Hapja e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Hapja e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano

Fjala e Ministres Belinda Balluku në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano:

Përshëndetje të gjithëve,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Të ftuar ambasadorë,

Sot është një ditë tjetër e veçantë për ne dhe them e veçantë dhe e shënuar, pasi ky ka qenë një vit i shkëlqyer përsa i përket gurëve kilometrikë që kemi vendosur në infrastrukturën shqiptare. Një vit i veçantë ku janë realizuar projekte historike të cilat do të jenë aty për të ngritur themelet e Shqipërisë 2030.

Tuneli i Llogarasë, një ëndërr në sirtar, e cila ka qenë premtim i çdo qeverie, i pa mbajtur, por që sot është një realitet që shqiptarët po e prekin, ashtu si edhe Korridori Blu me segmentin e tij të parë, Thumanë-Kashar dhe që shumë shpejt në ditët në vazhdim do t’i bashkohen dhe kontratat e reja të cilat janë negociuar dhe janë gati për firmosje, për të plotësuar segmentet e tjerë që do të lidhin Shqipërinë me Malin e Zi dhe me Greqinë.

Ndërkohë, duhet thënë që ky vit, me të vërtetë është një vit shumë i rëndësishëm për ne, por viti që do të vijë do të jetë akoma më i rëndësishëm për të gjithë punët dhe detyrat që kemi vënë përpara. Megjithatë, përpara se të përfundojë 2024, ne do të dorëzojmë edhe 3 projekte të mëdha, që është projekti i Aeroportit të Vlorës, një ëndërr tjetër e shqiptarëve për të patur një portë tjetër nga ajri në jug të vendit. Unaza e Madhe e Tiranës e cila quhet Unaza e Tiranës, por është një unazë e rëndësishme infrastrukture, e cila do të lidhë të gjithë autostradat e vendit me kryeqytetin. Dhe padyshim, tuneli i Murrizit, që është si ai Unicorni Eleonorë, i pakapshëm prej shumë vitesh, dhe ndërkohë që dorëzonim tunelet e tjera të rrugës së Arbrit, tunelin e Skërficës apo tunelin e Llogarasë, vazhdonim dhe punonim intensivisht në atë tunel si për të na sfiduar për kapacitetet tona inxhinierike dhe teknike. Por, sigurisht do t’ia dalim dhe 31 dhjetori i 2024 do të jetë përmbushja e shumë prej ëndrrave historike të shqiptarëve.

Ndërkohë, sot çelja e garës për ndërtimin e Porto Romanos është një nga momentet më të veçanta në ndërtimin e infrastrukturës portuale të vendit, që do të shënjojë këtë rrugëtim ambicioz të Qeverisë Rama për Shqipërinë 2030. E kemi quajtur porti i shqiptarëve, pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë edhe Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata, përkatësisht në Prishtinë dhe në Strugë.

Në bashkëveprim me NATO-n kemi nisur prej kohësh të punojmë për financimin e zonës portuale ushtarake të Porto Romanos, çka jo vetëm do të forconte ndjeshëm dimensionin e sigurisë së Shqipërisë, por edhe rolin e vendit tonë në hapësirën e aktivitetit të NATO-s. Me ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, ne do të bëjmë realitet premtimin për t’i dhënë Durrësit dhe Vlorës, dy porte secilit qytet. Portet komerciale dhe sigurisht marinat detare, por nuk do të ndalojmë këtu pasi Saranda dhe Lezha do të jenë ato që pasojnë dhe vijojnë axhendën tonë të infrastrukturës.

E thënë kështu, duket si një rrugë e lehtë dhe si një rezultat që do të vijë shpejt, por unë dua të ndaj me ju që sot, këtu kurorëzohen 4 vite punë. Katër vite punë intensive, nga një ekip i gërshetuar prej ekspertësh numri i tyre arrin deri në 100. E diskutonim mbrëmë me Pirron duke i kaluar të gjithë ato momente dhe duke kujtuar se kush janë të gjithë ata njerëz që kanë kontribuar për të arritur sot në këtë ditë. Janë mbi 420 mijë orë pune, një mal me analiza dhe studime që po të vendosnim këto letra A4 t’i shtrinim në bregdetin shqiptar, ndoshta nuk do të mjaftonte.

Dhe ja ku jemi sot me 15 kompani ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për të qenë pjesë e garës, dhe padyshim duhet të them se 5 prej tyre ndoshta edhe më shumë, janë kompani nga më prestigjiozet në Europë.

Ky interes na nderon padyshim. Dhe na vë në kushtet e një përgjegjësie të madhe, por fillimisht më lejoni t’ju them se cilat janë arsyet që kjo sipërmarrje është jo vetëm e dobishme për vendin tonë, por unë do ta quaja jetike për ekonominë dhe për zhvillimin e Shqipërisë, madje të të gjithë rajonit. Këtë do t’ua shpjegoj më qartë një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, Erik Smit, drejtues i ekipit të konsulentëve të Royal Haskoning me të cilin e kemi bërë këtë rrugëtim nga dita e parë, dhe që unë kam kënaqësinë e madhe të them se Eriku dhe skuadra e tij do të jenë me ne edhe në vazhdim për të bërë një proces shumë të rëndësishëm që është ai i vlerësimit të ofertave dhe i mbikëqyrjes së tyre më pas.

