GLOBSEC 2023, Bratislavë/ Kryeministri Rama merr pjesë në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

GLOBSEC 2023, Bratislavë/ Kryeministri Rama merr pjesë në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business”

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në punimet e GLOBSEC 2023, konferencë strategjike ndërkombëtare, e mbledhur në Bratislavë, me pjesëmarrjen e më shumë se 65 vendeve, kryetarë shtetesh dhe  qeverish, si dhe  aktorë të nivelit të lartë nga fusha të ndryshme, të cilët bëhen bashkë për të gjeneruar ide dhe zgjidhje të reja për kapërcimin e  sfidave të shumta, me të cilat përballet bota. Temat e edicionit të 18 të këtij forumi janë: Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, Qëndrueshmëria e Evropës përballë luftës, Zbutja e pasojave globale të konfliktit (zinxhirët ekonomikë, energjitikë, vlera) – në një dialog global.

Kryeministri Rama ishte ftuar në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business”, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, panel i moderuar nga gazetari i Euronews Sergio Cantone,:

 

* * *

Sergio Cantone: Mirëmëngjesi të gjithëve! Ne jemi gati të fillojmë këtë seancë tejet me vlerë, këtë panel, i cili ka të bëjë sërish  me pjesën e fundit të fjalës së Presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyn sepse do të kemi ne skenë Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë dhe Dimitar Kovacevskin, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Të dy ata janë aktorë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Siç dëgjuat më parë, Ursula Von der Leyn bëri një njoftim vërtetë të rëndësishëm, lidhur me zgjerimin dhe siç e dini këto  vende janë pararojë për t’u anëtarësuar në BE dhe kanë diskutuar për një kohë të gjatë anëtarësimin në BE pavarësisht le të themi, problemet politike, jo vetëm në rajon, por edhe brenda BE lidhur me zgjerimin.

Do të doja që ta nisja duke pyetur kryeministrin Edi Rama lidhur me atë çfarë Ursula Von der leyen sapo tha, dhënia e disa përfitimeve, për  këto vende të Ballkanit Perëndimor, përftime të cilat duhet t’u jepen vendeve që janë anëtarë të BE përpara, paraprakisht, pra përpara se të përfundojë zgjerimin. A mendoni se kjo është një mënyrë e mirë për të ecur?

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit qe na ftuat këtu! Në të njëjtën kohë ndihemi të privilegjuar që të kemi hapësirën tonë në këtë konferencë të sigurisë globale.

Më lini t’ju përmend disa të dhëna për të ndihmuar diskutimin dhe për të dhënë një përgjigje siç duhet, më lini ta nis me atë çfarë ndodhi në Evropë dhe brenda shteteve të BE në përgjigje të krizës së madhe që goditi Evropën, por që na goditi edhe ne. Kjo shpjegon atë hendek të jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare të BE dhe midis nesh, Shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Midis periudhës 2020-2021 përmes dy paketave shumë të mëdha që ishte instrumenti për rimëkëmbjen dhe rezistencën e BE, Bashkimi evropian dha 47.5 miliardë plus 672 miliardë për shtetet anëtarë, ndërkohë që për ne u dha 1 miliardë për të gjashtë ne, mes të cilave 500 milionë në grante dhe 500 milionë në hua. Pra gjejeni, 500 milionë në grant që ishin mbështetjeje e drejtpërdrejtë për problemin tonë të përbashkët të energjisë, nga të cilat Shqipëria mori 85 milionë, ishin një rishpërndarje e fondeve të IPA-s, pra praktikisht ajo çfarë duhet të merrnim nga fondet IPA për projekte të caktuar u riorientuan në këtë kontribut të drejtpërdrejtë në buxhetin tonë prej 85 milionësh. Nuk po them që nuk ishte diçka gjë e mirë, thjesht po them që ishte një rishpërndarje.

