Gjergjan, Elbasan në dialog të hapur me njerëzit e tokës për të bashkuar mendjet dhe energjitë në përballimin e sfidave të kohës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Gjergjan, Elbasan në dialog të hapur me njerëzit e tokës për të bashkuar mendjet dhe energjitë në përballimin e sfidave të kohës

Fermerët e zonave bujqësore të Elbasanit ishin bashkëbiseduesit e radhës, në turin e Kryeministrit Rama në bashkitë e vendit, në një dialog të hapur për bujqësinë, e cila në vitin 2022 është mbështetur me nivelin më të lartë të fondit përgjatë këtyre 30 viteve, dhe falë kësaj mbështetje dhe punës së palodhur të njerëzve të tokës, në këtë zonë është trefishuar sipërfaqja e mbjellë në sera, duke rritur prodhimin për eksport, në tregje të reja të pa eksploruara më parë.

* * *

Mirë se ju gjeta dhe faleminderit shumë për këtë mikpritje!

Më vjen shumë mirë që jemi këtu së bashku, në një moment jo të lehtë për hir të së vërtetës, të vështirë, kur gjithçka është vënë nën presionin e luftës në Ukrainë e cila këtu s’ka ardhur largqoftë me bomba mbi kokat tona, por ka sjellë inflacionin dhe inflacioni është një mostër që edhe pse s’duket fizikisht, ndjehet sa herë fusim dorën në xhep për të blerë diçka, sepse në çdo blerje të ushqimeve, të produkteve jetësore na kërkon pjesën.

Megjithatë, nga ana tjetër është kënaqësi sepse këtu në Elbasan, në fakt ashtu si në të gjithë Shqipërinë për hir të vërtetës, në Elbasan ka një rrugë të re të zhvillimit bujqësor. Përpara se të vinim këtu vizituam një realitet të ri fantastik, domethënës, shembullor dhe një model për t’u ndjekur nga të gjithë.

Nuk është i vetmi model në Shqipëri, por nëse duam vërtetë të bëjmë një diferencë të madhe në jetën tonë të përbashkët, por edhe në jetën familjare në fermë, është e vetmja rrugë, bashkimi. Federata e ullirit me 130 e disa anëtarë gra, burra si ju, mbase dhe këtu mund të ketë një ndër ta, është aty për t’u parë dhe për t’u marrë shembull. Përpara se ta krijonin ata që e kanë themeluar, kanë vajtur në zonën poshtë në Xarë, Konispol dhe kanë parë se si funksion bashkëpunimi, kooperativa.

Quajeni kooperativë, quajeni shoqatë, quajeni ça të doni, për mua kot i bini gjatë. Për mua vërini kooperativë dhe ajo është me një logjikë shumë të thjeshtë. Secili fut të vetat dhe secili merr pjesën që i takon, por ama duke qenë bashkë bëhet një racionalizimin i kostove dhe mbi të gjitha garantohet sasia e prodhimit, cilësia e prodhimit dhe garantohet dhe ajo mbrojtja e domosdoshme në treguan e konkurrencës së lirë në këtë sektor, si në çdo sektor sepse delen e vetmuar e ha ujku, thotë populli dhe nuk mundet dot që me një ngastër ti të shkosh larg. Ama nëse ngastrën tënde e bashkon më ngastrat e të tjerëve, atëherë ndryshon komplet loja. Dhe ajo federatë e ullirit këtu është rruga për të bërë një tjetër hap të madh, të gjithë përpara së bashku, në kuptimin ai model.

E kemi thënë në mënyrë të përsëritur, ne kemi nevojë të rrisim sipërfaqen e tokës ku forcat bashkohen dhe pavarësisht se kemi një tokë të fragmentuar nga shumë pronësi, nëse ne bashkojmë duart, mendjet dhe energjitë, s’ka rëndësi fare, e shfrytëzojmë të gjithën bashkërisht dhe secili merr pjesën e vet. Ndryshe nga ajo kooperativa e dikurshme kur të gjithë punonin së bashku, të gjithë merrnin njësoj dhe merrnin shumë pak. Ndërkohë që nuk është vetëm federata, nuk është vetëm ky aspekt, por janë edhe aspekte të tjera të rëndësishme.

