Forumi i Klimës së Biznesit 2023, platformë e shkëmbimit të ideve mbi klimën e biznesit, produktivitetin dhe kapitalin njerëzor - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Forumi i Klimës së Biznesit 2023, platformë e shkëmbimit të ideve mbi klimën e biznesit, produktivitetin dhe kapitalin njerëzor

Forumi i Klimës së Biznesit 2023 nisi sot punimet, si një platformë dialogu me biznesin për të shkëmbyer ide dhe opinione për punën e bërë deri më tani, si edhe për të ndarë sfida të përbashkëta lidhur me klimën e biznesit, produktivitetin dhe kapitalin njerëzor.

* * *

Kryeministri Edi Rama:  Kjo konferencë erdhi si rezultat i një procesi shumë intensiv dialogu me të gjitha shoqatat e biznesit në Shqipëri, të cilat i kemi takuar së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë si dhe me ministren e shtetit për standardet e shërbimeve dhe po ashtu edhe me kryetarin e komisionit të financave dhe të ekonomisë në parlament për të shkëmbyer opinionet mbi situatën në tërësi të biznesit, mbi aspektet e klimës së biznesit dhe mbi të gjitha, mbi çfarë konkretisht sipërmarrja dëshiron të shohë në rrugën e përbashkët të shkuarjes përpara në funksion të ekonomisë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Kemi pasur një dialog që nuk ka qenë thjeshtë vetëm bisedat e drejtpërdrejta që siç thashë kemi zhvilluar me të gjitha shoqatat e biznesit ose më saktë me dhomat e biznesit, por ka qenë edhe shkëmbimi i informacionit të shkruar i cili ka prodhuar dhe një raport konkret të klimës së biznesit në Shqipëri që do tua u vëmë në dispozicion të gjithëve dhe që njëkohësisht është dhe një rrugë, një hartë e rrugës për tu shkelur nga ana e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me biznesin.

Unë nuk dua të zgjatem në të gjitha aspektet, ministrja bëri një panoramë të përgjithshme. Panelet në vijim do të hyjnë, jam i bindur, deri në detaje dhe në fund fare kjo konferencë do të mbyllet me rezultat konkret, që është pikërisht vendosja në një dokument të shkruar dhe të plotësuar dhe me ndërhyrjet e këtyre paneleve të këtyre ditëve, të atij që duhet të shërbejë si një plan konkret veprimi për qeverinë.

Dua vetëm të prek disa aspekte dhe dua ta filloj me aspektin e pagave dhe me nevojën për të përsëritur e përsëritur domosdoshmërinë që të vetëdijesohemi të gjithë se ky është një moment shumë kritik për Europën, pjesë e së cilës ne jemi dhe për vendin tonë që as nuk bën përjashtim nga pjesa tjetër e Europës dhe nga ana tjetër ka një vunerabilitet shumë më të madh sesa shumë vende të tjera të Europës, në një garë që vetëm sapo ka filluar dhe në fakt në këndvështrimin tim, garë është një fjalë shumë e butë, është një luftë për krahun e punës.

Një luftë për krahun e punës që ne duhet me patjetër ta përballojmë dhe efekteve katastrofike të së cilës ne duhet patjetër tu mbijetojmë nëse duam të vazhdojmë me sukses në këtë rrugë ku ka hyrë tanimë ekonomia jonë e cila është në një moment kthese shumë të rëndësishme. Arsyeja pse ne rritëm në mënyrë shumë domethënëse pagat në sektorin publik lidhet edhe me këtë që sapo thashë, sikundër patjetër lidhet me faktin që u krijuan mundësitë për të rritur pagat në sektorin publik, gjë që nuk e kemi pasur më parë dhe kjo rritje pagash në sektorin publik, ne jemi të bindur që do të japë një sërë efektesh pozitive, por shpresojmë shumë që të japë dhe efektin pozitiv të rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat sepse sot sipërmarrja e gjitha e ndien. Me këdo që të flasësh e dëgjon mungesën e mjaftueshme, e kapitalit njerëzor të mjaftueshëm.