Së dyti, pika e dytë që dua të përmend është se dhënia e granteve nga BE për shtetet anëtare në Evropën juglindore do të jetë njëmbëdhjetëfish më e madhe krahasuar me Ballkanin Perëndimor.

Pika e tretë që dua të përmend, është fondet e IPA-s që është   ajo çfarë marrim, janë 90% ndihmë teknike dhe 10% investime. Ndërkohë që, fondet e synuara të kohezionit janë 92% investime dhe 0.3% ndihmë teknike dhe për momentin pika e fundit që dua të përmend me shifra është se fondet e dhëna nga buxheti i BE-së midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, krahasuar me shtetet anëtare të BE, janë 138 euro për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe 4570 euro për qytetarët e Bashkimit Evropian. Pak a shumë pra, kjo është situata ku gjendemi dhe kjo është arsyeja përse ne mendojmë që ky është një problem jetë a vdekje për ne e prandaj edhe biem dakord me atë çfarë tha Ursula. Natyrisht që, procesi i negociatave të anëtarësimit do të kërkojë kohë dhe sinqerisht jam i bindur që nuk duhet nxituar, pra duhet të jetë vërtete një proces sistematik dhe i konsoliduar, por na duhet të marrim diçka më shumë dhe diçka duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore në marrëdhëniet midis Bashkimit Europian  dhe Ballkanit Perëndimor në qofte se nuk duan të shohin Ballkanin Perëndimor të kthehet pas sërish.

– Le të flasim për Europën Juglindore. Ndoshta do bini dakord për këtë. Po përditshmëritë tuaja, a mendoni që kjo dinamikë e re që është ofruar, që po iu ofrohet vendeve tuaja lidhet me luftën në Ukrainë dhe sipas jush a kanë frikë në Perëndim, në BE se lojtarë të tjerë mund të hyjnë në këtë rajon në Europën Juglindore si Kina apo Rusia. A mendoni që ky është problemi kryesor e kështu po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të kombinuar nevojat gjeopolitike dhe për t’ju mbajtur në pritje në të njëjtën kohë ju në Ballkanin Perëndimor ?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, së pari ishte diçka fatkeqe që BE iu desh një luftë për t’u zgjuar. Ne, në Ballkanin Perëndimor mund ta kuptonim përmes dhimbjes e përmes frustrimit se BE po ecte në një mënyrë si somnambul dhe mundëm të kuptonim që nuk ishte një vizion strategjik dhe edhe pse ngriheshin shqetësime gjeopolitike në mënyrë rutinore, lidhur me aktorët e tretë, asgjë konkrete nuk bëhej dhe momenti më befasues i hendekut midis tyre, fjalimeve rutinë dhe asaj çfarë ndodhte, ishte kur goditi pandemia. Kur të gjithë ne u izoluam tërësisht dhe pamë vendet e BE që nxitonin të ruanin veten brenda mureve të kufijve të tyre dhe kur erdhën vaksinat bënë një shpërndarje të vaksinave që skartoi tërësisht faktin që kishte 6 vende të rrethuar nga kufijtë e BE që kishin po të njëjtën nevojë. Ajo çfarë ndodhi ishte që ne si shqiptarë vrapuam tek Turqia, ndërkohë Serbia te Kina dhe Rusia, Maqedonia e Veriut vrapoi tek të gjitha, e kështu me radhë për të gjetur ndihmë për të shpëtuar jetët. Pra nëqoftëse nuk do të kishte qenë për Presidentin e Turqisë zotin Erdogan, Shqipëria do të ishte përballur me shumë më tepër vdekje, ndërkohë që BE po kujdesej thjeshtë për veten e vet dhe u desh nuk e di sesa kohë që ata t’i kthenin sytë tek ne dhe pastaj situata ishte mirë sepse na dhanë shumë vaksina. Kjo ishte një marrëzi, por ishte realiteti!

