Hapet aksi Librazhd-Pogradec, ARRSH konfirmon sigurinë pas testimeve teknike
Aksi rrugor Librazhd-Pogradec është rihapur për qarkullim pas bllokimit të shkaktuar nga rrëshqitja e dheut. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, testimet teknike të kryera në segmentin e rehabilituar nuk evidentuan probleme që cenojnë standardet e sigurisë.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se segmenti është testuar në kushte laboratorike dhe me mjete të tonazhit të rëndë, ndërsa rezultatet kanë konfirmuar qëndrueshmërinë e tij. Ai theksoi se në 10 ditët e fundit është realizuar një volum i konsiderueshëm pune për rikthimin e qarkullimit në kohën më të shpejtë të mundshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të rënda të respektojnë kufirin maksimal prej 8.2 ton për aks, duke paralajmëruar se tejkalimi i kësaj peshe mund të shkaktojë dëmtime dhe krijimin e gropave që do të vështirësonin qarkullimin. Institucionet përgjegjëse do të monitorojnë nga afër situatën për të adresuar çdo problem të mundshëm.
Ndërkohë, për segmentin alternativ prej 1.3 kilometrash pritet të nisë menjëherë procedura për fillimin e punimeve, të cilat do të zgjasin minimalisht 60 ditë, në varësi edhe të kushteve atmosferike.