Gjermania riafirmon mbështetjen për Shqipërinë drejt BE: Wadephul dhe Spiropali theksojnë vijimin e reformave
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mirëpriti sot në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul, i cili po zhvillon një tur në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në konferencën e përbashkët për media, Wadephul vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizoi rëndësinë e vijimit të reformave në drejtësi, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se Procesi i Berlinit mbetet mekanizmi kryesor për nxitjen e reformave në rajon. Ai shtoi se Gjermania do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në mbështetjen politike dhe teknike të Shqipërisë.
Ministrja Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, duke e konsideruar atë një partner të pazëvendësueshëm në procesin e zgjerimit. Ajo theksoi se Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave dhe po pret raportin e piketave të ndërmjetme, ku përfshihen pavarësia e gjyqësorit, sundimi i ligjit dhe administrata meritokratike. Spiropali përsëriti se qeveria synon mbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade.
Vizita e ministrit gjerman në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria po përgatitet të avancojë në fazat e tjera të negociatave me Bashkimin Evropian, duke konfirmuar orientimin e saj të palëkundur drejt standardeve dhe vlerave evropiane.