Me agresionin rus, Europa, BE u zgjua. Ne më së fundi patëm çeljen e bisedimeve të anëtarësimit pak përpara, por sido që të jetë ishte brenda së njëjtës periudhe kohe. Tashmë është shumë e qartë, ne nuk mund të presim për nuk di se sa vite të tjera për të pasur mbështetje të mirëfilltë sa i përket konvergjencës. Sepse konvergjenca, sa i përket hendekut po thellohet në mënyrë që të ngushtohet. Pika e fundit që dua të përmend është që flasin shumë që duan të na mbështesin, në fakt e bëjnë, por sërish shifrat janë të pamëshirshme. 90% e mbështetjes për infrastrukturë, për energjinë, e kështu me radhë vjen përmes huave dhe vetëm 10% përmes granteve dhe kur shkon te grantet siç e thashë përqindja më e madhe e granteve është ndihmë teknike. Kështu që, kjo duhet të ndryshojë njëfarësoj. Unë nuk jam naiv dhe nuk kërkoj që për vendet e Ballkanit Perëndimor, BE duhet të hapë më shumë vende dhe të ketë një shpërndarje të barabartë të buxhetit të saj sepse të gjithë e dimë që kur vjen fjala për para solidariteti europian është vetëm një eufemizëm. Më pas, lufta për të marrë paratë është njësoj si në çdo bursë të pamëshirshme. Megjithatë, ne besojmë fort se duhet krijuar diçka e re, diçka e re që do të marrë formën e një mbështetje para anëtarësimit që do të ndihmonte vendet tona të merrte frymë më normalisht.

-Kryeministër, kjo pyetje sërish është për të dy ju, por më duhet që të përfitoj pak nga ajo çfarë thatë. Ju lutem a nuk mendoni që edhe BE pret diçka nga vendet tuaja sa i takon reformave në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, prokurimet publike, pra ka shumë gjëra që duhen bërë dhe që priten prej vendeve tuaja. Për një BE që ka vuajtur sindromën e depresionit apo e lodhjes nga zgjerimi dhe ende po e vuan, a nuk mendon se disa gjëra që vijnë nga vendet kandidate e ngadalësojnë procesin dhe gjithashtu e vonojnë dhe nxjerrin apo hedhjen e parave në tryezë për këto vende?

Kryeministri Edi Rama: Gjërat janë shumë, shumë të qarta, duhet të jemi të hapur, duhet të jemi të sinqertë, duhet të diskutojmë çështjet reale pa u fshehur pas pasqyrave. Çka nënkupton që ajo çfarë kemi kaluar derisa çelëm bisedimet për anëtarësim ishte një proces neurotik sepse ishte shumë e qartë që ndërkohë që ne ishim të gatshëm të nisnim bisedimet për anëtarësim kishte një palë zgjedhje në një vend, kishte një lëvizje kërcënuese populiste në një vend tjetër dhe në vend që të çelnim bisedimet për anëtarësim ashtu siç rekomandonte Komisioni Europian dhe Komisioni Europian është makineria më e jashtëzakonshme që ka krijuar njerëzimi për të kontrolluar çdo hollësi dhe për të të çmendur në çdo hollësi, por për të pasur më në fund një realitet të vlerësuar objektivisht. Ndërkohë që Këshilli Europian ka një logjikë krejt ndryshe, pra nuk ka rëndësi nëse ke përmbushur detyrimet e tua për të çelur bisedimet për anëtarësim. Nëqoftëse ka zgjedhje në një vend nuk e merr, që është në rregull. Por ajo çfarë na është thënë është që duhet të bëni më shumë për korrupsionin, duhet të bëni më shumë për këtë, duhet të bëni më shumë për atë. Jo, ne kemi bërë saktësisht atë çfarë duhej të bënim për aq sa ka vlerësuar Komisioni Europian, një makineri që punon 24 orë në 7 ditë të javës për të qëmtuar çdo imtësi.  Më mirë të na thonë, “Po, jeni shumë mirë, por në këtë moment nuk mund të nisim një bashkëbisedim me ju sepse kemi disa probleme tonat”, sepse kështu duhet të jetë dhe tani.

