Fjala e ministres Belinda Balluku:
Përshëndetje të gjithëve
Tek takoja ambasadoren zvicerane sapo thamë që një mënyrë shumë e bukur për të nisur vitin e ri. Një mënyrë për të nisur me projektet e reja, me ato projekte që ne besojmë që do të bëjnë diferencën në fushën energjetike shqiptare. Vetëm para pak muajsh, këtu në këtë sallë, tek u përshëndetëm, thamë shihemi në ankandin tjetër. Apo jo Katerina?
Dhe ja ku jemi për të lancuar sot një ankand totalisht të ri, i pesti në radhë nga 2018-ta dhe deri sot, por ama i katërti i suksesshëm që unë duhet ta them që sot që ky ankand do jetë i suksesshëm pasi të gjitha përmasat, parametrat, kriteret të cilat ne do të kërkojmë gjatë këtij ankandi janë padyshim kritere të cilat janë të plotësueshme dhe mbi të gjitha dimë që interesi ka qenë shumë i madh dhe prandaj kemi vendosur që të hapim një ankand të ri për sa i përket burimeve të rinovueshme nga dielli.
Dua që të falënderoj të gjithë ata që kanë arritur të bëjnë një punë shumë të mirë për të krijuar një institucion më vete, atë institucionin e ankandeve, të cilat janë të mbështetura mbi transparencën dhe meritokracinë e kompanive, qoftë kjo nga ana teknike, qoftë kjo nga fuqia financiare dhe sidomos seriozitetin e tyre për të sjellë diçka të prekshme dhe të vërtetë.
I referohem gjithmonë Voltalias, për shkak se padyshim ka konkretizuar ankandet të cilat ka fituar. Unë besoj që janë afër nisjes së prodhimit, faza e testimeve duhet të ketë përfunduar, kështu që në Karavasta, projekti i parë mbi ankandet i suksesshëm do të fillojë të prodhojë. Do të fillojë të prodhojë duke i shtuar Republikës së Shqipërisë 140 mega nga energjia diellore. Një diell i cili nuk mungon në vendin tonë, përveç ditëve me shi si kjo e sotmja, por që janë ditë të mira sepse i duhen dhe gjerdanit të Drinit, kaskadës, i duhet uji për të funksionuar dhe ky balancim i mirëfilltë midis energjisë diellore, asaj të prodhuar nga uji, hidrike, por edhe eolike që po ngrohet në vendin tonë do të bëjë Shqipërinë që të plotësojë atë aspiratë që ka për tu bërë në vitin 2030 një vend eksportues neto, krahasimisht me sot që vazhdon të jetë një vend importues neto.
Duhet thënë që kemi lënë pas krahëve një kohë në të cilën shumica e garave kontestoheshin apo edhe stërgjateshin në kohë dhe në procedura e burokraci dhe projektet padyshim mbeteshin rrugëve. Sot, skuadrat tona, duke punuar shumë afër edhe me ekspertizën e BERZH-it, por edhe me ekspertizën e SECO, që përfaqësohet këtu nga ambasada zviceriane, kanë arritur në një nivel të kënaqshëm ekspertize dhe po ti hidhni një sy, ata që janë teknikë të fushës, nga një ankand në tjetrin gjithçka është përmirësuar, procedura, kontratat, pikat e lidhjes, shpejtësia me të cilën ne operojmë dhe gjithë kjo vjen si shkak i një pune të përbashkët i të gjitha këtyre grupeve dhe mbi të gjitha unë dua të them që tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Energjetikës, është e pajisur plotësisht me kapacitete njerëzore të cilat do ti kishte zili çdolloj institucioni europian.
Gjatë retreat të fundit qeveritar, për të cilin Kryeministri Rama ka bërë edhe një dalje publike për të thënë kryesisht ato pika që janë të rëndësishme për tu adresuar në publik, kryefjala e këtij retreat kanë qenë burimet njerëzore. Sot Shqipëria e ndodhur para një realiteti të ri, sot Shqipëria e ndodhur në një moment historik dhe të artë për ekonominë e vendit duke nisur nga turizmi, tek bujqësia, energjia, infrastruktura dhe gjithçka tjetër ka nevojë për më shumë kontribut të burimeve njerëzore, por jo vetëm Shqipëria, rajoni, Europa dhe mbarë bota. I gjithë diskursi sot bëhet mbi burimet njerëzore, mbi asetin më të rëndësishëm të çdo vendi që janë njerëzit.
Kështu që në vitin 2024 me një iniciativë të kryeministrit ne do të jemi të gjithë të fokusuar në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, në modernizimin e administratës publike, në inovacionin që nuk vjen vetëm përmes teknologjisë, por vjen edhe përmes njerëzve, përmes proceseve inovative. Ky do të jetë një vit i rëndësishëm dhe pse e lidha sot me këtë ankand sepse nëse ky ankand do të jetë i suksesshëm, ashtu si dhe ankandet e mëparshme, është thjesht dhe vetëm për kontributin e madh njerëzor, për angazhimin e jashtëzakonshëm të ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë të BERZH-it dhe të SECO dhe të gjithë partnerëve të tjerë të cilët i shoh këtu në këtë sallë si nga Statkraft, si nga Voltalia, si nga Verbundi dhe kompani të tjera që do të jenë dhe kanë qenë kontribuues në sektorin energjetik shqiptar.
Asgjë nuk arrihet pa kontributin njerëzor. Asgjë nuk arrihet pa bashkëpunimin. Asgjë nuk arrihet pa njerëz të motivuar të cilët duan të shikojnë këto projekte ashtu siç ngjizen dhe të realizohen.
