Garancia Sovrane nxit kreditimin: 3 miliardë lekë për bujqësinë dhe bizneset e vogla

Në Ministrinë e Financave u zhvillua një takim institucional me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe përfaqësuesve të sektorit bankar, ku u diskutua ecuria e Skemës së Garancisë Sovrane dhe Programit të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm. Fokusi i diskutimeve ishte progresi i deritanishëm, sfidat në zbatim dhe masat për rritjen e efektivitetit në mbështetje të ekonomisë reale.

Skema e Garancisë Sovrane, e vlefshme deri në fund të vitit 2026, vë në dispozicion një fond prej 3 miliardë lekësh, me mbulim garancie deri në 70% të kredisë, normë interesi lehtësuese prej 2% dhe deri në 12 muaj periudhë shtyrjeje të pagesave. Në dispozicion të biznesit mbetet edhe linja e kredisë e Bankës së Shqipërisë në vlerën 250 milionë euro.

Ministri Malaj theksoi se bujqësia mbetet prioritet strategjik, veçanërisht në funksion të integrimit në tregun e përbashkët evropian, duke kërkuar rritje të produktivitetit dhe të vlerës së shtuar në zinxhirin prodhues. Sipas tij, skema shërben si instrument për përshpejtimin e investimeve në sektor, ndërsa mbështetja do të vijojë edhe përmes skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale dhe rifillimit të IPARD III.

Ministri Salla bëri të ditur se muajt e fundit është shënuar rritje e interesit dhe e aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agropërpunuese, çka sipas tij reflekton si nevojën për financim, ashtu edhe besimin në potencialin zhvillimor të sektorit. Garancia Sovrane synon të lehtësojë kreditimin, të forcojë kapitalin qarkullues dhe të nxisë investimet në sektorët prioritarë, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Guvernatori Sejko e cilësoi Garancinë Sovrane si një instrument që përmirëson transmetimin e kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur standardet e menaxhimit të rrezikut dhe stabilitetin financiar. Ai nënvizoi nevojën për koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve dhe bankave për të rritur përthithjen dhe efektivitetin e skemës.

Palët riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me synim rritjen e kreditimit, nxitjen e investimeve dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik, me fokus të veçantë bujqësinë dhe bizneset e vogla.