Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij në Forumin Strategjik të Bled, deklaroi se Shqipëria po vendos rininë në qendër të procesit të integrimit evropian, duke e konsideruar atë si motorin kryesor të së ardhmes së Ballkanit Perëndimor.
Në diskutimin me homologët rajonalë mbi temën “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim”, Hasani nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të të rinjve për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe shoqëror, duke theksuar se përfshirja e tyre është thelbësore për suksesin e integrimit evropian.
Gjatë Forumit, ministrat e jashtëm të rajonit, të ftuar nga homologja sllovene Tanja Fajon, trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hasani e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në BE si qëllim kombëtar dhe një domosdoshmëri për stabilitetin dhe të ardhmen e përbashkët të rajonit.
Përgjatë ditëve të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bled, Hasani zhvilloi takime bilaterale me homologë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, mes tyre me Ministrin e Shtetit në Zyrën Federale Gjermane, Ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, përfaqësues të Këshillit Atlantik, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë.
Forumi Strategjik i Bled mblodhi liderë dhe vendimmarrës nga rajoni dhe bota, duke u përqendruar këtë vit në sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe rolin e të rinjve në të ardhmen evropiane të rajonit.