U çel sot gara për ndërtimin e një ndër projekteve më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin, Portit të Ri të Durrësit, i cili do të zhvendoset nga pozicionimi aktual në qendër të qytetit për në Porto Romano, me kapacitete përpunuese të zgjeruara, për t’ju përgjigjur fluksit gjithmonë e në rritje.
Kryeministri Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së garës tha se ky port i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon dhe e bën atë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit.
* * *
Përshëndetje të gjithëve!
Ky është një moment tjetër shumë kuptimplotë për ne dhe për mua personalisht sepse kur ne themi që do të bëjmë këtë apo do të bëjmë atë dhe kur bëhet fjalë për projekte të tilla, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.
Projektet nuk nisin në momentet kur ato publikohen si sot në formën e thirrjes së interesit nga kompanitë. Projekte e mëdha nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të gjithë grupit të nevojshëm të ekspertëve, i projektimit, i oponencës është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira dhe nga nganjëherë sesa limitet e durimit, pasi normalisht qytetarët dëgjojnë dhe presin dhe durimi e para, nuk është ndër virtytet e shqiptarëve dhe e dyta në kohët tona është një nga mallrat më të rrallë.
Por, nga ana tjetër është shumë e mirëkuptueshme për shqiptarët sepse kanë pritur shumë, jashtëzakonisht shumë, kanë pritur shekuj që më në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre, gjithmonë kanë jetuar nën zgjedha që kanë ardhur si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Dhe për herë të parë në histori, shqiptarët në këto 30 e kusur vite jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së bashkuar të vendeve të lira dhe demokratike.
Por, nga ana tjetër nga momenti i asaj zgjedhje deri tek zgjidhjet është një histori më vete, sepse e shkuara është një barrë shumë e madhe në të gjithë kuptimet për ne.
E shkuara jonë është njësoj si Porti i Durrësit në qendër të qytetit. Një port që është një plagë, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë shumë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtareve të paligjshme dhe kriminale.
Largimi i Portit të Durrësit nga qendra e qytetit dhe vendosja e tij këtu, tërësisht me një tipologji, karakteristika dhe përmasa të reja, është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit dhe për historinë ekonomisë tonë kombëtare dhe në historinë e sigurisë tonë kombëtare.
Për me tepër, ky projekt ka një garanci shumë të madhe, ka garancinë e një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota, kompania Royal Haskoning dhe është një kompani e krijuar në vitin 1881 nga dy xhentëlmen holandezë, që kanë bashkuar mbiemrat e tyre në emrin Haskoning dhe që në vitin 1981 kanë mbushur 100 vjet dhe në 100 vjetorin e vet ka marrë nga mbreti apo mbretëresha e kohës, pra nga kurora mbretërore edhe titullin mbretëror Royal dhe Royal Haskoning ka sjellë për ne mundësinë që të kemi një nga mjeshtrit më mbresëlënës të gjithë botës së inxhinierisë dhe teknologjisë detare që është Eriku që foli pak më përpara.
Royal Haskoning na ka shoqëruar në gjithë këtë projekt dhe çka është më e rëndësishmja për ne është që Royal Haskoning do ta shoqërojë projektin duke qenë partneri i qeverisë shqiptare për të mbikëqyrur të gjithë procesin që nga garat ndërkombëtare tek punimet që do të bëhen në port.
Deti ka shumë lloj speciesh dhe dihet që specia e njohur si më e frikshme është peshkaqeni. Kompanitë që ndërtojnë porte janë peshkaqenët e tokës që të jemi shumë të qartë.
I falënderoj që kanë ardhur!
Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port, por historia e zhvillimit të porteve që ne e kemi mësuar për shkak të detyrës ka treguar që nëse këto kompani “gjejnë shesh”, “bëjnë një përshesh” aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish, trefish, katërfish pa asnjë problem nëse ti nuk ke peshkatarë peshkaqenësh në tokë.
Royal Haskoning na ka sjellë fiks peshkatarin e duhur për t’i mbajtur peshkaqenët brenda rrethit të rregullave dhe të parashikimeve. Kështu që, nga peshkaqen do t’i bëjmë delfin që do të na japin një spektakël në fund dhe që të gjithë në fund do të dalim të fituar dhe të lumtur. Se ata nuk është se janë domosdoshmërish peshkaqen dinë ta bëjnë shumë bukur edhe delfinin, por po i le janë menjëherë peshkaqen.
