Forumi i Dytë i Inovacionit, ministrja Ibrahimaj: Shqipëria drejt një ekosistemi të ri ekonomik të mbështetur në teknologji dhe inovacion
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga bizneset shqiptare mbetet ende në nivele të ulëta, me vetëm 9% të ndërmarrjeve që e përdorin atë, pavarësisht aksesit të gjerë të qytetarëve në shërbimet digjitale.
Në Forumin e Dytë të Inovacionit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi nevojën për një përdorim më të gjerë të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në sektorin privat, si një mundësi për të ngushtuar hendekun e produktivitetit me mesataren e Bashkimit Evropian dhe për të krijuar avantazhe të reja konkurruese për ekonominë shqiptare. Aktualisht, produktiviteti i ekonomisë shqiptare është rreth një e treta e mesatares së Bashkimit Evropian.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99,8% të ndërmarrjeve në vend, rreth 80% të punësimit dhe 78% të vlerës së shtuar në ekonomi. Rritja e përdorimit të teknologjive të reja nga këto biznese merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të peshës së tyre në ekonominë dhe punësimin në vend.
Sipas ministres, zhvillimet e shpejta në fushën e Inteligjencës Artificiale po ndryshojnë mënyrën e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve, si dhe aftësitë profesionale të kërkuara nga tregu. Në këtë drejtim, Shqipëria synon ndërtimin e një ekosistemi të ri ekonomik të mbështetur në teknologji dhe inovacion, përmes zhvillimit të infrastrukturës, financimit dhe kapitalit njerëzor, si dhe forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve, biznesit dhe aktorëve të sektorit.
Forumi i Dytë i Inovacionit, i zhvilluar në Tiranë, u fokusua te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri, ndërsa diskutimet përfshinë edhe aksesin në tregje dhe ndërkombëtarizimin e produkteve shqiptare të teknologjisë.