Nisi sot shpërndarja e titujve të pronësisë për të gjithë shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale me probleme kronike, si Thethi, Vermoshi, Tropoja e me radhë në veri dhe Himara e Saranda në jug.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Himarë, nga ku nisi ky proces i shumëpritur për banorët me shpërndarjen e 437 titujve të pronësisë.
Në takimin me banorët e zonës, Kryeministri tha se “Nuk ka asnjë metër katror nga Llogaraja deri në Ksamil që t’i jetë marrë një pronari legjitim apo një trashëgimtari dhe t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Ideja që nga Tirana ka një plan për t’i zhveshur himarjotët nga pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve është një poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real.”
* * *
Mirëdita dhe faleminderit shumë qe jeni këtu sot dhe që po qëndroni, pjesa më e madhe në diell për një aktivitet që është i rëndësishëm për shumë arsye, por unë dua t’ju shpjegoj pak atë që tha Vangjeli përpara meje, çështjen e zvarritjes së gjatë në kohë të dhënies së certifikatave për shtëpitë e trashëguara në radhë të parë, sepse është folur shumë dhe është abuzuar shumë, duke e treguar këtë çështje si një çështje që lidhet thjeshtë dhe vetëm me Himarën, madje ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore nga ata që nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveç shfrytëzimit të shqetësimit legjitim të banorëve për të çuar përpara interesat e tyre shumë të ngushta politike, interesa të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje, as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët.
Unë dua t’ju them këtë, që të njëjtën çështje, të njëjtin shqetësim, të njëjtin problem pa asnjë dallim e kanë banorët e Thethit, e kanë banorët e Tropojës, e kanë banorët e Kukësit, e kanë banorët e Malësisë së Madhe dhe e kanë banorët e Himarës, deri poshtë në Sarandë. Është njësoj komplet, nuk ka asnjë ndryshim. S’ka pasur kurrë dhe s’ka si të ketë asnjë lloj qëllimi apo asnjë lloj prapamendimi për ta penguar zgjidhjen e këtij problemi, aq më tepër pastaj që unë nuk jam nga Tropoja, unë jam edhe nga Himara që do të thotë, që nuk do kisha asnjë arsye në botë që të mos bëjë ta pamundurën njësoj, si për Tropojën, si për Himarën, si për Thethin, Malësinë e Madhe, Kukësin dhe Sarandën.
Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin, me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemimit dhe pasi në shumë zona, nuk është pranuar ligjit 7501 dhe nga ana tjetër, janë bërë shumë paudhësi me të ashtuquajturat AMTP, që ju i dini më mirë sesa unë dhe kjo ka penguar edhe vetë regjistrimin e shtëpive të trashëguara, të cilat kanë qenë aty dhe janë aty në radhë të parë. Këtu pastaj është shtuar edhe një tjetër shtresë poshtërsie propagandistike, sikur kjo bëhet për t’i marrë pronat banorëve dhe trashëgimtareve legjitimë të Himarës dhe për t’ia dhënë të ashtuquajturve oligarkë.
Tani ju e dini më mirë nga të tërë, sepse ju jetoni këtu, që e para, nuk ka asnjë metër katror nga Llogoraja deri në Ksamil që të jetë marrë një pronari legjitim, apo një trashëgimtari dhe t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Por ka patjetër situata të rënda që janë zhvilluar në vitet përpara se ne të vinim në qeveri, ku me AMTP-të është bërë një lojë shumë e ndyrë, kriminale dhe ku në pika të caktuara janë shfaqur përmes tyre si pronarë, individë të lidhur me pushtetin e atëhershëm, – ju i dini mirë si janë e ku janë, – të cilët i kanë vënë trashëgimtarët përpara një zgjedhjeje që, ose të pranojnë të shesin pronën e tyre, nuk ka një metër katror këtu që nuk është shitur nga pronarët, por asokohe shitja kishte mbi kokë edhe kërcënimin që po e shite, ti s’ke për ta gëzuar asnjëherë, se këtu s’ka për t’u bërë kurrë asgjë, se vetëm ne e bëjmë…
Kjo ka qenë historia më parë dhe kush thotë që janë marrë pronat himarjotëve, trashëgimtarëve dhe i kanë kaluar dikujt tjetër pa atë miratimin e tyre, thotë një gënjeshtër shumë të madhe.
Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, ndërkohë që e dimë shumë dhe ju e dini dhe më mirë sesa ne, që jo vetëm prej vitesh tanimë, këtu, pronat shiten nga banorët, nga trashëgimtarët që mund të jenë këtu, mund të jenë jashtë, për zhvillim, dhe shiten me çmime që nganjëherë janë dyfishi apo trefishi i çmimeve në Korfuz, por shiten dhe nga dy herë, shiten dhe nga 3 herë për faktin që zhvilluesit për të mos pasur probleme, kur dikush tjetër i paraqitet pasi ata kanë bërë kontratën me njërin dhe i thotë ‘’shiko se këtu e kam unë’’, e paguajnë dhe atë, paguajnë dhe të tretin për të njëjtën tokë, që të jemi shumë të qartë dhe t’i themi gjërat siç janë.
Pra, ideja që nga Tirana ka një plan për të zhveshur himarjotët nga pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve, është një poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real. Le të dalë njëri dhe të thotë; ‘’mua ma morën dhe unë s’dija gjë fare’’. Nuk ekziston. Dhe edhe një herë tjetër, që të jemi të qartë, flasim për prona, të cilat janë të mbështetura në letra dhe pronat e mbështetura në letra janë në letra që janë të lidhura me banorë këtu, nuk janë në letra që janë të lidhura me njerëz që janë në Hënë dhe natyrisht e thashë dhe më parë, që ka probleme të regjistrimit, ka konflikte dhe mosdakordësi mes banorëve apo dhe brenda një familjeje; sa e kam unë sa e ke ti dhe kjo shkakton atë që thashë, që për këtë arsye dhe shpeshherë pronat këtu shiten nga dy herë e nga tre herë për të njëjtin metër katror. Dhe mos t’i ngatërrojmë këto dy gjera. Unë flas me fakte, nuk flas me fantazi. Flas me fakte! E njoh kaq mirë, me besoni e njoh kaq mirë. Secili nga ju njeh pjesën e tij, unë njoh pjesën e të gjithëve sepse jam marrë me këtë gjë. Pretendimet e brendshme janë pafund këtu, “E kam unë apo e ke ti”, midis jush për shkak të asaj që thashë qeparë, të mungesës së regjistrimit sepse në mënyrë të përsëritur e kemi bërë thirrjen për të bërë aplikimet për regjistrim dhe ia u bëj prapë. Dhe këto 437 dokumente, certifikata që kemi këtu sot, plus dhe disa të tjera që janë gati, por nuk janë këtu, dhe janë dhe 4000 për t’u bërë, janë bërë, po ju them unë, janë bërë me shtytjen me hosten nga mbrapa për pjesën më të madhe falë prefektit të cilit ia kam kërkuar që ditën e parë.
I kam thënë: Do jesh prefekti i Vlorës dhe ke prioritetin numër një, dhënien e certifikatave të shtëpive të trashëguara të të gjithë himarjotëve. Si fillim! Po ama ja ku i keni dhe prefektin dhe Drejtoren e Përgjithshme të Kadastrës që të dëshmojnë çfarë vështirësie ka për t’iu bërë që të aplikoni dhe pastaj për ta bërë aplikimin si duhet sepse duhen bërë letrat siç duhet sepse këto certifikata nesër mos t’i kontestojë dot dikush tjetër, të vijë njeri nga fundi i botes dhe të thotë: jo, është e imja! Një kushëri atje, se e njoh mirë shumë unë këtë zonë. E njoh mirë e kam në gjak dhe ia di tërë historitë. Kështu që, mund të flisni çfarë të doni me ndonjë që vjen nga Durrësi dhe s’di c ‘bëhet. Por e njoh mirë dhe e di mirë se çfarë janë këtu edhe konfliktet e pronës brenda për brenda familjeve.