Bujqësia sot, pavarësisht krizës që është një krizë e madhe europiane, botërore dhe pavarësisht vështirësive, rritjes së çmimeve, të kostove, është në ditën e saj më të mirë krahasuar me nga ku jemi nisur për sa i përket prodhimit, për sa i përket eksportit. E ja u them të gjithëve, nuk ishte përpara 50 vjetësh, ishte përpara 6-7 vjetësh që kur vije këtu, ose kudo që të shkoje, por kur vije këtu, të gjitha rrugët ishin të mbushura me njerëz, me siguri plot nga ju e kanë kaluar këtë eksperiencë, që dilnin te rruga për të shitur ça kishin prodhuar. Mbushur me tenda fieri, me ato tezgat e drurit sepse nuk kishin asnjë infrastrukturë grumbullimi, asnjë mundësi tjetër përveçse çfarë mbillnin tek toka, ta fusnin në trastë e ta shisnin te rruga. Nuk ka më asgjë nga ato. Pse janë zhdukur ato? Sepse ka filluar një faze e re, ku me gjithë sistemin e pikave të grumbullit që ne e kemi ndërtuar duke mbështetur ju, i është dhënë një dorë e madhe fermerëve.

Sigurisht që tani kemi nevojë për tregje cilësore dhe me çmime te arsyeshme dhe për këtë po punojmë më programin e ri. Në bazë të këtij programi, e tha ministrja, janë 5 tregje të para që do të ndërtohen dhe që nuk do të jenë tregje që varen nga privatë që do të vendosin çmime marramendëse, por do jenë tregje që do të jenë në dispozicion të fermerëve. Këtu vijmë tek roli i bashkisë. Bashkia ka një rol themelor të cilin e luan sot, nuk flas për bashkinë e Elbasanit, flas për pushtetin vendor, e luan sot 5% deri në 10 %.

Duhet ta rrisë shumë edhe shpejtësinë, edhe vëmendjen, edhe këmbënguljen për tu bërë partneri kryesor i juaj. Që do të thotë për çfarë keni nevojë? Keni nevojë për një pikë grumbullimi? Nuk keni mundësi? Nuk do të rrini të prisni dhe nuk do të rrimë të presim që të vijë një sipërmarrës që të vijë ta bëjë. Do të krijojmë një sipërmarrje dhe këto modele i kemi filluar pak nga pak t’i krijojmë. Do të krijomë një sipërmarrje ku bashkia do të jetë pjesë, ku kush të dojë do të futet dhe ku pastaj bashkërisht do të  aplikohet për të marrë mbështetje nga fondet europiane, nga fondet e qeverisë, nga kredia e bazuar nga garancia sovrane dhe kostoja për ju që do të jeni pjesë, do të jete minimale dhe fitimi do të jetë i madh ndërkohë që gjithë barrën kryesore patjetër që do ta mbajë bashkia, patjetër që do ta mbajë qeveria. Do ta mbajnë fondet e mbështetjes.

Kemi pasur një problem dhe kemi një problem me çmimin e naftës dhe sot mbështetjes për t’ju dhënë naftë pa taksa fermerëve është rritur shumëfish, pikërisht sepse ne kemi ndjekur një politikë që në këtë situatë, kur këtë inflacion lufte e solli Vladimir Putin, nuk e solli Partia Socialiste, duhet të shikojmë në radhë të parë se ku është goditja më e forte. Se nuk mundet dot ta shmangim gjithë impaktin, por ama duhet ta shmangim sa më shumë pjesë të tij dhe goditja më e fortë është tek fatura e energjisë, gjë që askush nuk e ndjen sot sepse aty ne kemi vendosur një mburojë financiare dhe fatura e energjisë në shtëpitë tuaja vjen siç vinte përpara luftës.

Ndërkohë që ndryshe nga atëherë, pjesën tjetër e paguajmë ne, e paguan shteti dhe tek faturat tuaja, po t’i shikoni, keni një fashë të kuqe që ju është thënë sa është në fakt kostoja reale e konsumit tuaj. Ju është dhënë një shifër për ta shumëzuar, herë 42 në një nga faturat që pashë; pra herë 42 lekë për kilovat që është një çmenduri dhe do ishte e paimagjinueshme që ne ta linim të vinte drejt jush sepse do ta bënte të pamundur jetën e një shumice të madhe.

Pastaj, kemi parë me naftën. Ku është goditja më e madhe? Goditja më e madhe është tek ata që lëvizin me autobus. Nuk është prekur çmimi i biletës të autobusit. Pse? Sepse të gjithë pjesën e rritur e paguan përsëri shteti për tu dhënë mundësi të gjithë atyre që lëvizin me autobus që të mos goditen. Është tek fermerët dhe tek peshkatarët. Për të dyja këto kategori përsëri kemi ndërhyrë dhe janë sot në fermë, ekzaktësisht sa fermerë që kanë marrë, kanë përfituar nga skema e naftës? 34 200. Ndërkohë që kur ne nisëm të thonim “Merrni NIPT-in, merrni NIPT-in”, dhe kur ca të tjerë, ata të rubla çorbës ju thoshin “Mos e merrni NIPT-in se këta duan t’iu vënë taksa” kishim më pak se 10mijë fermerë me NIPT. Sot kemi 82 mijë. Thuajse gjysmën e tyre i kemi mbështetur me skemën e naftës.

