Hyn në fazën finale konkursi ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve
Konkursi Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve ka hyrë sot në fazën përfundimtare, ku pesë skuadrat finaliste po prezantojnë përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë e tyre arkitekturore për transformimin e një prej hapësirave më simbolike të kryeqytetit.
I pranishëm në nisjen e prezantimeve, Kryeministri Rama theksoi se ka ardhur koha për një transformim tërësor të Pallatit të Kongreseve, duke ruajtur identitetin e tij dhe duke e sjellë atë në standardet bashkëkohore të teknologjisë, funksionalitetit dhe cilësisë së hapësirave. Synimi i këtij projekti është që, përmes riorganizimit dhe rigjallërimit të ndërtesës dhe zonës përreth, Pallati i Kongreseve të shndërrohet në një destinacion të ri të Tiranës turistike, kulturore dhe sociale, duke forcuar rolin e tij si një qendër e rëndësishme e jetës publike dhe aktiviteteve të përditshme të kryeqytetit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjes të gjithëve, edhe besoj që më bukur dhe më në mënyrë shteruese sesa çfarë përshkruan të gjithë protagonistët e thirrur për të ndërtuar dokumentarin e shkurtër, nuk mund dot të them asgjë.
Dua vetëm të falënderoj të gjitha studiot pjesëmarrëse, ka qenë një pjesëmarrje e konsiderueshme, një vendim jo i lehtë për të përzgjedhur 5 finalistët dhe dua të falënderoj edhe Korporatën Shqiptare të Investimeve, duke bërë një përshkrim të bilancit konkret të këtyre konkurseve.
Atëherë sot që flasim bashkë me këtë konkurs jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare. Kemi tre konkurse që janë duke u përgatitur, të gjitha konkurset janë të standardeve më të larta ndërkombëtare, jo vetëm për nga pjesëmarrja e arkitektëve ndër më të mirënjohurit e botës së sotme dhe as vetëm për nga përbërja e jurive ndërkombëtare, por edhe për nga procedurat e ndjekura.
Janë aktualisht 12 kontrata të lidhura, 7 kontrata të tjera janë në proces, 3 masterplane, janë 20 objekte publike për zhvillim. Pra gjithë thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është që duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara ose në nevojë për zhvillim të marrë mbrapsht përfitueshmëri të lartë financiare dhe nga pamja e hapësirës në funksion të publikut, në funksion të nevojave të institucioneve publike dhe përfitueshmëria e korporatës nga kjo fazë e parë e punës së saj është e kuantifikuar bazuar në kontratat e lidhura 523 milion euro.
Pra, mbi gjysmë miliardë euro janë të kuantifikuara në përfitimin direkt të shtetit nga ky aktivitet, ndërkohë që përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar 1 miliardë euro. Dua të theksoj edhe diçka tjetër, sipërfaqja e tokës deri tani 46,700 metra katrorë dhe ndërkohë sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit dhe të institucioneve publike është 267,000 mijë metra katrorë.
Ndërkohë që, patjetër janë 35,000 të përfituara nga sipërmarrja. Pra është një partneritet me sipërmarrje, ku shteti adreson nevoja të vetat, duke në dispozicion njësoj, siç bëjnë të gjithë pronarët legjitim të pronave, asetet e veta, por jo më si në të kaluarën, jo më duke i dhënë ato për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlere të cilat janë në dispozicion po të shtetit.
Mos harrojmë që kemi akoma sot një numër të konsiderueshëm hapësirash ku operojnë institucione publike, të cilat janë me qera që paguajnë për pronarët privat. Këtu po ndodh një spostim të rëndësishëm drejt zotërimit të aseteve nga shteti dhe ndërkohë përmes kësaj po ndodh edhe një transformim i rëndësishëm i strukturës urbane dhe i cilësisë së ndërtimeve që ndodhin.
Në mbyllje, Pallati i Kongreseve është ekzaktësisht ashtu siç u tha nga të gjithë ata që folën në dokumentarin e paraqitur, por nga ana tjetër edhe pse me të drejtë profesori dhe njëri nga autorët arkitekt të pallatit e nënvizoi me habi se si këtij pallat ka rezistuar në 40 vjet nga pamja e infrastrukturës të brendshme, dua të them që ndërtesa ka problem serioze për të adresuar. Është koha vërtetë për një transformim duke ruajtur identitetin e saj dhe natyrisht thirrja në bashkëpunim e sipërmarrjes, nënkupton dhe zhvillimin e një objekti apo një tërësie objektesh, do ta shohim nga propozimet, pranë Pallatit të Kongreseve dhe qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, nga pikëpamja e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht, por edhe që ky pallat dhe kjo zonë, të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, i Tiranës kryeqytet i shqiptarëve i Tiranës së aktiviteteve kulturore dhe i Tiranës se aktivitetit të përditshëm social, duke mos e lënë një ishull që është gjithmonë një “ishull i heshtur” kur nuk ka një aktivitet brenda, duke krijuar dhe këtu jetë siç kemi krijuar dikur rreth gropës së dikurshme të stadiumit, që sot është një pol tjetër i jetës së përditshme dhe të përnatshme këtu.
Shumë faleminderit dhe dua të falënderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e juries, të cilët janë treguar të disponueshëm për të qenë pjesë e këtij konkursi dhe është një eksperiencë e bukur sepse anëtarët e jurisë herë janë të gjykuar, herë janë gjyqtarë dhe sot në rolin e gjyqtari janë tërësisht të relaksuar në ndërkohë që disa gjyqtarë të deridjeshëm do shfaqen këtu shumë të tensionuar.
Shumë faleminderit!