka arritur ende pikën kulmore dhe sepse kemi bërë investimet e duhura në turizëm dhe Shqipëria është një vend i përshtatshëm për turizmin dhe bujqësinë. Ne kemi një strategji për diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike, e cila synon që Shqipëria të bëhet një vend eksportues neto i energjisë elektrike në vitin 2029”.

Sa i përket shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, për vitin 2022 ato arritën në vlerën 762 mln euro, ndërsa flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 91 milionë euro.

Aktualisht në vendin tonë ka raste suksesi të shumë kompanive gjermane që kanë investuar dhe kanë zhvilluar më tej biznesin e tyre në sektorë të ndryshëm si bujqësi, në fushën automotive, në fushën e tregtisë, në fushën e IT dixhitalizimit, etj.

Të gjitha këto kompani, tha Ibrahimaj, kanë gjetur në Shqipëri një forcë punëtore të aftë për të shërbyer dhe për të mësuar, ashtu si edhe relativisht të lirë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit apo BE.

Gjithashtu, këto kompani kanë gjetur një legjislacion që i përshtatet investimeve të huaja, duke pasur lehtësira tatimore sa i përket sektorëve të caktuar që konsiderohen si strategjikë në vend, por edhe duke pasur lehtësira  administrative për investime të llojit strategjik.

Në përfundim, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë falënderoi kompanitë gjermane për interesin e treguar për të investuar në Shqipëri dhe shprehu bindjen se ato në vendin tonë do të gjejnë mbështetje për zhvilluar biznesin e tyre dhe asistencë për zgjidhjen e problematikave që mund të kenë.

Previous Java Evropiane e Imunizimit, Manastirliu: Mbi 4500 vajza të vaksinuara, përthithje maksimale e vaksinës kundër HPV