Tani po bëjmë një hap tjetër për të parë sesi do vazhdojmë ta mbështesim fermerin për naftën, por njëkohësisht do të verifikojmë, pa i humbur kohë dhe pa i marrë absolutisht asgjë që i takon sesi kjo përkthehet në prodhim, për të mos lejuar abuzime, marrje të naftës me demek si fermer dhe pastaj për ta përdorur për gjëra të tjera.

Jo vetëm kaq, ne kemi vendosur në dispozicion të kësaj mburoje financiare edhe një shumë të konsiderueshme për të gjithë ata të cilët janë më të prekurit; për pensionistët kemi ri indeksuar 2 herë pensionin, hera e parë që ndodh kështu që kemi bërë një rritje rreth 10%. Do të japim edhe një bonus të rëndësishëm për situatën që jemi në fund të vitit, pra në dhjetor madje do e japim pak më përpara, në fillim të dhjetorit do fillojmë, në mënyrë që të lehtësojmë peshën. Peshën e inflacionit së luftës asnjë shtet nuk e heq dot por ama lehtësimin kemi detyrë ta bëjmë me të gjitha ato që mundemi.

Po kështu, kemi kaluar nga dyfishimi i ndihmës ekonomike për nënat me tre fëmijë, në dyfishimin edhe për ato me dy fëmijë. Po ashtu dhe dyfishimin për të gjithë pensionistët dhe atyre që janë mbi 65 vjeç që janë me ndihmë ekonomike, sikundër edhe me rritjet e tjera të pagave në mënyrë horizontale për të gjithë.

Ndërkohë që pagat, më shumë sesa të gjithëve në këtë periudhë kaq të vështirë, e dini kujt i janë rritur? Pedagogëve të universitetit. 7% ia ka rritur qeveria dhe 8% nga autonomia vendore bëjnë 15%. Nuk ka pasur rritje 15% me gjithë dëshirën e madhe dhe megjithëse nuk është dhe kjo ndonjë rritje e madhe, absolutisht, por është rritje domethënëse në këtë kohë që nuk është kohë normale, por është një kohë lufte, asnjë kategori tjetër, qysh kur ka filluar lufta.

Një pjesë, që nuk janë shumica, po torolisin gjithë televizionet duke u përpjekur të çartallosin të gjitha mendjet e hutuara, ca nga stresi e ca nga hallet e tjera se medemek po shpërthen një tenxhere e madhe me presion. Është për të ardhur keq realisht, ndërkohë që pjesa më e madhe dërrmuese e pedagogëve janë në krye të detyrës, siç u takon dhe edhe ata kanë, nuk diskutohet, barrën e tyre të këtij halli të madh, por ky hall i madh që ka rënë mbi botën dhe ne jemi pjesë e botës, mbi Europën dhe ne jemi pjesë e Europës, mbi Shqipërinë, mbi Elbasanin, mbi Gjergjanin dhe deri tek shtëpia e fundit, është një hall që vjen jashtë vullnetit tonë, siç erdhi jashtë vullnetit tonë tërmeti, siç erdhi jashtë vullnetit tonë pandemia. Ne i përballuam dhe duhet ta përballojmë patjetër edhe këtë; duhet ta përballojmë dhe do ta përballojmë dhe faktet thonë se po e përballojmë.

Kemi përgatitur buxhetin e vitit të ardhshëm. Për të gjithë ata që thonë që kanë shkuar gjërat keq, në fakt, gjërat duhet të jenë shumë më mirë, por nëse krahasohemi, në 2013 ne kemi pasur, kur kemi bërë buxhetin e parë për 2014, një buxhet sa gjysma e buxhetit që po bëjmë për 2023. Pra, e kemi dyfishuar buxhetin. Pse e kemi dyfishuar buxhetin? Sepse është rritur ekonomia se nëse nuk do rritej ekonomia, nga do vinin të ardhurat?

Natyrisht që synimi ynë është që të bëjmë shumë më tepër dhe me këtë nuk po them sa mirë jemi, por përkundrazi, ja se çfarë mund të bëjmë dhe ja arsyet pse mundemi dhe do bëjmë shumë më tepër.

Patjetër që në këtë përpjekje, nëse krahasohemi me dje dhe me ata të së djeshmes që sot nuk lënë gur pa luajtur, imagjinoni, kanë që dje që akuzojnë Policinë e Shtetit se kanë vrarë një djalë të ri, ndërkohë që në mënyrën më korrekte, më serioze, më dinjitoze, Policia e Shtetit ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi, është ngarkuar Agjencia përkatëse që bën gjithë investigimin, është mjekësia ligjore që bën punën e vet, nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, pra që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq dhe gjithsesi, të gjithë presim përfundimin: autopsia, raporti i mjekësisë ligjore e me radhë.