Nesër nuk duhet të ndodhi në asnjë mënyrë që sipërmarrja të vijë në pikën e atij njeriut që u habit kur gomari vdiq, pasi ai e mësoi që të mos hante. Krahu i lirë i punës nuk mund të jetë më një element konkurrueshmërie dhe me krahun e lirë të punës nuk mund të bëhet më biznes.

30 vjet më parë kur filluan të hidhen themelet e fasonerive të para ishte një gjeneratë e tërë vajzash dhe grash të reja që hynë në ato fasoneritë dhe u ulën përballë makinave qepëse. Sot ato gra janë në rrugën e daljes në pension, vit pas viti, gjithmonë e më shumë. Pasi kanë punuar 30 vjet, 20 vjet e kështu me radhe, një punë goxha të vështirë, të paguar pak, duke i dhënë mundësinë sipërmarrësve që tu thonë porositësve të materialeve që fasonet përpunojnë, që këtu ju mund të prodhoni për të gjitha firmat e mëdha me një kosto që nuk e gjeni asgjëkund dhe natyrisht kjo ka qenë një fazë e historisë së ekonomisë së dalë nga komunizmi e cila ka qenë e pashmangshme, por sot nuk besoj se ka këtu në këtë sallë një person të vetëm që mund ta imagjinojë që në momentin kur një nga ato zonjat del në pension dhe makina qepëse kërkon personin tjetër, personi tjetër është një vajzë në moshën e zonjës kur është ulur përpara asaj makine qepëse, që pranon të ulet dhe të vazhdojë punën me një pagë e cila bazohet tek pikërisht kjo, krahu i lirë i punës si epërsi konkurruese. Nuk gjendet kjo vajzë sot. Nuk gjendet as në Kamzë, nuk gjendet as në periferitë e Durrësit, nuk gjendet as në asnjë nga periferitë që kanë qenë baza e kapitalit njerëzor të kësaj industrie.

Atëherë çfarë duhet bërë? Duhet bërë ajo që po bëjnë disa prek kompanive, që po ndërrojnë komplet lojën dhe po kalojnë në një tjetër nivel të prodhimit të tyre duke e lënë pas historinë e punës me vet fitimit me material porositësi duke kaluar në produktet “Made in Albania”.

E njëjta gjë vlen për të gjithë sektorët dhe atëherë ajo që sot është domosdoshmëri është një aleancë me bindjen që ky është një moment me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit tonë dhe për të ardhmen e çdo sipërmarrjeje. Një aleancë e bazuar tek nevoja që në këtë moment kthese të rëndësishme Shqipëria t’i qëndrojë kësaj stuhie e cila sapo ka filluar dhe e cila do të vijë duke u fuqizuar sepse kur Gjermania kërkon 7 milionë njerëz jashtë sistemit të saj të lindshmërisë për ta bërë rezistente ekonominë e saj deri në vitin 2030, parafytyrojeni se çfarë beteje është dhe pa diskutim që ne i kemi të gjitha mundësitë t’i mbijetojmë kësaj stuhie, por ky është një moment kur sipërmarrja duhet të bëjë një hap më shumë. Fakti është që sot ka sipërmarrje në Shqipëri që kanë paga shumë të larta dhe që vazhdojnë t’i rrisin pagat, por duhet vrapuar më shumë sepse është vërtetë një luftë me sekondin, jo me ditën, me sekondin.

