Zëdhënësi i Qeverisë Shqiptare dhe njëherazi drejtori i Përgjithshme i Agjencisë së Medias dhe Informimit Endri Fuga ka reaguar pas një postimi në twitter të organizatës “Reporterët pa Kufij” mbi lirinë e medias në Shqipëri.
Fuga thekson se në Shqipëri liria e shprehjes dhe liria e medias janë të garantuara vendosmërisht dhe nuk ka asnjë lloj presioni, në asnjë formë, nga kjo qeveri drejt ndonjë gazetari apo medias.
Sipas tij, ditët e vjetra të gazetave që digjeshin nga operativët e sigurimit, të llogarive bankare të televizioneve që bllokoheshin nga autoritetet tatimore, kur asetet e pronarëve të mediave shkatërroheshin nga individë të paidentifikuar apo reporterët qëlloheshin me armë nga policia gjatë protestave, i përkasin së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë me qeverinë Rama.
Fuga ka dhënë përgjigje edhe mbi rastin e gazetares Ambrozia Meta që u përmend sot nga “Reporterët pa Kufij” për incidentin me Kryeministrin Rama.
“Sa i përket rastit të përmendur, është më tepër çështje respekti për njëri-tjetrin. Kur dikush bën një pyetje, duhet ta lërë edhe tjetrin të përgjigjet. Ky është një rregull bazë”, shkruan Fuga.
Reagimi i Fugës në twitter:
Unë besoj se çdo reagim duhet të jetë proporcional dhe fatkeqësisht, jo vetëm ky tweet, por i gjithë raporti i publikuar javën e kaluar nuk reflekton realitetin faktik.
Për fat të mirë, në Shqipëri liria e shprehjes dhe liria e medias janë të garantuara vendosmërisht dhe nuk ka asnjë lloj presioni, në asnjë formë, nga kjo qeveri drejt ndonjë gazetari apo mediave.
Ditët e vjetra të gazetave që digjeshin nga agjentët e sigurimit, llogaritë bankare të televizioneve bllokoheshin nga autoritetet tatimore, asetet e pronarëve të mediave shkatërroheshin nga individë të paidentifikuar apo reporterë që qëlloheshin me armë nga policia gjatë protestave, i përkasin së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë me qeverinë Rama. A është çdo gjë perfekte? Sigurisht që jo! Por incidente të vogla verbale mes gazetarëve dhe politikanëve ndodhin jo vetëm në Shqipëri, por kudo, madje edhe në vende që renditen shumë më lart se ne, në të njëjtin raport të @RSF_inter, edhe pse askush nuk i përmend dhe as i konsideron. Sa i përket rastit të përmendur, është më tepër çështje respekti për njëri-tjetrin. Kur dikush bën një pyetje, duhet ta lërë edhe tjetrin të përgjigjet. Ky është një rregull bazë.