Po si është e mundur, po çfarë lloj qeniesh janë këta që iu dalin njerëzve si gogolë nëpër ekranet e televizorëve, nëpër ato ekrane që ju e shikoni, megjithëse flasin për një regjim që kontrollon gjithçka, praktikisht ne nuk kontrollojmë asgjë sepse ato ekrane janë ekrane në një barrikadë kundër qeverisë për arsye të pronarëve të tyre, por kjo është temë tjetër dhe “e vrau policia, e vrau policia”, pse? Sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve, me atë tmerrin e madh që ishte në atë rast një tmerr i vërtetë të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan t’i nxjerrin njerëzit rrugëve.

Ashtu sikundër, pasi në mëngjes dalin “e vrau, e vrau policia” del pasdite një deputet atje dhe tregon sesi regjimi po i prish biznesin. Nuk e di nëse e patë një. “Më kanë ardhur”. E vërteta është komplet tjetër dhe kanë dhe një pafytyrësi monumentale. Policia nuk ka vajtur tek biznesi i deputetit.  Policia ka vajtur në mbështetje të IKMT në vazhdën e operacioni për të bllokuar dhe për të sekuestruar dhe konfiskuar të gjitha metrat katrorë të ndërtuar pa leje me qëllim fitimi nga ata “oligarkët” që na i faturojnë ne, por në fakt janë këta që janë mësuar të ushqehen prej tyre, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja, investitorja nuk e di, thoshte vazhdimisht: e kam hotel, e kam hotel dhe brenda na gjendet një biznes i një deputeti, një ballist foltoreje, se e them ballisti se është për të qeshur se këta që në kohën e Shefqet Musarait dhe atyre epopeve dalin të fshehur nëpër kotece. Doli brenda me biznes, në një ndërtim pa leje, në një ndërtim të jashtëligjshëm. Dakord, ka hyrë atje. Këta se kanë problem të shkelin rregulla, ligje sidomos me ndërtimet kanë një raport shumë patologjik se i duan pa leje. Po si ka mundësi del në parlament kap foltoren dhe fillon: “Policia, regjimi, Edi Rama”, e ku di unë, merr emra nëpër goja. “Duan të më mbyllin gojën”, po çfarë t’ia mbyllim gojën atij ne? Ai sa herë flet, ne na jep pikë, si t’i mbyllim gojën atij ne? Ti mbyllesh gojën dikujt që të jep pikë kur flet? Për çfarë t’ia mbyllim gojën? “Duan të më mbyllin gojën”, bën dhe viktimën e fjalës së lirë. Pavarësisht nga fakti që ne po japim një goditje përfundimtare atyre që janë mësuar që të hapen jashtë lejeve për qëllime fitimi, pra më të pasurve, janë po këta që çojnë në Gjykatë Kushtuese ankesë. Po ç’punë ka një parti politike të ankohet pse shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Ç’punë ka një parti politike, ç’punë ka një parti politike në gjykatë? Shumë e thjeshtë, sepse janë bashkë, ndryshe nga çfarë thonë.

Flisnin për Kosovën e më bëjnë mua bashkëpunëtor të serbit por kur vjen puna për ta mbrojtur Kosovën aty ku duhet mbrojtur, bëhen me rusin. Si shpjegohet që deputetë rus dhe deputetë të Partisë Demokratike votojnë bashkë ndërkohë që ja ku është, se qëllon që është këtu deputeti i PS, bashkë me Shyqyri Idrizin nuk votojnë, e refuzojnë atë votë. Flasin për oligarkët, shkojnë ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese që të mbrojnë oligarkët.

Dalin dhe thonë, “Ç’është ky tatim i jashtëzakonshëm i etërve, i baballarëve”. Si i etërve, i baballarëve? E para e punës njëherë, janë tre prodhues të mëdhenj energjie në Shqipëri dhe këtu nuk flasim për prodhuesit e vegjël, flasim për tre prodhues të mëdhenj të cilët marrin fitime marramendëse. Jo se kanë bërë ndonjë investim plus, por sepse iu ka ardhur nga fati. Fatkeqësia e të tjerëve ka qenë fati i tyre dhe energjia është shtrenjtuar maksimalisht, në stratosferë, ata e shesin dhe fitojnë shumëfish. Ajo që do bëjmë ne, do t’i vëmë një taksë të jashtëzakonshme, taksen e fatit. Të erdhi fati? Po. Ti mbaj fitimin tënd, pjesë tjetër do na i japësh ne sepse me atë pjesë do vazhdojmë ne ti mbështesim edhe pensionistët, edhe ata që janë më shumë në nevojë. Çfarë ka këtu për çudi? Dhe e bukura është që këtë nuk e kemi shpikur ne. Këtë e keni të shkruar në direktivën e BE në këtë kohë lufte dhe janë vende njëra pas tjetrës që po e vendosin. Ne jemi në dialog me ato kompani, ua u kemi bërë të qartë që këtu nuk vazhdon kjo punë kështu, që ata duhet të paguajnë. Dalin këta, por nuk kanë faj sepse falsin këta për ne, por e dini që këta, ai non grata i kanë falur hidrocentrale për një copë bukë  prodhuesve të mëdhenj, hidrocentrale! Jo një, 4 hidrocentrale! Merri! Dhe ne na diskutojnë këta ul e ngri, inceneratorët, inceneratorët. Po pse do ta linim Elbasanin ashtu siç ishte? Kush ka bërë dëm të shkoje në punë të vetë, por ama vepra është aty dhe është sot pronë e bashkisë së Elbasanit dhe garanton atë që Elbasani e kërkoi me dekada. Kjo është situata e përgjithshme, miqtë e mi.

