Godina e filmuar në Spitalin Bashkiak Lushnjë është jashtë përdorimit

Në përgjigje të deklaratave për kushtet e këqija teknike në Spitalin Bashkiak Lushnjë dhe pamjet filmike të publikuara në media, Spitali Bashkiak Lushnjë sqaron opinionin publik se pamjet i referohen godinës nr. 3, e cila aktualisht është jashtë përdorimit dhe pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Autoritetet përgjegjëse informojnë se godina e filmuar ka shërbyer më parë për disa reparte kryesore të spitalit, të cilat janë transferuar në godina të tjera funksionale, ndërsa disa ambiente janë përshtatur përkohësisht për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve deri në përfundimin e punimeve. Procesi i tenderimit është përfunduar dhe pritet miratimi i lejes së ndërtimit. Spitali bën të ditur se gjendja e paraqitur në bodrume dhe hapësirat e jashtme lidhet me mosfunksionimin aktual të godinës dhe ka karakter të përkohshëm. Ndërsa grumbullimi i materialeve bimore dhe degëve të thata lidhet me punimet e mirëmbajtjes së gjelbërimit dhe pasojat e erërave të forta, dhe do të largohet gjatë sistemimit të ambientit. Spitali Bashkiak Lushnjë garanton se shërbimet për pacientët ofrohen në ambiente funksionale dhe të sigurta dhe mbetet i hapur për çdo verifikim nga autoritetet kompetente.