Hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit, Ministri Nufi: Hap strategjik për modernizimin e Forcës Ajrore
Në Bazën Ajrore të Rinasit u inaugurua Shkolla Kombëtare e Fluturimit, një investim i ri në kuadër të modernizimit të Forcës Ajrore Shqiptare, që synon përgatitjen e pilotëve, ushtarakëve dhe kontrollorëve të fluturimit sipas standardeve të NATO-s.
Gjatë ceremonisë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi shkollën si një kapacitet të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, duke theksuar se ajo përfaqëson një investim afatgjatë në formimin profesional të personelit ushtarak dhe në zhvillimin e aftësive të vendit në fushën e aviacionit ushtarak dhe sigurisë ajrore.
Sipas ministrit, hapja e shkollës është pjesë e procesit të modernizimit të Forcave të Armatosura, me fokus në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe modernizimin teknik, si dhe në përgatitjen e brezit të ri të specialistëve të mbrojtjes. Ai nënvizoi se investimi do të kontribuojë në rritjen e standardeve profesionale të pilotëve, ushtarakëve dhe kontrollorëve të fluturimit, ndërsa paralelisht po vijon edhe forcimi i kapaciteteve trajnuese të Forcës Detare dhe Forcës Tokësore.
Shkolla Kombëtare e Fluturimit është ngritur në partneritet me kompaninë Elbit Systems, ndërsa ambientet e saj janë pajisur me dy helikopterë trajnimi Bell 505 dhe do të plotësohen me një simulator fluturimi të teknologjisë së fundit, me synim licencimin sipas standardeve të NATO-s. Programi i studimit do të zgjasë 18 muaj, me 12 muaj përgatitje teorike dhe 6 muaj praktikë. Brezi i parë përfshin 25 kursantë, 18 ushtarakë dhe 7 civilë, ndërsa objektivi i shkollës është certifikimi i pesë pilotëve të rinj çdo vit.