Ne jemi këtu për të thënë që e dimë shumë mirë sesa shumë nevojë ka sot që të jemi bashkë dhe të jemi bashkë realisht, secili duke bërë pjesën e vet, ne do bëjmë pjesën tonë deri në fund. Do bëjmë deri në fund gjithçka që mundemi, ashtu siç bëmë dhe në fund të shtatorit kur nuk e vumë atë fashën 800 kËh, pavarësisht e ajo nuk prek pjesën më të madhe, pikërisht sepse pamë një mundësi. Pati reshje, jo aq sa duhet por pati. Kanë filluar njerëzit të kursejnë energjinë dhe u krijua mundësia dhe thamë: Jo, do ta shtyjmë për në nëntor. Tani jemi duke parë çdo ditë të dy këto komponentë, sa kemi në hidrocentrale ujë, sa kursim ka se duhet kursyer energjia. Duhet kursyer që ta kemi. Ky është fakti. Dhe që të kemi çdo mundësi, sado të vogël që menjëherë ta kalojmë te njerëzit, që menjëherë të lehtësojmë dikë. Nuk më zë gjumi për ata që janë më në vështirësi dhe bëjmë çmos çdo ditë, nuk jemi makineri të përsosura, por bëjmë çmos çdo ditë si do ta lehtësojmë këtë situatë, që është një situate e përgjithshme botërore. Megjithatë për t’ju lënë dhe ju kohë, po e mbyll këtu. Falimentit dhe një herë se më rrëmbeu fjalimi duke ju parë që po më ndiqni me vëmendje.

Ju falënderoj shumë dhe nëse keni pyetje, shqetësime, me shumë kënaqësi!

 

(nga bashkëbisedimi)

 

-Shumë të rinj merrnin rrugën për emigrim. Sot, jo që nuk po ikin më por është dy-tre fishuar sipërfaqja me sera dhe nxjerr një prodhim shumë cilësor, bio. E kjo është falë punës suaj se kemi tre vite që po i shohim frutet. Kam një kërkesë, me qenë se është dhe ministrja e Bujqësisë këtu, do të doja që të shikonit çmimin e plehrave e pesticideve se duke u ulur çmimi, do shumëfishohet prodhimi dhe një cilësi më e mirë. Dhe e dyta për pikat frigoriferike që të menaxhohen nga bashkia, nga shteti që punonjësit të kenë akoma më shumë shpresa.

Kryeministri Edi Rama: Ju falenderoj shumë. Dua t’ju them së pari për pikën frigoriferike se më dole në shteg. Ja ku është. E keni njësh, edhe më të mirë se lali Eri thua ti, s’ka problem po unë s’jam i kënaqur as me njëshin tuaj, as me njëshin tim atje. Pse? Sepse më ka rënë goja me këta. Jeni kryetar bashkie të qytetit dhe fshatit. Fshatit nuk mjafton më që bashkia t’i japi rrugë, kanalizime, ujësjellës, po duhet të futet edhe matanë rrugës. Matanë rrugës është ajo toka që punohet edhe të thotë: pikë frigoriferike, po. Sa veta jeni ju që doni të përfitoni? 10, 15, 20, 30. Sa të tjerë mund të vijnë këtu? 300. Shumë mirë! Me ju të 30-të hajde ulemi bëjmë një kompani, një sipërmarrje. Bashkia dhe ju të 30-të. Sa lekë do fusni ju? 1 lek sa për të thënë e futa unë. 100 mijë lekë të vjetra. Sa do fusë bashkia? 20 lekë. Sa duhen? Duhen edhe 70 lekë të tjera. Ku do i gjejmë? Do ulemi. Do bëjmë projektin dhe do t’i shkojmë ministres së Bujqësisë dhe ministrja do thotë aplikoni për mbështetje nga skemat kombëtare që i ka AZHBR. Përmes AZHBR-së nga fondet europiane dhe me mbështetjen e qeverisë, nga garancia sovrane për të marrë një kredi që e ka garantuar qeveria. E kështu kjo kompania ku bashkia vendos një administrator që është i zgjedhur bashkërisht me ju, ku ju jeni pronarë, aksionerë maxhorance, vazhdon punën dhe bëni pikën frigoriferike.