Pika tjetër që dua të prek është që një port impakton deri në 3 përqind prodhimin e përgjithshëm kombëtar të vendit. Ky që kemi atje, në mes të Durrësit – që është një turp i madh kombëtar dhe që më në fund do të fshihet prej andej – e ka impaktin qesharak. Ky i këtushmi do të jetë, jo vetëm një port që do të impaktojë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, por do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tonë, sepse siç e ka para parë grupi i projektimit dhe siç na ka udhëhequr Eriku në këtë proces, do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në kuptimin një tjetër bazë në Mesdhe në numër, por një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.
E tha pak Eriku, po diskutoja edhe me shefin e madh të kompanisë – që e falënderoj që ka ardhur, por ne për shef të madh njohim Erikun në të gjitha rastet, që të jemi të qartë, – ky port që ndërtohet nga e para është një port i ri në Europë pas shumë e shumë dekadash sepse Europa i ka ndërtuar shumë kohë më parë dhe në vazhdimësi ka bërë zgjerime, adoptime, por për 1001 arsye nuk ka ndërtuar porte të reja dhe për këtë arsye ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë, të marrim edhe përfitim e një dijeje që është krijuar ndër vite dhe njëkohësisht në aspektin mjedisor dhe në aspektin e gjelbër, të kemi një port që do të jetë një shembull ekselence.
Pika tjetër është rëndësia e madhe strategjike e këtij porti për Shqipërinë e 2030 dhe më tutje sepse ky port i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon, ky port e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit. Ky port që do të lidhë në vijim tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë përmes hekurudhave që do të ndërtojmë dhe përmes dy porteve të thata që do të ndërtohen në Prishtinë dhe në Strugë praktikisht do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbimesh që deri më sot janë jashtë rrezes sonë të influencës.
Patjetër që porti do të sjellë punësim dhe punësim cilësor të mirëpaguar, nuk diskutohet, dhe porti është një tjetër argument dhe një tjetër arsye që ne të shkojmë më shpejt përpara me reformën e re që po bëjmë për arsimin profesional dhe ndërkohë është një tjetër arsye për t’i thënë shqiptarëve që punojnë në Greqi aktualisht, po marr Greqinë sepse e kemi dhe fqinjin më të afërt, por është dhe referenca më kuptimplotë që ndërkohë që rrinë atje, pastrojnë hotele, lajnë pjata, bëjnë shërbime si kamarierë, punojnë si kuzhinierë dhe janë të përfshirë në të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me turizmin, të vijnë këtu, pa humbur kohë sepse në mënyrën më absolute, me laps në dorë në fund të muajit u ngelen më shumë këtu se atje.
Ju them njëkohësisht të tjerëve që janë të angazhuar sot në infrastrukturën, patjetër shumë mbresëlënëse, që ka Greqia në industrinë portuale që së shpejti Shqipëria do t’u ofrojë atyre punë të mirëpaguar për t’u kthyer dhe për të qëndruar këtu.
E fundit që kam është Durrësi. Durrësi me këtë port dhe me portin turistik që tanimë është në rrugën e vet normale të ndërtimeve për projektin e mirënjohur dhe njëkohësisht me projektet e tjera që ne po zhvillojmë apo që ne po bëjmë gati për të zhvilluar, më në fund do të ketë të gjithë atë peshë që ne duam t’i japim dhe patjetër që do të fitojë atë reputacion, do të rifitojë atë reputacion që ka pasur në kohëra shumë të vjetra kur ishte pikë referimi, sidomos në marrëdhënien me Italinë.
Marrëdhënia me Italinë për ne është një marrëdhënie speciale.
