Pediatria e re e Elbasanit, një investim i qeverisë shqiptare, ka hapur dyert në shërbim të fëmijëve të qarkut të Elbasanit dhe zonave perreth.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër investimin e ri, i cili garanton shërbim me standarde dhe kushte bashkëkohore.
Gjatë inspektimit, Kryeministri Edi Rama u shpreh: “Ka qenë tmerr, tani pediatria ofron kushte optimale, super, super”.
“Spitali Pediatrik i Elbasanit është një angazhim i përmbushur, që i siguron shërbime cilësore më shumë se 20 mijë fëmijëve që marrin shërbim çdo vit në këtë spital. Se si kanë qenë kushtet e spitalit Pediatrik atë e dinë fare mirë të gjithë mjekët, infermierët e këtij spitali. Por për të thënë të vërtetën tashmë korpusi i Spitalit të Elbasanit është një korpus i mirëinvestuar, për nga pikëpamja e infrastrukturës spitalore por edhe për nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorit që tashmë janë përfshirë në gjiithë programin e zhvillimit spitalor. Është një spital që ka 60 linja oksigjeni, pra i përgjigjiet gjithë atyre emergjencave shëndetësore që mund të ndodhin në të ardhmen”, tha Manastirliu.
Duke folur për investimet në sektorin e Shëndetësisë, Manastirliu tha se pavarësisht pandemisë COVID19, janë përmbyllur vepra të mëdha: “Me programin e nënës dhe fëmijës, vetëm këtë vit ne i’a kemi dalë që, edhe pse një periudhë sfiduese, të kemi të përfunduara tre vepra të mëdha, QSUT, fazën e parë të Spitalit Pediatrik, Maternitetin e Beratit dhe ky është spitali i tretë që përfundojmë brenda këtij viti. Ndërkohë vijojmë investimet. Spitali i Kukësi përfundon në qershor-korrik. Ndërkohë jemi gati të përfundojmë spitalin e Kurbinit. Dhe Tirana që është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme brenda këtij viti do të finalizohet”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se mjekët e rinj specialistë do të vendosen sipas nevojave në spitalet rajonale për të ofruar shërbim afër vendbanimit.
“Përfundojnë specializimin këtë vit 116 mjekë, të cilët do të shpërndahen sipas nevojave të vendit në spitalet rajonale. Ne do të fillojmë shtrirjen e specializimeve në spitalin e Durrësit, edhe në spitalin e Elbasanit, sikurse e kemi vendosur, por gjithashtu edhe në spitalin Memorial të Fierit, ku përgatitemi për të shtrirë specializimet. Sivjet hapim 100 kuota të reja në mjekësi edhe ky është një lajm i mirë. Sepse përgatitemi pikërisht për të përballuar kërkesat për të ardhmen për mjekë të përgjithshëm por edhe për mjekë specialistë. Ndërkohë që 50 kuota duam që t’ja japim për Universtitetin e Durrësit dhe sigurisht pastaj për të kombinuar specializimet në spitalet rajonale sepse tashmë jemi gati”, tha Manastirliu.
Pas Pediatrisë së Durrësit, investimit madhor për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i Pediatrisë së Fierit, Pediatria e re e Elbasanit është një tjetër investim i buxhetit të shtetit në sektorin e shëndetësisë me në fokus modernizimin e spitaleve pediatrike dhe transformimin e tyre në spitale miqësore për fëmijët. Rikonstruksioni i Pediatrisë së Elbasanit në vlerë 330 milionë lekë, ka përfshirë një sipërfaqe rreth 3000 m2 si spital, duke plotësuar nevojat e qarkut të Elbasanit. Spitali i ri ka 75 shtretër, 15 janë shtretërit në urgjencë, 60 shtretër në shërbime.
Përveç investimeve në infrastrukturë, 4.2 milionë euro është buxheti i vendosur në dispozicion që brenda këtij viti, të rinovohet flota e pajisjeve mjekësore me 4 skanera të rinj në spitalet universitare e rajonale, me angiograf të ri për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe 10 grafi të reja për poliklinikat dhe spitalet.