Future Hospitality Forum 2026, ministrja Ibrahimaj: Shqipëria synon 8,5 miliardë euro të ardhura nga turizmi deri në vitin 2030
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se Shqipëria synon që të ardhurat nga udhëtimet ndërkombëtare të arrijnë rreth 8,5 miliardë euro deri në vitin 2030, ndërsa faza e ardhshme e turizmit shqiptar duhet të fokusohet jo vetëm në rritjen e numrit të vizitorëve, por edhe në krijimin e më shumë vlere nga çdo vizitë dhe zgjatjen e sezonit turistik.
Në fjalën e saj në “Future Hospitality Forum 2026”, të zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, investitorëve, zhvilluesve dhe përfaqësuesve të markave ndërkombëtare të mikpritjes, ajo theksoi se kërkesa ndërkombëtare për Shqipërinë është tashmë e konsoliduar dhe se zhvillimi i mëtejshëm i sektorit po krijon hapësira të reja për investime.
“Vetëm tre vjet më parë, të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë ishin 2,8 miliardë euro. Në vetëm dy vjet, këto shifra u dyfishuan. Vitin e kaluar, arritëm në 5,7 miliardë euro dhe mirëpritëm 12,5 milionë turistë”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Mes viteve 2023 dhe 2025, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 23%, ndërsa të ardhurat nga turizmi me mbi 40%. Sipas ministres, kjo ecuri reflektohet edhe në peshën e sektorit në ekonomi, i cili mbështet rreth 294 mijë familje dhe kontribuon me rreth 28% të PBB-së, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Një tjetër drejtim i zhvillimit të sektorit është zgjatja e sezonit turistik përtej muajve të verës, një tendencë që ka nisur të reflektohet edhe në rritjen me pothuajse 80% të netëqëndrimeve jashtë pikut të sezonit mes viteve 2023 dhe 2025. Sipas ministres Ibrahimaj, kjo sjell shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve hoteliere dhe të infrastrukturës, si dhe më shumë qëndrueshmëri në punësim dhe në kthimin nga investimet.