Ministri Gonxhja: Performancë në rritje e institucioneve kulturore në 2026, shtohen fondet dhe të ardhurat
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë një konference për mediat deklaroi se buxheti për institucionet kulturore për projekte artistike në vitin 2026 ka arritur në 173 milionë lekë, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas tij, fondet janë rritur me 261% krahasuar me vitin 2024 dhe me 87% krahasuar me fillimin e vitit 2025.
Të dhënat për periudhën janar-shkurt 2026 tregojnë gjithashtu përmirësim të dukshëm të performancës së institucioneve kulturore. Numri i biletave të shitura është rritur me 57%, ndërsa të ardhurat me 96% (mbi 5 milionë lekë më shumë), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje të forta raportohen në disa prej institucioneve kryesore: Teatri Kombëtar ka regjistruar 627% më shumë bileta dhe 552% më shumë të ardhura në dy muajt e parë të vitit, Teatri Eksperimental ka rritur shitjet e biletave me 67% dhe të ardhurat me 155%, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka shënuar rritje prej 188% të të ardhurave, ndërsa Teatri i Operës dhe Baletit ka regjistruar rritje prej 26% të biletave dhe 38% të të ardhurave.
Edhe Cirku Kombëtar ka raportuar rritje të ndjeshme, me 591% më shumë të ardhura dhe një rritje prej 117% të biletave, pavarësisht funksionimit në kushte të përkohshme infrastrukturore. Sipas ministrit, po punohet me Bashkinë e Tiranës për krijimin e një hapësire të re të dedikuar për këtë institucion.
Në kuadër të mbështetjes për kulturën dhe turizmin, ministri bëri të ditur se thirrjet për projekte kulturore dhe turistike kanë tërhequr mbi 700 aplikime, nga të cilat rreth 250 janë shpallur fituese në të gjithë vendin. Projektet shtrihen përtej Tiranës, me përqendrim në qytete si Shkodra, Pogradeci, Vlora dhe Përmeti, dhe përfshijnë aktivitete me ndikim kombëtar e ndërkombëtar, ngjarje lokale, si dhe iniciativa komunitare dhe edukative.
Një tjetër nismë e re për vitin 2026 është Programi i Talenteve Rinore, i cili për herë të parë mbulon shpenzimet për të rinjtë 15-29 vjeç që përfaqësojnë Shqipërinë në gara ndërkombëtare, duke përfshirë edhe mbështetje financiare deri në 60 mijë lekë për rezultate të larta. Paralelisht, qeveria po përgatit edhe një ligj të ri për donacionet dhe sponsorizimet, që synon të nxisë financimin privat në art, kulturë dhe sport përmes lehtësive fiskale.
Në fushën e trashëgimisë kulturore, ministri theksoi progresin në ruajtjen dhe zhvillimin e siteve historike, përfshirë ndërhyrjet konservuese në Berat dhe Gjirokastër, si dhe rritjen e ndjeshme të vizitorëve dhe të ardhurave në Parkun Kombëtar të Butrintit. Po ashtu, është propozuar krijimi i Fondit të Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore, si një mekanizëm i qëndrueshëm për financimin e restaurimit, mirëmbajtjes dhe promovimit të pasurive kulturore.
Ndërkohë, procesi i shpalljes dhe mbrojtjes së zonave me vlera kulturore vijon, me disa ansamble urbane dhe zona arkeologjike të miratuara gjatë vitit 2025 dhe në muajt e parë të vitit 2026, si dhe projekte të reja për rijetëzimin e tyre në funksion të zhvillimit turistik. Investime të tjera janë realizuar edhe në Parkun e Butrintit, ku janë përmirësuar infrastruktura, shërbimet për vizitorët dhe ndërhyrjet konservuese në monumente.
Paralelisht me këto zhvillime, ministri bëri të ditur se në Tiranë planifikohet ndërtimi i një muzeu të ri arkeologjik pranë Sheshit “Nënë Tereza”. Projekti parashikon një hapësirë muzeale nëntokësore, e cila do të zgjerojë ofertën kulturore dhe turistike të kryeqytetit, në kuadër të procesit të modernizimit të Muzeut Historik Kombëtar.
Sipas ministrit Gonxhja, investimet synojnë forcimin e kapaciteteve dhe autonomisë së institucioneve kulturore, si dhe rritjen e cilësisë së ofertës artistike për publikun.