Dua të them pak fjalë pse kjo vepër infrastrukture është kaq e rëndësishme. Pasi duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë se ai që kemi sot në qytetin e Durrësit, duke i dhënë kështu Shqipërisë, mundësinë për t’u kthyer në një hab në mes të Mesdheut dhe për t’i shërbyer jo vetëm vendit, por edhe të gjithë rajonit. Nga ana tjetër, duam të ndërtojmë një terminal kontenierësh trefish më të madh të gjelbër dhe të automatizuar. Duam të ndërtojmë sipërfaqe të dedikuara për entet ligjzbatuese të cilat duhet të operojnë në territorin portual të Porto Romanos në komoditet të plotë, për të përmbushur detyrat e tyre. Duam të zhvillojmë një infrastrukturë detare që hedh bazat për një zhvillim të mëtejshëm sa herë që do na duhet të rrisim kapacitete dhe për të mos qenë të ngurtë dhe të kufizuar nga territori. Duam gjithashtu që të ngremë një infrastrukturë e cila do të sigurojë mundësinë e ndërtimit të një baze autonome detare në kuadër të bisedimeve tashmë të maturuara me aleatët tanë në NATO. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, duam të ndërtojmë një zonë logjistike, për të tërhequr investitorë të huaj në zemrën e aktivitetit tonë ekonomik dhe industrial.

Durrësi dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje, të pandara, të pandashme dhe që kompletojnë njëra-tjetrën. Dhe kur themi Durrësi do të ketë dy porte, sot kjo ambicie nuk është më një realitet i një ëndrre, por është një realitet i prekshëm. Dhe sot në mëngjes tek isha ulur me Anin dhe po prisnim të vinim këtu, kryetaren e Bashkisë së Durrësit, po thonim se sa shpejt kaloi koha dhe sa shumë punë kemi bërë, por ja që tashmë edhe ky projekt do të realizohet. Dhe nëse dikur na paragjykonin, mbaj mend flitej për 3D që ne shfaqnim dhe që nuk realizoheshin kurrë, ka ca vite, nja dy ndoshta dhe ca muaj, që nuk e dëgjoj më këtë historinë e 3D-ve. Ndoshta që kur përfunduam aeroportin e Kukësit. Tashmë askush nuk mund të flasë për 3D e fushatave, pasi projektet janë të prekshme dhe janë në funksion të qytetarëve.

Në kushtet ku një investim i këtyre përmasave është risi për Shqipërinë, por jo vetëm për Shqipërinë edhe për vende të tjera do të thoja unë, kjo duket edhe nga interesi i kompanive të cilat duan të marrin pjesë në garë, nevojitet padyshim një ekspertizë ndërkombëtare në procesin e tenderimit, negocimit dhe monitorimit të kontratës. Ndaj dhe kemi vendosur që të kemi në krah totalisht të angazhuar në procesin e vlerësimit të garës, në procesin e negocimit dhe të menaxhimit të kontratës konsulentët tanë të Royal Haskoning dhe teksa kompanitë garuese do të përgatiten për të ardhur me propozimet e tyre teknike dhe financiare kini parasysh se mbas platformës elektronike do të jenë të ulur ekspertët e Royal Haskoning për të dhënë përgjigje për çdo pyetje dhe paqartësi.

Tashmë prej vitesh kemi krijuar një sistem të ri, transparent, i cili është kontribuuesi kryesor pse sot kompanitë ndërkombëtare vijnë dhe garojnë në garat tona të energjisë, në garat tona të infrastrukturës. Është kjo transparencë që ka krijuar kushtet sot që Shqipëria të jetë po aq atraktive për këto kompani ndërkombëtare sa çdo vend tjetër Europian.

Para se të ftoj këtu Eric Smit, për të dhënë informacionet e nevojshme lidhur me teknikalitetet e kësaj gare, përsa i përket të gjithë dokumentacionit që duhet të dorëzohet, përsa i përket afateve, përsa i përket momentit tjetër historik atë të nënshkrimi të kontratës, unë do të desha që të falënderoja të gjithë bashkëpunëtorët e mi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e palodhur që kanë bërë. Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Autoritetit Portual të Durrësit, Forcën Detare që ka qenë me ne gjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe padyshim edhe Universitetin Politeknik të Tiranës.

Para se ta mbyll do të desha që të falënderoja mikun tim Pirro Vëngun, drejtorin e Portit të Durrësit, që duke nisur nga sot pasdite do të jetë kolegu im, Ministri i Mbrojtjes. Pirro kur ka ardhur në portin e Durrësit ka ardhur si një diplomat dhe mbaj mend që Kryeministri thoshte në atë kohë sesi mundet një diplomat të mbijetojë në portin e Durrësit, ku sido që të jetë detaria është me të vërtetë një fushë e vështirë. Por Pirro ja doli dhe u bë më shumë se një drejtor i një porti. U bë një person që la gjurmën e vet në këtë projekt të ri dhe unë jam shumë e sigurtë që tashmë nga detyra që ai do të ketë do të punojë akoma më shumë për të realizuar atë pjesë të këtij projekti që është kaq e rëndësishme, ndërtimin e bazës së NATO-s në brigjet e Mesdheut.

Shqipëria ka treguar dhe ne kemi dëshmuar dhe njëherë që kemi njerëz punëtorë, njerëz të dedikuar dhe nëse kemi përkrah partnerë të mirë të cilët na kalojnë një pjesë të eksperiencës të tyre ne ia dalim që të bëjmë punë të vështira dhe projekte të mëdha.

Do të doja të falënderoja dhe Kryeministrin për të gjithë angazhimin që ka pasur në këtë projekt. Besojeni apo jo, ne e kemi informuar atë pothuajse çdo javë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për të na motivuar dhe për të ecur përpara.

Shumë faleminderit!

Previous Hapet gara për ndërtimin e një prej projekteve më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin, Portit të Ri në Porto Romano