Fatmirësisht, unë vetë dhe e ndjera imë më nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini shumë mirë se ku e kemi rrënjën këtu, asgjë! Kurrë! Asnjë metër katror. Por ama, kjo nuk do të thotë që nuk di historinë, edhe të pronës sonë atje, dhe të pronave të tjera, dhe të kushërinjve dhe të fëmijëve të kushërinjve dhe të nipërve dhe mbesave të kushërinjve, dhe të krushqve dhe të të gjithëve!
I di mirë! Kështu që, ti ndajmë gjerat. Çfarë është e shtetit është e shtetit. Çfarë është e jotja është e jotja, çfarë është e krushkut është e krushkut kështu që ta mbajë secili përgjegjësinë e vetë. Përgjegjësia jonë ka të bëjë me atë që thashë më parë dhe fakti që sot po e bëjmë këtë proces nuk po e bëjmë se e ka vetëm Himara. Do më shikoni pas disa javësh, besoj në fund të qershorit do jem në Theth. Dhe atje të njëjtën gjë, shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë certifikatat akoma sot, por jo për faj apo për ndonjë plan të ndonjërit për t’iu marrë shtëpitë dhe për të ndërtuar se dhe atje është zonë turistike, edhe atje shkojnë turistë, siç vijnë dhe këtu. Është një nga pikat më të vizituara sot. Edhe atje çmimet rriten, edhe atje hotelet janë plot dhe s’gjen vend. Pra, është një problem që nuk ka të bëjë fare me të gjithë broçkullat, fantazitë dhe poshtërsitë propagandistike që ju kanë mbushur kokën dhe më vjen shumë keq për këtë.
Më vjen shumë keq për këtë. Nuk di, nuk dimë ne fare këtu “jo, ky është kështu, jo ky është ashtu. Himarjoti është himarjot dhe pik. Secili e di vetë nga vjen, secili e di vetë nga i ka rrënjët. Secili e di vetë historinë, ama ne nuk i ndajmë as shqiptarët as në veri, as në jug, as në tropojanë, as në sarandjotë e jo më të ndajmë himarjotët. Të jeni shumë të qartë për këtë. Kush ju thotë tjetër, shikojeni mirë për çfarë ua u thotë dhe ku do të dali. Edhe ju nuk jua u ha qeni shkopin. Shqiptarëve nuk ua ha qeni shkopin për polikë. Janë populli me instinktet më të forta politike. S’ia u ka ngrëne kurrë asnjeri se iu është forcuar instinkti se kanë patur të bëjnë me lloj-lloj situatash në shekuj. Por mes shqiptarëve himarjotet janë njisha.
Politikë nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër. Dhe jo politikë lokale, politike globale. Politikë globale! Kur isha i vogël dhe ndaloja tek ajo kafja në Vuno, pleqtë e Vunoit flisnin për botën dhe dukeshin si këshilli i sigurimit, që do merrnin vendim në fund se çdo ndodhte me Afrikën e Jugut.
Atje e kam dëgjuar unë për herë të parë emrin e Nelson Mandeles për shembull, tek kafja e Vunoit atje.
Kështu që, të jemi shumë të qartë. Certifikatat e shtëpive, se dëgjova njërin që bërtiti andej – se këta që bërtasin andej nëpër cepa nuk e di unë se çfarë himarjotësh janë se himarjotët zakonisht i vënë gjoksin dallgës ditën dhe natën nuk shkojnë nëpër cepa sikur janë nga Shijaku (nga Shijaku në kuptimin që shijakasit janë larg detit).
Kështu që, ju e dini mirë se çfarë ka deti dhe ditën dhe natën. Kështu që nuk ju shpëton gjë. Prandaj mos bini pre e këtyre broçkullave se nuk e do njeri Himarën më shumë sesa e doni ju që jetoni këtu apo ata që e kanë lënë për arsye që dihen dhe nuk ka të tjerë. Nuk ka të tjerë që ta duan më shumë se ju dhe nuk ka të tjerë që ta qajnë dot hallin tuaj, siç e qaj unë që jam një nga ju, doni s’doni ju! Jam një nga ju!