Ju përmendët lodhjen nga zgjerimi, e kështu me radhë. Ne nuk po vrapojmë që të bëhemi shtete anëtare të Bashkimit Europian. Unë jam pjesë e kësaj shkolle mendimi që mendon se kur nuk funksionon me 27, si do të funksionojë me 33, me këtë +6 që vjen nga Ballkani që është edhe më e veçantë. Si do të funksionojë?

Jam dakord me këtë. Pra, le të hapim një bashkëbisedim të qartë për të thënë “Jo, kjo mund të funksionojë le të gjejmë diçka ndryshe”, por ndërkohë duhet të merrni më shumë nga ne dhe duhet të hyjmë në një marrëdhënie të re. Nuk ka rëndësi.

Ne jemi mjaft të prirur ta bëjmë këtë dhe jemi mjaft të prirur të pranojmë që koha kur do të jemi në tryezën e Bashkimit Europian për të vendosur veto në bazë të opinionit ballkanik është shumë e largët, por ajo çfarë nuk duhet të jetë e largët dhe duhet të ndodhë tani është që Bashkimi Europian të hapë një shteg të ri bashkëpunimi sa u përket fondeve.

Në të kundërt, nuk do të ketë asnjë të ardhme sa i takon sigurisë dhe stabilitetit për Ballkanin dhe

Kryeministri Edi Rama: Po lexoj këtë Tëitter këtu “Për çfarë mendoni se po përgatitet ushtria serbe?”

-Doni t’i përgjigjeni kësaj?

Kryeministri Edi Rama: Jo, jo. Thjesht po e lexoj.

-Mendoj që është pak e fortë, por është pyetje e mirë sepse përmend tensionet aktuale në Kosovë. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Kryeministri Edi Rama: Po përqendrohesha tek ajo që shkruhej “Ushtria serbe në kufi”. Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë mund të bëjë? Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën, por çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë lidhur me politikën e brendshme dhe me atë çfarë ndodh në kufirin me Kosovën.

–  Jemi vetëm një ditë përpara Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet në Moldavi dhe kemi parë shumë emocione politike të akumuluara në vendet lindore që duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian qysh kur nisi lufta në Ukrainë. A mendoni se të njëjtat emocione politike duhen parë edhe në Ballkanin Perëndimor përpara sesa të jetë vonë dhe për sa i përket Komunitetit Politik Europian bini dakord me faktin që është një format i cili mund të shihet si një paradhomë për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu lënë aty të prisni gjithmonë e më tepër sa i takon përfundimit të anëtarësimit?

Kryeministri Edi Rama: Më duhet të them që jam tifoz i madh i Komunitetit Politik Europian. Mendoj që është një vizion i jashtëzakonshëm dhe nëse ky vizion, i cili ka qenë publik qysh në shekullin e XVII nga dikush që quhej Abati i Shën Pjetrit, do të ishte përqafuar nga të gjithë. Ndoshta shumë gjëra do të kishin qenë ndryshe. Vizioni përfshinte, jo vetëm vendet europiane siç i njohim sot, por dhe Rusinë dhe po kështu, atë çfarë aso kohe ishte Perandoria Osmane.