Po the duam të bëjmë një pikë frigoriferike, pyetja e parë është kush do e bëjë? Sepse qeveria s’bën pika frigoriferike. Qeveria financon në rastin kur jeni ju ose do vijë ta bëjë një sipërmarrës, një biznesmen i madh. Tani do rrimë të presim do vijë a s’do vijë biznesmeni? Edhe po erdhi biznesmeni, ajo është me më shumë kosto për ju. Kurse kështu jeni ju që bëni dhe këtë biznes dhe kjo nuk është shkencë.

Ata e kanë bërë federatën e ullirit. Çfarë kanë bëra ata aty brenda nuk është me lekët e tyre, është me financim nga donatorët sepse donatorët kanë parë, këta 130 fshatarë të kësaj zone, me 1-2 udhëheqës duan të bëjnë një gjë të bukur, një gjë që rrit mirëqenien e tyre, që i shërben ekonomisë. Urdhëro paratë, dhe jo kredi. Para në dorë. Tani ne i kemi këto mundësi dhe prandaj s’jam i kënaqur me këta njishat, është që hajde ta bëjmë pikën frigoriferike. Ti thua kemi bërë një mrekulli! Çfarë mrekullie keni bërë?! Rrugë është. Ishte tmerr, u bë rruga, po tani rruga u bë. Puna është të bëjmë shumë e më shumë. Ju faleminderit se qejfi na bëhet, po kam hall se këta njishat i rren mendja se kur i thoni ju mrekulli, thonë “a, unë jam ai që bëj mrekulli”. Rrugën pra ke bërë!

Duhet të shkojmë shumë më shpejt, shumë më përpara e për këtë arsye, me këto mundësi që kemi, mjafton që të krijojmë modelet. Ja ku jeni, unë ju jap fjalën, ju mblidhuni sa jeni, kush jeni. Mos u zini me njëri-tjetrin se s’keni çfarë të ndani njëherë si fillim. Se shqiptarët zihen edhe pa e pasur dhe nuk e bëjnë. I keni parë ata që zihen, jo kaq jo aq dhe vdesin, largqoftë po vdesin, pa e parë zhvillimin e pronës. Zihuni kur të ketë çfarë të ndahet. Si fillim mblidhuni, merrni miletin, të vijë juristi, vjen Damiani ju ndihmon se dhe ky jurist është, uluni bëni një statut të vogël të një shoqërie me bashkinë pjesëmarrëse që të jetë dhe garanci dhe mbështetje dhe bëni projektin e do ta mbështesim direkt e bëjmë pikën frigoriferike.

Tjetra që është e rëndësishme, e di këtë pjesë po çështja e çmimeve është një çështje botërore dhe po ta shikoni çmimet kudo bëjnë të njëjtën gjë. Nuk ka një mekanizëm për ta zhbërë. Se më thonë “i ke çuar shumë çmimet o Edo”, po çfarë çmimesh kam çuar unë! Ne po bëjmë çmos që të japim mbështetje që ato çmime të përballohen pak më lehtë se janë shtrenjtuar gjërat. Të japim mbështetje për njerëzit kur shkojnë blejnë, mbështetje për naftën për ju, për peshkatarët, për ata që lëvizin me autobus dhe të rrisim kapacitetet.

Juve duke u fuqizuar më shumë, do t’i keni ato çmime shumë më të lehta për t’i paguar. Duhet të rrisim fuqinë duke bërë investime dhe investimet nuk duhet të jenë thjesht rrugët e kanale se këto i ka qeveria për t’i bërë dhe s’ka nevojë fare të diskutojmë. Po duke bërë investime më të thella. Matanë kanalit çfarë ka? Ka një serë, duhet të bëjmë dhe një tjetër. Atë serën tjetër si do e bëjmë? Kaq do i vësh ti, kaq ne. Do bëjmë pikën frigoriferike si do e bëjmë? Kaq ju, kaq ne. Kjo është rruga e re që është hapur dhe që po funksionon mjafton që të kemi besim se bashkë jemi më të fortë.

