Garanci sovrane për importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës. - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Garanci sovrane për importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës.

Qeveria shqiptare do të miratojë së shpejti një garanci sovrane, e cila do t’i vijë në ndihmë veprimtarisë së importuesve dhe furnizuesve të produkteve bazë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një bashkëbisedim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me produktet e shportës, në kushtet kur lufta në Ukrainë ka prekur zinxhirin e marrëdhënieve tregtare në Europë e në botë.

Kryeministri Rama bëri të ditur se qeveria do të vijë në ndihmë përmes garancisë sovrane, me qëllimin që të gjithë ata që janë përfshirë në zinxhirin e furnizimit me lëndët bazë dhe ushqimet bazë, të kenë mundësi të investojnë dhe shpenzojnë sot më shumë se zakonisht, për të pasur një rezervë ekstra, përtej rezervës normale për çdo rast.

“Ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju, që ju ta merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit çdo kredi, për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht, për ta pasur aty për çdo rast në afat të gjatë, sepse sot për sot të gjithë depot janë plot, me mirëkuptimin e shkruar jo me fjale, që çdo gjë që do mbetet do e marrë shteti.” – u shpreh Kryeministri.

Në kushtet kur çmimet e produkteve kanë pësuar rritje si pasojë e luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe hidrokarbureve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e gjendjes së produkteve në treg.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar një instrument Garancie Sovrane, i cili do të mund të përdoret nga importuesit dhe nga përpunuesit e këtyre produkteve bazë, me qëllim marrjen e kredisë për kapital qarkullues, e cila do të jetë e siguruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Kjo pasi, rritja e çmimeve ju prek juve dhe disponueshmëria e parave për të mbajtur rezerva, për të garantuar ofrimin e produkteve për gjithë popullatën, do t’ju vendoste në vështirësi”, u shpreh Ibrahimaj.

Një tjetër element i rëndësishëm në këtë situatë, theksoi Ibrahimaj, është transparenca mbi çmimet e produkteve në treg dhe mungesa e abuzimeve.

“Ne kemi krijuar Bordin, i cili po funksionon dhe ka dhënë efekt në reduktimin e pjesshëm të çmimeve të disa produkteve bazë dhe po bashkëpunojmë për ofrimin. Nëpërmjet bashkëpunimit që kemi krijuar, si me pakicën, ashtu edhe me shumicën, ne do t’ju ofrojmë të gjithë konsumatorëve ato produkte për të cilat kanë nevojë dhe nuk do të lejojmë që në këtë moment të ketë spekulime mbi çmimet, nëse do të ketë rritje. Çmimi i konsumatorit të reflektojë atë çmim që realisht faturohet dhe jo një çmim që pritet në të ardhmen”, u shpreh Ministrja.

Gjatë takimit, u diskutua ndër të tjera ecuria e masave të ndërmarra deri tani nga qeveria, si pjesë e Paketës së Rezistencës Sociale.

Previous Projektligji për marrëveshjen me Jones Group

Leave Your Comment