Praktikisht, komuniteti politik europian që do të përfshinte vende nga Perëndimi në Lindje, nga Britania e Madhe te Rusia e Turqia, do të kishte qenë diçka që do të kishte shmangur atë që jetojmë sot, besoj, por edhe pse Rusia ka marrë vendimet e saj tmerrësisht të gabuara për të shkuar në një drejtim të panjohur dhe për ta sjellë veten në shekullin e XXI si një vend që beson në agresionin dhe imponimin e agjendës së vetë përmes forcës, duke pushtuar një vend tjetër, ne mund ende të ndërtojmë një vend jashtëzakonisht të mirë për ato vende që janë ose jo në Bashkimin Europian, por që së bashku krijojnë këtë komunitet politik europian. Kështu që, nuk dua t’ia di për këtë fiksimin që kemi për të qenë tani në Bashkimin Europian sepse ky komunitet europian mund të minojë procesin. Jo, jo nuk dua t’ia di për këtë. Ajo për çfarë dua t’ia di më shumë është që ky komunitetit politik europian të nisë të artikulojë në mënyrë reale, jo vetëm si një vizion i jashtëzakonshëm që gjen zbatim vetëm në takimet e liderëve në Republikën Çeke, në Moldavi, në takime ku ndahen emocionet e tyre, por duhet të bëjmë diçka. Duhet të dalë diçka prej tij. Meqë ra fjala, ne po avokatojmë gjithmonë e më tepër dhe po flas për Shqipërinë dhe shpresoj edhe bashkë me Maqedoninë e Veriut, së bashku me Serbinë, me Kosovën e të tjerët shpresoj që ne përkrahim pikërisht atë për të cilën flasim që të kemi një këndvështrim tjetër për të punuar së bashku dhe kjo sigurisht vendoset në Bruksel, pra për mënyrën se si të trajtohen ndryshe vendet e Ballkanit Perëndimor, nga njëra anë duke qenë mjaft rigoroz sa i takon rrugëtimit individual të secilit prej vendeve në përmbushje të kritereve europiane sepse kjo është e rëndësishme për ne dhe e them që për ne është shumë e rëndësishme. Nuk duhet të kërkojmë leje të drejtimit të makinës, pa mësuar se si ta drejtojmë këtë makinë me shpejtësi të plotë, për veten tonë, jo për Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, për të parë se si në mënyrë kolektive të bëjmë diçka ndryshe e të mos tërhiqemi zvarrë me këto fonde të IPA-s që janë më shumë ndihmë teknike, apo me këto hua që bëhen gjithmonë e më të shtrenjta ndërkohë që kemi deficite, tavane, borxhi, e kështu me radhë. Ky është thelbi. Kjo është e njëjta gjë. Çfarë do të bëjmë me Moldavinë? Do të fusim Moldavinë në Bashkimin Europian? Të lutem! Moldavisë duhet t’i japin një shteg ndryshe. Çfarë do të bëjnë me Ukrainën? Do ta fusin Ukrainën në Bashkimin Europian?

-Po kjo është ajo çfarë është diskutuar.

Kryeministri Edi Rama: Po, por pikë së pari nuk është realiste. Së dyti, është paradhoma e depresionit. Nuk është paradhoma e integrimit, është paradhoma e depresionit sepse ne e dimë si shkon. Në Selanik, Dimitari kishte të gjithë flokët, aty u tha që do të ishin në Bashkimin Europian, përpara se unë të humbisja flokët e mi. Ja ku jemi. Jemi këtu dy burra pa flokë sepse ne besuam në këto gjëra. Çfarë kemi nevojë është që të jemi realistë, të jemi të vërtetë, të jemi të hapur dhe të jemi të drejtpërdrejtë. Kur e them këtë, mendoj sa të drejtpërdrejtë mund të jenë holandezët kur kanë zgjedhje dhe kur duan që të presësh derisa të përfundojnë zgjedhjet e tyre. Ja që kështu është. Na duhet të përballemi me realitetin, ndërkohë që Komuniteti Politik Europian është i jashtëzakonshëm. Thjesht i jashtëzakonshëm!

-Kryeministër Kovaçevski, u provokuat kështu që duhet të përgjigjeni.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski: Në fakt Edi është provokatori më i madh në Internacionalen Socialiste. Është zv/president.

Kryeministri Edi Rama: Për të qenë provokator në Internacionalen Socialiste është të jesh provokator në një varrezë. Kështu që është e lehtë. Të vdekurit janë shumë më të qetë.