Në televizor nuk kupton fare se çfarë ndodh realisht. Si puna e asaj grevës së pedagogëve. 90% e pedagogëve në mësim. Këta të rublave, rrugëve. Ata s’janë të rublave vetë, po i kapën për hundësh ata të rublave rrugëve. Televizorët uuu këtu, uuu atje. E njëjta gjë me bujqësinë. Njerëzit që nuk e njohin fshatin fare siç më ka qëlluar mua ta njoh për arsye të detyrës. Siç e njihni ju shumë herë më mirë se jeni këtu, po që e shohin nga televizori ka marrë fund çdo gjë. “Fshatarët vdesin për bukë, vdesin rrugëve, lypin rrugëve”. Se kush ua bën ushqimet këtyre që kanë televizorë nuk kuptohet dhe nxjerrin në ekran vetëm një grup që hedh qepët në kanal, po hodhi mollët në kanal, që hedh qumështin në rrugë. “Ooo s’kemi ku e shesim, ikëm, mbaruam”. Po mirë, i njëjti shtet është në njërin krah të qarkut dhe në krahun tjetër. Po pse na ky krah i qarkut mollët këta zotërinjtë i hedhin në rrugë e këtij krahut tjetër të qarkut ca zotërinj të tjerë i shesin me çmime maksimale jashtë.

Pse? I njëjti shtet është , nuk është se këtë e ka nënës e këtë e ka të njerkës, por ky dhe këta që shesin me çmime maksimale, janë të informuar. E kanë dëgjuar, kur i kemi thënë këtë lloj molle mos vazhdo ta mbash se kjo lloj molle nuk shitet, janë këto lloj molle që do tregu dhe i kanë futur një të prerë atyre, i kanë shitur dhe ja ku janë sot. E njëjta gjë me qershitë. E njëjta gjë me produktet e tjera, pra nëse e shef realitetin këtu, këtu e kupton duke parë juve, dhe më erdhi shumë mirë nga ajo që tha Gledi, dhe pashë që ju miratuat me kokë, domethënë nuk ishte propagandë e Gledit, deri dje këtu shumica rrinte në kafe se s’kishte rrugë, s’kishte mundësi. Por jo vetëm kaq, po akoma s’kishin filluar të funksionin skemat e mbështetjes. Sot shumica është në punë dhe kjo është ajo që na duhet të kuptojmë, që duhet të shkojmë më tutje, duhet të futemi më thellë. Tregjet e reja, pikat e reja të grumbullimit, pikat frigoriferike, ke shumë të drejtë dhe të gjitha janë të mundshme, 100% të mundshme, dhe të gjitha i kemi ne në dorë, nuk i ka lufta.
Nuk i ka lufta, nuk i ka Putini, i kemi ne këto. Çfarë e ka lufta dhe çfarë i ka inflacioni s’e kemi ne në dorë, por këtë e kemi ne në dorë dhe këtë ta bëjmë dhe këtë ta nisim nga ju.
Dhe ky njëshi nesër, pasi të më përcjellë mua sonte, që në mëngjes duhet të vijë tek ty dhe tek ju , të ulet edhe të thotë, ‘’hajt tani ta fillojmë, si bëhet kjo punë?’’.
Dhe brenda 2-3 javësh të vijë në Tiranë e të thotë; ‘’ja ku është’’. Dhe nëse ndodh kështu, unë o ju them që në fund të vitit tjetër, ne jemi këtu për të inauguruar pikën frigoriferike, mendoj unë, po kjo varet nga ju, s’varet nga unë.Po, ma mori në fakt me të drejtë Frida mikrofonin më pas kur unë mbarova dhe tani po e rimarr për t’ju thënë që këtë që Frida tha, ju mbase e dini, por ata që na ndjekin mund të thonë: “Ça po thotë kjo e akademisë së barinjve”, se ata kujtojnë se barinjtë janë ca injorantë që s’kanë lidhje fare me fjalën ‘’akademi’’ , po shumë shpejt do t’i ftojmë të vijnë kur të prezantojmë akademinë e barinjve dhe për t’iu thënë që, jo shumë larg nga këtu është një pikë fantastike e bërë nga njëshi i Cërrikut. Ky është njish në zgjatje, i cili ka mbledhur fermerët dhe i ka thënë; ‘’Keni problem me plehrat”? atëherë një pjesë të kësaj barre ju mund ta përballoni vetë. Si mund ta përballoni? Këto mbetjet e shumta organike që ju keni nëpër ara, mblidhen, përpunohen dhe kthehen në pleh organik fantastik dhe funksionon, pra duhet të hyjmë më thellë në këto lloj iniciativash dhe edhe për këtë iniciativë, nëse ju do e bëni, ne do t’ju bëjmë edhe mrekullinë tjetër; rrugën që lidhet me Cërrikun, 3 km, do ta bëjmë dhe këtë. Kështu do shtojmë më tutje sipërfaqen e serave, por edhe për këtë tjetrën nëse ju bashkoheni e thoni, hajt ta bëjmë, se nuk do investojmë në një pikë përpunimi të mbetjeve organike nëse nuk jeni bashkë që t’i sillni atje, se për çfarë do ta investojmë? Ajo investohet në momentin kur ju të gjithë jeni pjesë e atij investimi, jo duke vënë lekë, por për të shprehur vullnetin dhe për të krijuar rrjetin që bën për atë punë. E kemi shembullin atje, tek njëshi i Cërrikut.