Kështu që, certifikatat sot do t’i merrni, një pjesë do ta japim simbolikisht, pjesën tjetër po patët durim aty janë të tëra një nga një, merreni. Dhe ai që bërtiti atje, sa kushtojnë ato? Ato kushtojnë zero lek. Zero! Zero lek! Dhe juve beso dhe kontrollo. Merreni, shkoni në shtëpi edhe do shikoni, xhepin e keni siç e kishit pa e marrë. Asgjë. Të tëra falas, pa asnjë kokërr leku. Se janë shtëpitë tuaja. Ne kemi ndërtuar mijëra e mijëra shtëpi për tërmetin dhe ndryshe nga çdo vend tjetër edhe nga Turqia asnjë kokërr leku nuk i kemi kërkuar atyre që humbën shtëpitë, as nuk iu kemi thënë “hajde merrni një kredi”, asgjë. Janë shtëpitë e tyre, t’i gëzojnë, t’i shesin, të bëjnë çfarë të duan.
Himara ka nevojë për qetësi, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë të ngrihet aty ku mund të shkojë, ka filluar të ngjitet, do ngjitet shumë lart dhe nga ngjitja e saj do përfitoni të tërë ju të parët.
Këto janë ato që kisha unë për të mos ju mbajtur gjatë. Edhe njëherë bëni himarjotin, bëni himarjotin, bëni himarjotin edhe mos shihni as nga veriu as nga jugu se s’keni parë nga veriu dhe nga jugu asnjëherë ju, juve edhe kur të tjerët shkonin andej, shkonin këtej donit të ishin republikë më vetë ju, po pra. Edhe mbreti atëherë e kuptoi o duhet t’iu linte të qetë ose do i çanit kokën me gurë. Kështu që kështu mbajeni, rrini këtu, veriu dhe jugu të shohin punët e tyre. Dakord!
(Një nga banorët pyet kryeministrin lidhur me problematikën e pronës së tij)
Kryeministri Edi Rama: Nipi shiti tokën, ti s’je dakord me nipin. I di unë këto. Nipat ua kanë sjell sherrin këtu, se nipat duan t’i shesin, ju doni t’i mbani. E pastaj ju fusin në sherr juve, I di unë, e pastaj çohen të tjerët e thonë “oligarkët”. Çfarë oligarkësh, nipat. Vjen nipi që andej e thotë: “Bjere këtu tokën, merre jepe ik”. Ore nuk ka, nuk ka sepse po them edhe njëherë tjetër, unë nuk flas me llafe, e njoh këtë punë për shkak të detyrës, po ju them në çdo fije floku, I kam parë kontratat, I kam parë të tëra, I kam parë për të kuptuar çfarë bëhet. Po ju them është e kundërta, të jemi realë. Është e kundërta. Paratë që janë bërë këtu nga banorët, tani nipi, stërnipi, po nga banorët me pronat që kanë shitur janë shumë dhe ju e dini shumë mirë që pjesa më e madhe e asaj shume është marrë me çanta, nuk është bërë me laps, normal. Kështu që Korfuzi i merr të keqen Himarës dhe himarjoteve për sa shitet prona këtu.
Po ju them një gjë dhe dua ta dëgjojnë të gjithë, se ju që keni ardhur këto do merrni certifikatat, kush ka ardhur për certifikatat 400 e ca certifikata, ta dëgjojnë të gjithë të tjerët. Aplikoni për të marrë pronën dhe bëjeni aplikimin si duhet, na keni në ndihmë t’iu ndihmojmë. Por pa aplikime me fjalë goje edhe me llafe rruge edhe pastaj fillon, jo ky, jo ai jo ia mori jo s’ia mori, nuk ecim.
4000 certifikatat e shtëpive të trashëguara do të jepen brenda këtij viti, dhe ju lutem shumë prefektura dhe prefekti është adresa për çdo lloj problemi që keni. Për çdo lloj problemi, prefekti ka detyrën kryesore të zgjidhi këtë çështje, duke i qëndruar mbi kokë, duke ndihmuar, duke orientuar, duke ndërlidhur, etj etj, s’keni punë fare ju.
Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe 4 mijë shtëpitë do t’i japim certifikatat brenda vitit, brenda vjeshtës madje.