Dikush që quhet Majk, të pyet “a nuk duhet të zgjidhin çështjet e brendshme Ballkani Perëndimor dhe mosmarrëveshjet e tyre përpara se të fajësojnë BE?”

Majk nuk po ia vëmë fajin BE-së, askush nuk po ia vë fajin.

Sa për t’i thëne diçka Majkut. Ajo çfarë dua të them seriozisht, është se BE, që njerëzit ta kuptojnë, Majku s’e ka idenë dhe dua ta sqaroj. Majku thjesht bëri një pyetje. Majku nuk është vetëm një person, Majku është një gjë më e madhe. Është një problem shumë më i madh që kemi me Majkun. Bashkimi Europian është realiteti i vetëm gjeopolitik në historinë e njerëzimit, në historinë e hartave dhe të hartëzimit që ka dy kufij. Nëse gjeni ndonjë tjetër ma thoni. Ka dy kufij, një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm dhe brenda kufirit të brendshëm, është Ballkani Perëndimor. Pra, nuk hyn dot në Ballkanin perëndimor pa hyrë në BE, pra nuk mund të vini tek ne, është njësoj si tek kërthiza, jemi aty dhe si kërthiza është diçka aty që nganjëherë duket e panevojshme, por nganjëherë mund të infektohe,t por ndonjëherë mund të duket dhe shumë e bukur.

– Ka një pyetje konkrete. Shohim që ngadalësimi i procesit lidhet dhe ju e thatë, me disa mungesa efikasiteti në rajon plus asaj që po ndodh tashmë midis Kosovës dhe Serbisë. Këto gjëra e ngadalësojnë procesin. Ky është një fakt objektiv.

Kryeministri Edi Rama: Po, keni të drejtë. Keni të drejtë, po ngadalëson apo po përshpejton procesin është një diskutim që duhet ta bëjmë, por le t’i marrim gjërat në perspektivë pikë së pari. Për fat të keq, përpara se të vijë vera kemi gjithmonë problem në pjesën veriore të Kosovës. Nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse në Kosovë e në Serbi nuk kanë det dhe kokat nxehen. Ku ishim 20 vjet më parë, ku ishim 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë. Sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e vet më të mirë, edhe midis Kosovës dhe Serbisë gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg përmbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani, të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojmë që kjo do të realizohet dhe nuk do t’ju duhet më ta luftojnë njëri-tjetrin. Ndoshta kjo shkon kundër inercisë së tyre, të nevojës për të jetuar e për të luftuar. Kjo është perspektiva. Është më mirë se në çdo kohë. Tani ky konflikt aty, ka një arsye e cila në këndvështrimin tim, mund të ishte shmangur krejtësisht, që në këndvështrimin tim nuk është tregues i problemeve konkrete. Këta kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar e ndihen të pa përfaqësuar, por thelbi është që ka një marrëveshje që duhet përmbyllur, njohja reciproke që është  diçka e jashtëzakonshme dhe ka një hezitim për ta arritur këtë marrëveshje që prodhon këto situata.

– Kryeministër, më duhet t’ju kujtoj që keni një takim me Ursula von der Leyen.

Kryeministri Edi Rama: Kur?

–  Shumë shpejt, më kanë thënë.

Kryeministri Edi Rama: Ah, të kanë thënë. Dikush do të na nxjerrë jashtë. Gjithmonë kështu përfundon dhe sa herë që na nxjerrin jashtë, na nxjerrin me një arsye të madhe. “Të duhet të takosh Ursula Von der Leyen”.

– Kështu më kanë thënë. Më duhet ta mbyll seancën. Faleminderit shumë për këtë takim “të qetë”

Kryeministri Edi Rama: Nëse doje një takim më të nxehtë, duhet të kishe sjellë serbët këtu.

Previous Ministrja Balluku merr pjesë në Forumin Energjetik për Ballkanin Perëndimor