Dhe tani do të kthehem tek projekti, sepse jam e sigurt që po na ndjekim shumë kompani shqiptare, por europiane dhe ndërkombëtare që duan të jenë pjesë e projektit. Sot quhet dita e parë, pra dita e lançimit, e cila do të zgjasë deri në 10 Korrik. 10 Korrik do të jetë afati përfundimtar i daljes së fituesve të kësaj gare që nis sot. Gjithashtu ju duhet të keni parasysh që të gjithë ofertuesit do të kenë kohë deri në 17 Maj për paraqitjen e ofertave teknike dhe atyre financiare.
Le të shpjegojmë tani sesi funksionon ky ankand i quajtur hibrid dhe duke nisur menjëherë nga shpjegimi pse quhet hibrid. Ankande hibride quajmë ato ankande ku shteti shqiptar është i gatshëm për të blerë energjinë e prodhuar nga këto ankande për një afat të përcaktuar, në këtë rast 15 vite, por pa angazhuar asete të tjera. Pra në ankandin e parë, pra në ankandin e Karavastasë apo edhe në ankandin e Spitallës ne kemi angazhuar edhe asete publike, siç është vendosja e truallit në dispozicion, ndërkohë në ankandin e sotëm shteti blen energjinë dhe është detyrë e të gjithë ofertuesve që të marrin masat qoftë për truallin, qoftë për prodhimin, për teknologjinë që do të përdoret dhe gjithçka tjetër.
Kapaciteti minimal i ofruar do të jetë 10 megavat/orë, ndërkohë që kapaciteti maksimal i ofruar do të jetë 100 megavat/orë, duke i dhënë kështu mundësi që pjesë e këtij ankandi të jenë minimalisht tre entitete, pra duke qenë se në total ne do të kemi 300 megavat/orë të cilat duhet të jenë të disponueshme për blerje nga shteti shqiptar. Një dysheme prej 10 megavatorësh, pra jo më pak se 10 megavat/orë do të jenë parqet fotovoltaike të pranueshme për të garuar dhe jo më të mëdhenj se 100 megavat/orë. Sigurisht duhet thënë që pjesëmarrësit mund të marrin pjesë edhe nëpërmjet disa projekteve të ndryshme me vendndodhje të ndryshme, mjafton që të respektohet dyshemeja prej 10 megavatorësh dhe tavani prej 100 megavatorësh.
Çmimi maksimal i pranueshëm në këtë garë do të jetë 59.97 euro për MW/h. Sigurisht ky një çmim që ka dalë nga të gjithë analizat dhe ekspertizat që ne kemi bërë bazuar mbi ankandet e mëparshme. Nuk duhet të harrojmë faktin që Shqipëria përmes ankandeve ka arritur të marrë çmime rekord për tregun europian, siç është rasti i ankandit fotovoltaik të Karavastasë ku Shqipëria arriti një çmim prej 24.89 euro për megavat/orë apo siç është dhe rasti tjetër kur ne në ankandin më të fundit që ishte ankandi eolik dhe kemi qenë të gjithë bashkë këtu në këtë sallë, kemi arritur një tjetër çmim rekord për prodhimin eolik që është 44.8 euro për megavat/orë.
Është e rëndësishme të thuhet që padyshim ky do të jetë një ankand ashtu siç kemi bërë dhe me të tjerët me një transparencë të plotë, ku të gjithë kompanitë do të kenë akses dhe do të kenë suportin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe të ekspertëve të BERZH për të marrë të gjithë informacionin e duhur dhe për ti dhënë mundësinë që ata të parapërgatiten ashtu siç duhet që të kemi edhe respektim të afateve, që është 17 Maji momenti i dorëzimit dhe paraqitjes së ofertave teknike dhe atyre financiare dhe për të na lënë mundësinë e vlerësimit të këtyre ofertave deri në 10 Korrik të 2024.
Do të insistoja këtu për një fakt të rëndësishëm që unë shpeshherë e flas me bashkëpunëtorët e mi. Nuk më pëlqen asnjëherë shtyrja e afateve, sepse ajo që ndodh është që gjithmonë me kërkesë të kompanive pjesëmarrëse etj., kërkojnë që të ketë një shtyrje për një datë të dytë. Unë do të insistoja, ashtu siç kam bërë edhe në ankandet e tjera, pasi për Shqipërinë nëse ka diçka të çmuar është koha. Koha është ajo çka ne na mungon. Një kohë e humbur në një regjim komunist dhe më pas në një tranzicion të gjatë dhe pafund dhe sot jemi në një moment ashtu siç thashë historik. Një moment të artë për ekonominë shqiptare që edhe një ditë, edhe 24 orë vonesë, ne na kushtojnë, shqiptarëve i kushtojnë. Kështu që afatet kohore duhen respektuar, nuk do të ketë shtyrje të afatit kohor dhe unë i bëj thirrje të gjitha kompanive shqiptare të cilat kanë kapacitetet dhe të gjitha kompanive të huaja që tashmë e kanë provuar angazhimin e Qeverisë Shqiptare, angazhimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, mënyrën transparente me të cilën punojmë, me garancinë e ekspertëve të BERZH-it dhe të SECO-s që të marrin pjesë në këtë ankand ku dyshemeja e prodhimit minimal është 10 megavat/orë, tavani i prodhimit maksimal do të jetë 100 megavat/orë. Mund të konkurroni edhe me projekte të ndryshme në vendndodhje të ndryshme. Çmimi maksimal është 59.97 euro për MW/h dhe ankandi nis menjëherë në këto momente.
Unë ju falënderoj për vëmendjen. Ju falënderoj për bashkëpunimin, ju uroj të gjithëve sukses në këtë proces të ri në nisje të vitit. Një vit që nis me lajme pozitive.