Pika tjetër që dua të ndaj me ju është se ne kemi kuptuar dhe vlerësuar nga gjithë çfarë kemi ndërtuar në këtë eksperiencë, por edhe nga gjithë kontaktet të drejtpërdrejta me sipërmarrjen si dhe nga leximi kujdesshëm i gjithë raporteve  serioze, jo i të gjithë raporteve, por i gjithë raporteve serioze dhe raporte serioze bën BE, raportet seriozë bën OECD, e cila në indeksin e politikës të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për rajonin tonë për vitin qe sapo lamë pas, nënvizon se Shqipëria vlerësohet për mjedisin operacional për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që mbetet më i zhvilluari në rajon. E thotë OECD nuk e them unë dhe nuk e thotë qeveria shqiptare ku janë zbatuar reformat digjitale në çdo nivel të qeverisë dhe këtu është ajo që unë dua të nënvizoj; që ne kemi bërë një transformim revolucionar në aspektin e digjitalizimit, të komplet marrëdhënieve të sipërmarrjes me shtetin dhe s’ka asnjë krahasim të mundshëm, madje edhe të imagjinueshëm dot nëse kujtojmë se si paguheshin taksat, se si bëheshin letrat, se si ndërveprohej me doganat, se si rimbursohej TVSH-ja jo shumë vite më parë dhe se si ndodh kjo sot ashtu sikundër e njëjta gjë ndodh edhe për konsumatorët, për qytetarët.

Nga ana tjetër, jemi shumë të vetëdijshme që çështja e konkurrueshmërisë dhe çështja e lehtësimit të të gjithë procesit të sipërmarrjes lidhet edhe me transparencën në proceset konkurruese. Gjë që lidhet patjetër edhe me domosdoshmërinë që gjithë atë pjesë shumë të madhe të korrupsionit kapilar që ne e kemi eleminuar me shërbimet digjitale, duhet ta shoqërojmë me eleminimin e një pjese tjetër të korrupsionit që lidhet me gjithë sistemin e prokurimeve dhe në këtë pikë jemi duke përgatitur një tjetër revolucion i cili shumë shpejt do të materializohet pasi po punohet prej kohësh, duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale dhe duke u nisur nga një eksperiencë e jashtëzakonshmen që ne kemi pasur me  misionin e BE në rindërtimin e shkollave pas tërmetit. Rindërtimi i shkollave pas tërmetit ka pasur dy blloqe, një bllok bazuar totalisht tek buxheti i shtetit dhe një bllok bazuar tek mbështetja e Bashkimit Europian dhe proces i prokurimit, i përzgjedhur nga misioni, që i ka prokuruar vetë të gjitha fondet e Bashkimit Europian dhe kanë shkruar vetë kontratat me sipërmarrësit, është një proces që ne na ka mësuar shumë dhe nga i cili kemi kuptuar që ne fare thjeshtë mund të ndërtojmë një rrugë ku nga njëra anë, të kemi një aleancë me institucione siç është UNOPS-i, institucioni i Kombeve të Bashkuara që ndihmon entitete të ndryshme, shtete, organizata për prokurim dhe nga ana tjetër të kemi programin e inteligjencës artificiale për gjithë procesin e prokurimit i cili do të zbrazet totalisht nga letrat, totalisht, do të mbarojë shumë shpejt historia, ke vulën, s’ke vulën, e thave vulën shko rifreskoje, na duhet një më e njomë se është shumë e thatë, mungon kjo letra këtu, këtu ke një deklaratë që është e vjetër, s’është e rifreskuar që e dimë shumë mirë se çfarë tmerri janë për këtë proces, do zbrazet e gjitha totalisht sepse çdo të dhënë që kërkohet nga kompanitë dhe çdo vlerësim që bëhet për kompanitë, do ta bëjë inteligjenca artificiale. Pa nevojë fare të asnjë anëtari të një komisioni apo një komisioni të  tërë prokurimi dhe në fund kur prokurimet të zhvillohen, kompanitë të cilat janë kompani të njohura publikisht dhe të dhënat e të cilave gjenden të gjitha në bazën e të dhënave të shtetit, do duhet vetëm të çojnë çmimin, asgjë tjetër.