 

-Përshëndetje të gjithëve, përshëndetje zoti Kryeministër. Kam jetuar 20 vjet në emigrim dhe erdha në Shqipëri dhe kam investuar 3 dynum sera. Problemi im është këtu; kur arrita që bëra 3 dynym sera, shkova aplikova për energji, për kontratë  elektrike  edhe atje më kanë kaluar direkt në biznes dhe kjo punë do një farë zgjidhje, se në vendet e tjera ku kam jetuar unë, ndihmohet shumë bujqësia.

Kryeministri Edi Rama: Ki parasysh një gjë, dakord jam, ajo Greqia që përmend ti është ajo Greqia që ke lënë ti. Kur ke ardhur ti? Sa vjet ke? Po, deri para dy vjetësh ashtu ishte. Shko pak tani atje në Greqi dhe pyeti sa e kanë atë energjinë ndërkohë që çmimi këtu, ju trajtoheni si biznes i vogël. Apo jo?

Trajtoheni  si biznes i mbrojtur se nuk është ai çmimi. Ju keni 14 lekë kilovatin, çmimin shumëzojeni me 42. Domethënë shtoji sipër, që do të thotë që, jam dakord që është pak, por nuk është rritur në krahasim me ditën e parë. Që ditën e parë atë çmim ke paguar. Apo jo? Tani ke paguar atë çmim kur s’kishte luftë? Të kërkosh ulje çmimi tani që ka luftë kur të tjerët po i çojnë çmimet kacafiu është pak si shume e pamundur për ne. Ndërkohë që, unë të falënderoj shumë, edhe respekt për punën, por edhe që je treguar i mençur, që ke ardhur nga Greqia dhe sot fiton më shumë se ç’fitoje në Greqi. Ke serat e tua, nxjerr fitimet e tua, je zot, je shkop vetë, je dhe pronar dhe punëtor atje, punon për vete. Dhe unë ju them të gjithë atyre që janë në emigracion, ata që bëjnë punë të zakonshme, nuk flas për ata që merren me drogë, që janë një pakicë, pavarësisht se na lënë njollën të gjithëve, as për ata që mund të kenë ndonjë biznes atje, flas për ata që bëjnë një punë të zakonshme; kushdo që sot është në emigracion, që bën një punë të zakonshme atje dhe që këtu ka mundësi të kthehet dhe ta ketë një copë tokë nga gjyshi, një shtëpi të rrënuar jo këtu, se këtu është kryevepër, por edhe në fund fare, në pikën më të largët, të rrënuar ose që i ka 5 lekë kursim për të marrë ca toka me qira, duhet të vijë me vrap në Shqipëri. Duhet të vijë me vrap të investojë në fshat, të investojë, të bëjë një biznes të vogël në fshat, qoftë një agroturizëm, qoftë një serë, qoftë një fermë të vogël dhe do fitojë të paktën dyfishin e asaj që fiton atje, si punonjës i dikujt tjetër dhe do ketë shumë më pak shpenzime se ç’ka atje në raport me atë që merr. Kjo është pak por e sigurt kështu që faleminderit për shembullin tënd.

– Përshëndetje zoti kryeministër. Jam një fermer që kam aplikuar në vitin 2022 dhe më janë gjendur drejtoria e AZHBR, e falënderoj, bashkë me stafin e drejtorisë së Bujqësisë Elbasan që më janë përgjigjur. Për çdo problem mi kanë zgjidhur ndërkohë që unë isha në punë. Kam marrë këstin e parë, bashkë me tollonat e naftës dhe problemi ynë më kryesor, është se mallin që ne kemi këtu, nuk kemi pikë grumbullimi. E dërgojmë në Divjakë, rruga, nafta siç e thatë është shtrenjtuar. Edhe për 800KWH, unë i kaloj me kaq hektarë serra që kam .

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka lidhje me ty 800 kWh për serat, 800kWh është për shtëpitë. Për pikën e grumbullimit unë e thashë. Po pritët pikën e grumbullimit ta sjell unë me veturë këtu, nuk do vijë. Po pritëm që të vijë ndonjë sipërmarrës këtu, nuk i dihet vjen apo nuk vjen. Po qe se uleni ju që keni nevojë për pika grumbullimi me këtë njëshin këtu dhe bëni një kompani, një sipërmarrje, një shoqëri tuajën me aksione, një pjesë aksionesh minimale, një pjesë bashkia, bëni projektin, ne do ju mbështesim dhe këtu do keni pikën e grumbullimit.

Previous Ministrja Ibrahimaj: Projektbuxheti 2023 mbështet përballimin e krizës dhe konsolidimin fiskal