Gonxhja: 600 praktikantë dhe 250 kontrata pune nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në 2025
Në Tiranë u zhvillua takimi përmbyllës i Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës, një nismë që prej një dekade synon të afrojë të rinjtë me tregun e punës përmes përfshirjes në administratën publike.
Gjatë vitit 2025, programi përfshiu 600 praktikantë, ndërsa 250 prej tyre nënshkruan kontratat e para të punës, duke konfirmuar rolin e kësaj nisme në lehtësimin e kalimit nga universiteti drejt punësimit. Për herë të parë, praktika u vlerësua edhe financiarisht, në shenjë respekti për kontributin dhe dijen e studentëve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë fjalës së tij theksoi se administrata publike po kalon një proces transformimi, duke u hapur më shumë ndaj të rinjve dhe duke vendosur meritokracinë si kriter kyç për integrimin e tyre në institucione.
“Ju nuk jeni thjesht punonjës të rinj, por arkitektët e një administrate moderne, transparente dhe në shërbim të plotë të realitetit që na rrethon,” u shpreh ministri.
Programi synon të përfshijë të rinjtë në modernizimin e administratës dhe konsiderohet një investim afatgjatë për përgatitjen e profesionistëve që pritet të kontribuojnë në vizionin e Shqipërisë 2030 dhe procesin e integrimit evropian.