Hackathoni Rajonal i Inteligjencës Artificiale EU–WB6
Hackathoni Rajonal i Inteligjencës Artificiale, – nisma unike, në kuadër të Forumit të Investimeve EU–WB6, bashkoi sot krijuesit inovatorë, startup-et, sipërmarrësit, investitorët, politikat publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, në një garë me ide dhe zgjidhje digjitale që nxisin zhvillimin e rajonit.
Hackathoni Rajonal tërhoqi 161 aplikime projektesh, duke reflektuar entuziazëm për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në vend, që konfirmon rolin e Shqipërisë si qendër e inovacionit dhe transformimit digjital në rajon.
Pjesëmarrësit përfaqësonin një diversitet të gjerë – nga studentë dhe inovatorë të pavarur, nga ide në fazë fillestare, deri në ide të konsoliduara, duke dëshmuar se Hackathoni ka arritur të ndërthurë arsimin, sipërmarrjen dhe teknologjinë e aplikuar.
Kryeministri Rama përshëndeti takimin e sotëm dhe informoi se qeveria do të hapë dyert për të gjithë inovatorët, duke krijuar një hapësirë të përbashkët me bërthamë Agjencinë e Ekselencës. “Ne kemi rënë dakord brenda nesh të çojmë përpara procesin, duke hapur dyert e qeverisë për të gjithë inovatorët dhe duke krijuar një hapësirë të përbashkët me bërthamë Agjencinë e Ekselencës, që ne e kemi krijuar para pak kohe dhe të cilën do të vëmë në dispozicionin tuaj dhe të gjithë inovatorëve. Kjo do të thotë që start-up, inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe duke aksesuar institucionet të kenë mundësi të shohin nga afër problematikat, por edhe të shfrytëzojnë të dhënat e tyre, të shfrytëzojnë statistikat e tyre, të shfrytëzojnë të gjithë atë brumë që pastaj është baza e zgjidhjeve përmes IA dhe krijimit të modeleve të Inteligjencës Artificiale.” – u shpreh ai.
Ky është eventi i parë që i jep formë bashkëpunimit praktik ndërmjet qeverisë, të rinjve, universiteteve, biznesit, në kuadër të integrimit europian dhe Agjendës Digjitale të Ballkanit Perëndimor.