Kjo është e mundshme falë teknologjisë dhe ndërkohë do të bëjmë spostimin komplet të gjithë trupës, të gjithë sistemit të prokurimit në një dorë, një agjenci kombëtare e prokurimeve me disa ndryshime shumë të vogla të natyrës teknike dhe do të kontraktojmë partnerë ndërkombëtarë, siç thashë UNOPS-in apo agjenci të ndryshëm të tjera që e bëjnë këtë punë dhe që nga ky moment, asnjë ministri dhe asnjë KVO shqiptare, kjo fjala KVO është kthyer në makthin e jetës sime, quhet Komision Vlerësimi i Ofertave, dhe janë ato grupet pastaj që i shikoni që arrestohen si grup dhe dalin në televizor, KVO filan, KVO filan, nuk do ketë më punë me këtë punë, sepse bëjmë mijëra e mijëra prokurime dhe kemi një numër KVO që është marramendës. Ndërkohë që prokurimet kërkojnë njerëz që të merren vetëm me atë punë, edhe që dinë vetëm atë punë dhe që të përgjigjen vetëm për atë punë dhe mbi te gjitha ministritë dhe institucionet qendrore të shtetit nuk janë për të bërë prokurime, janë për të bërë politika dhe janë për të ndjekur zbatimin e politikave dhe besoj që ky do jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që me këtë lehtësim biznesi do lehtësohet, njerëzit e KVO-ve do lehtësohen, do merren me punët e tyre, qeveria do lehtësohet dhe me siguri Shqipëria do lehtësohet dhe raportet përkatëse do të lehtësohen dhe ne do të ngjitemi shumë më lart në vlerësimin për luftën kundër korrupsionit dhe suksesin e saj.

E fundit që kam në mbyllje, është masat që do të marrim ne për të ndaluar abuzimin me punonjësit dhe për të ndihmuar sipërmarrjet të kuptojnë që koha e shfrytëzimit të krahut të punës ka mbaruar. Krahu i punës të një punonjësi shqiptar nuk mund të shfrytëzohet më; mund të përdoret po, mund të përdoret në bazë të kontratës për t’i marrë atë për të cilën i jep shpërblimin, nuk mund të shfrytëzohet.

Sigurisht që jetojmë në një sistem që ne nuk mund të vëmë pagat edhe për sektorin privat, larg qoftë, por ama jetojmë në një sistem ku ne kemi përgjegjësi që të bëhemi front i përbashkët kundër shfrytëzimit të punonjësve.

Për shembull, nuk do ketë më mundësi për kompanitë e ndërtimit që të marrin kontrata publike apo leje ndërtimi nëse nuk do kenë të garantuar që punonjësit e tyre të jenë të paguar në mënyrë dinjitoze.

Për shembull, në kompanitë e ndërtimit nuk ka, ne e dimë këtë gjë, të gjithë e dini, është fakt, është sekret publik i njohur, nuk ka punonjës që paguhen me pagë minimale 34 mijë lekë, 40 mijë lekë u bë tani më në fund dhe fillon 40 mijë lekëshi tani në këtë muaj, e marrin tani. Nuk ka, por po të shikoni deklarimet, gjysma e punonjësve të ndërtimit janë me pagë minimale. Pse? Sepse ndërtuesit shqiptarë, megjithëse jo të gjithë që të jemi shumë të qartë se kemi dhe Shoqatën këtu dhe fillojnë pastaj bëjnë nota proteste për abuzim nga ana e qeverisë, bullizëm, por ndërtuesit, se prandaj janë gjysma, nuk janë të gjithë me pagë minimale, ndërtuesit të cilët marrin leje, shesin apartamente, ndërtojnë rrugë, ndërtojnë ura, nuk i mjaftojnë të gjitha të ardhurat, por iu duhet edhe pensioni edhe e drejta e shëndetit të punonjësve të vet, ua marrin dhe ato. U japin para plus në të zezë, i thonë “34 mijë po ta shkruaj këtu, do marrësh dhe 34 mijë të tjera, por do t’i marrësh në të zezë’, dhe pensionin tënd do ta marr unë, nuk ka pse e merr shteti.

