Samiti i NATO-s po zhvillon punimet e këtij viti, për herë të parë në Holandë, Hagë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës.
Kryeministri Rama është pjesëmarrës në krye të delegacionit të Shqipërisë, ku merr pjesë edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Arben Kingji, etj.
Kryeministri Rama u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, me të cilin diskutoi mes të tjerash mbi angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë.
Në samit, krerët e NATO-s do të trajtojnë një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca. Ata do të fokusohen në parandalimin dhe mbrojtjen, duke siguruar që NATO të ketë burimet, forcat dhe aftësitë për të përballuar çdo kërcënim.
Forcimi i partneriteteve do të mbetet një fokus kryesor për Aleancën, me Samitin që ofron mundësinë për t’u angazhuar me Ukrainën, partnerët e NATO-s dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian.
Këtë javë, aleatët do të miratojnë një plan të ri investimesh në mbrojtje, ku do të bihet dakord për një përpjekje të përbashkët për të rritur industrinë e mbrojtjes në të gjithë NATO-n, duke rritur sigurinë dhe duke krijuar vende pune.