Ne kemi, fatmirësisht, shumë miq, por Italia është më shumë sesa kaq. Këtë e dinë të gjithë, nuk besoj se është arsye për të qenë xhelozë, megjithëse kam vënë re që Shqipëria i bën të gjithë të bien në dashuri dhe pastaj dashuria dhe disa i shtyn nëpër disa xhelozira të çuditshme. Kur bie në dashuri dhe një holandez; holandezët nuk shquhen për rënie në dashuri sepse dashuria e holandezëve kalon përmes llogarive, duke qenë tregtarët më të mëdhenj të botës dhe duke qenë magjistarë që përmes tregtisë kanë bërë një vend aq të vogël një vend aq influent, një vend aq të jashtëzakonshëm për nga suksesi, për nga ekonomia, për nga të ardhurat, dashurinë e kanë pasur gjithmonë të dytën dhe përgjithësisht u ka kaluar përmes llogarisë.
Megjithatë, Eriku e tha dhe fakti që e thotë një holandez është shumë sepse nuk e thonë fare, asnjëherë që “Kam rënë në dashuri me Shqipërinë”, por ne e kemi konstatuar që Shqipëria i ka hyrë Erikut dhe i ka pushtuar një pjesë të vogël, por strategjike të hapësirës së tij të menduarit si tregtar holandez, gjë që ka influencuar dhe kompaninë sepse kontrata që kemi lidhur me kompaninë për mbikëqyrjen e punimeve është një kontratë shumë e mirë për ne, duke pasur parasysh kërkesat e fillimit që ishin më të larta.
Kjo na jep shpresë që duke të mbajtur këtu Erikun edhe nja 3-4 vjet të tjera, gjysma jote do të bëhet shqiptare edhe do jetë shumë mirë për Shqipërinë. Mund të krijosh problem me kompaninë në Holandë, por ato i zgjidhni vetë sepse ju keni mundësi t’i mbani edhe ato lëshimet që mund të bëni herë pas here.
Përtej shakasë që në këtë rast është shumë më tepër se gjysma e të vërtetës, unë dua t’i shpreh një falënderim jo për formalitet, nuk e bëj asnjëherë, edhe miqve që janë këtu, ambasadorit të Holandës, ambasadorit të Italisë, ambasadores së Francës për faktin që nuk janë këtu formalisht, por janë këtu sepse na kanë mbështetur për të përcjellë tek kompanitë e mëdha të vendeve të tyre këtë mundësi të re në industrinë detare të Mesdheut.
Në mënyrë të posaçme dua të falënderoj ambasadorin holandez për faktin që duke qenë edhe ana tjetër e këtij procesi, pra ana e konsulencës, që është në partneritet me qeverinë shqiptare, holandeze ka qenë shumë e rëndësishme, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e qeverisë përmes ambasadorit të Holandës dhe në fakt, dua ta them të tërën, ka qenë dhe shumë e rëndësishme për mua personalisht dhe për ne sepse Holanda është vendi më rigoroz kur vjen fjala për të pranuar progresin e tjetrit, më i vështiri. Dihet botërisht, kush do te hyjë në Bashkimin Europian, llogarinë e fundit e ka me holandezët. Të tjerët edhe emocionohen, holandezët…
Fakti që ne këtu kemi ekselencën holandeze tregon që kur vjen puna për kompanitë holandeze, kur vjen puna për forcat holandeze që futen këtu, Shqipëria është vend perfekt. Hajdeni se këtu mund të bëni çdo gjë siç duhet dhe sipas rregullave dhe këtë e dëgjoj nga qeveria dhe nga ambasadori.
Ky për ne është vlerësim dhe është një kënaqësi e veçantë.
Shumë faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë dhe sukses kompanive.
Sot mu kujtua që ky proces me kompanitë ka nisur një vit e kusur përpara në Pallatin e kongreseve kur ne kemi prezantuar idenë dhe 40 kompani ishin aty së bashku me grupet e ekspertëve të tyre për të ndjekur këtë proces. Dhe këtu sot janë rreth 15 përfaqësues të kompanive që kanë ardhur për të dëgjuar. Tenderi ndërkombëtar është i hapur, është në portal, siç e tha Eriku dhe merreni me seriozitet, merreni me bindjen që do të jetë një proces absolutisht transparent, por mos harroni që nuk keni vetëm ne mbi kokë, por keni edhe peshkatarët holandeze. Kështu që zgjidheni që në fillim, bëni delfinin edhe të fitojmë të gjitha palët. Harrojeni peshkaqenin, atë shkoni bëjeni në ndonjë vend tjetër jashtë Europës ku ka plot porte që ndërtohen.
Shumë faleminderit!