Nën drejtimin e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja dhe kryetares së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit znj.Naureda Llagami, u zhvillua tryeza e fundit konsultative lidhur me riorganizimin e hartës gjyqësore në Shqipëri, ku këtë rradhë ishin të ftuar përfaqësues të biznesit. Në fjalën e tij, Ministri I Drejtësisë z.Manja ka shpjeguar ecurinë e deritanishme të kësaj iniciative, shkaqet dhe përfitimet që lindin prej saj. Ai ka përmendur se përveç zbatimit të ligjit, harta e re gjyqësore është edhe një mundësi që qytetari të përftojë akses më të mirë, dhe vendime më të shpejta. Duke treguar se propozimi është që nga 24 gjykata të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm të jenë 12, nga gjashtë Gjykata Apeli të jetë një Gjykatë Apeli dhe nga gjashtë Gjykata Administrative të shkallës së parë, të jenë dy, ai ka theksuar se: “Duket si një përcaktim mekanik, por që në esencë lidhet me cilësinë dhe shpejtësinë e dhënies së drejtësisë, duke shkuar drejt gjykatave të specializuara, drejt gjykatave të mëdha, sepse njerëzit e fushës e dinë shumë mirë se gjykatat e mëdha, gjykatat e specializuara kanë tendencën për të pasur cilësi më të mirë të vendimarrjes, por edhe shpejtësi në dhënien e vendimeve”. Z. Manja ka mohuar që proçesi I vetingut të ketë ndikim në riorganizimin e hartës gjyqësore, ndërkohë që sipas tij riorganizimi I hartës duhet të ishte bërë kohë më parë. Ministri I Drejtësisë ka shpjeguar edhe si do të vazhdohet më tej me fazat e tjera. “Do të ulet përsëri grupi I punës, do të marrim në analizë dhe shqyrtim të gjitha sugjerimet që janë bërë për hartën e re gjyqësore. Do të ketë një draft të konsoliduar final, I cili do t’I nënshtrohet konsultimit publik me Prokurorinë e Përgjithshme, me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Ministrinë e Financave për të patur dhe kostot financiare të hartës. Më pas drafti do t’I drejtohet me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, këshillit të Ministrave”, ka thënë z.Manja.Më pas, përfaqësues të ndryshëm të biznesit kanë parashtruar propozimet, sugjerimet, apo edhe kundërshtitë e tyre, të cilat janë diskutuar dhe shpjeguar nga drejtuesit e tryezës. Në fund z.Manja ka shpjeguar se harta e re gjyqësore hyn në fuqi, 6 muaj pas miratimit dhe kjo periudhë transitore jep mundësi për një fazë edukimi ligjor të qytetarëve, por edhe për sistemimin e logjistikës.
mbyll
media
Kontakt
Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.
e-mail: info@mia.gov.al