Kështu, babai yt sot dhe të gjithë baballarët e nënat, jo të ndërtuesve, por të njerëzve të zakonshëm që presin t’u rriten pensionet më shumë, nuk  do t’iu rriten pensionet sepse do ta marrim ne këtë, ndërtuesit. Solla ndërtuesit po kështu janë të gjithë situatat.

Ne e dimë shumë mirë, nuk ka pagë minimale në hotelet e Shqipërisë, nuk ka, dihet botërisht. Nuk ka shans të gjesh një njeri këtu që të pastrojë për 34 mijë lekë, por edhe aty, në hotelerinë shqiptare, sidomos në atë të bregut që është ajo që ka më shumë të ardhura, po ta shikoni, pagat minimale janë masive. Pse?

Sepse do t’u marrin edhe pensionin, do u marrin dhe të drejtën e shëndetit. Nuk ua marrin thjesht punonjësve; pensionin ua marrin sot atyre që duan një pension më të lartë sepse që të rrisim pensionet duhet të kemi më shumë kontribute nga sigurimet shoqërore.

Nuk ka një tjetër mënyrë. Kështu që, për këtë arsye, luftën kundër informalitetit, se dëgjova Kryetarin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj, dëgjova dhe Kristianën që tha “Investitorët  janë të shqetësuar për informalitetin”; në fakt, investitorët e krijojnë informalitetin se nuk e krijon qeveria, kështu që ata nuk janë të shqetësuar për informalitetin, kanë shqetësime të tjera, sepse ne shqiptarët Kristianë, kemi një gjë, duam shumë ligjin përveçse për veten tonë. E kemi si traditë, nuk jemi gjermanë.

Shyqyr që nuk jemi gjermanë për gjëra të tjera se do kishim vdekur nga mërzitja.

Në këtë pikë është e domosdoshme që të bëjmë një hap përpara dhe luftën kundër informalitetit do ta vazhdojmë siç e kemi bërë, por gjithsesi jemi të vetëdijshëm që çuarja e taksidarëve nëpër dyer e të tjerë krijon një problem shumë të madh, ata pothuajse janë tërhequr të gjithë nga dyert tuaja sepse dhe kjo ka qenë një tjetër fitore e madhe e revolucionit digjital që tani kemi gjithë transaksionet që bëhen online dhe këtu kam të shkruar që në 2022 kemi 53726 biznese të reja të regjistruara në platformën e-Albania dhe 111062 biznese që kanë aplikuar për fiskalizimin, duke çuar në 100% fiskalizimin për biznesin e madh dhe 93% për të voglin, pra nuk kemi nevojë për të çuar taksidarë.

Ashtu sikundër, nuk më duket se rruga më e mirë është që të çojmë inspektorë nëpër hotele e t’i bien dyerve ka njeri apo nuk ka njeri sepse kjo sjell probleme, por ama kemi të drejtën që të gjitha bizneseve t’u vëmë ca pengesa dhe t’u themi “”Në qoftë se ju punonjësit nuk i trajtoni siç doni të trajtoheni nga ne, atëherë ju nuk mund të përfitoni nga taksat e shqiptarëve asnjë kokërr leku. Ju vetëm duhet të paguani taksa, por jo të përfitoni nga taksat, jo kontrata shërbimesh për shtetin”.

Jam i bindur që sidoqoftë këtu do ndahet shapi nga sheqeri edhe për mirë në njëfarë kuptimi sepse ka biznese sot, që i kanë pagat shumë më të larta sesa ç’thuhet dhe sesa ç’duket.

Këto kisha, faleminderit dhe do më lejoni t’iu lë mbrapa të vazhdoni me konferencën se unë do iki përpara të vazhdoj punën time.

Faleminderit!

Previous Durrësi, së shpejti me një investim madhor për rininë, një pol sportiv i nivelit ndërkombëtar