Ibrahimaj apel qytetarëve: Investoni në tituj qeveritarë, kanë norma interesi favorizuese - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj apel qytetarëve: Investoni në tituj qeveritarë, kanë norma interesi favorizuese

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, zhvilluan një konferencë të posaçme për shtyp, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e individëve mbi mundësitë e investimit në bono thesari dhe obligacionet e qeverisë shqiptare.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se investimi në këto tituj të qeverisë shqiptare aktualisht sjell përfitime më të larta se sa një vit më parë, për shkak të rritjes së normave të interesit, në një kohë që risku i investimit praktikisht është zero, pasi janë tituj që emetohen nga qeveria shqiptare dhe garantohen nga qeveria shqiptare.

Banka e Shqipërisë ka hapur sportele në disa qytetete të vendit, ku qytetarët mund të marrin informacion të detajuar për bonot e thesarit dhe obligacionet, procedurat që ndiqen për të investuar në to si dhe për përfitimet konkrete.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të nisë një fushatë ndërgjegjësuese, për të nxitur përfshirjen e individëve për të investuar në këto tituj të qeverisë shqiptare.

“Bonot e thesarit dhe obligacionet kanë dy procedura të ndryshme, por në këtë moment, në krahasim me vitin e kaluar, kanë një përfitueshmëri shumë më të madhe. Nëse bonot e thesarit tremujore deri në vitin 2021 kishin një normë interesi 1 %, sot kanë një normë interesi 2.78 %. Nëse bonot e thesarit 12 mujore deri vitin e kaluar kishin një normë interesi mjaft më të ulët, sot kanë një normë interesi 5.74 %. Qeveria ka edhe tituj më afatgjatë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka punuar me qëllim që të rrisë maturitetin e titujve që tregton dhe ia ka arritur qëllimit. Gjatë vitit të kaluar ne kemi emetuar një obligacion 15 vjeçar për të parën herë dhe interesi nga tregu ishte shumë i lartë. Sot obligacionet 15 vjeçare tregtohen në nivelin 8.39 %, një normë interesi ndjeshëm më të lartë se sa ajo rreth 5% që tregtohej gjatë vitit të kaluar”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ministrja tha se po punohet për hartimin e strategjie kombëtare për edukimin financiar të popullatës, me fokus te të rinjtë, duke synuar rritjen e kulturës financiare dhe asaj të menaxhimit të parasë.

Një shpjegim më të detajuar për bonot e thesarit dhe obligacionet mund të gjendet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

https://financa.gov.al/meso-me-shume-per-bonot-e-thesarit-dhe-obligacionet/

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

I nderuar kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu për të diskutuar për një temë që unë e kam shumë për zemër dhe kjo është arsyeja dhe qëllimi i kësaj konference, që të ndalojmë një moment dhe të flasim për se si ne mund të ndërgjegjësojmë më mirë popullatën tonë dhe më në detaje individët për të investuar në tituj qeveritarë. Është një temë e cila nuk është prekur shumë gjatë 10 vjeçarit të fundit, duke qenë se që prej prillit të vitit 2014 normat bazë e interesit të Bankës Qendrore nuk ka qenë më në nivelin që është sot, pra 2.75 %.

Ne kemi folur shumë gjatë këtij viti për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për rritjet e inflacionit të cilat kanë prekur popullatën tonë dhe për të gjitha masat që qeveria ka marrë me qëllim ndikimin e ekonomisë shqiptare, në mënyrë që ndikimi i luftës të ishte sa më i vogël në ekonominë tonë. Por nuk kemi prekur një element shumë të rëndësishëm, atë në normave të interesit.

Që prej fillimit të luftës në, në të gjithë botën, bankat qendrore, duke filluar që nga Banka Qendrore e SHBA dhe e ndjekur nga banka të tjera qendrore dhe së fundmi dhe Banka Qendrore Europiane, filluan të rrisin normat bazë të interesit duke ndikuar në normat e të gjithë sistemit financiar. Edhe Banka e Shqipërisë, që prej fillimit të vitit, në mënyrë të përsëritur ka rritur normat. Në fillim të vitit BSH kishte një normë bazë interesi 0.5 %, ndërkohë që sot është 2.75 %. Kjo ka bërë që në një mënyrë zinxhir të rriten dhe norma e titujve qeveritarë.

Arsyeja që jemi mbledhur sot është të flasim për nxitjen e individëve për të investuar në tituj qeveritarë, pasi përfitueshmëria e investimit në këto tituj, duke qenë se normat janë rritur në mënyrë eksponenciale, është shumë e lartë sot se sa ishte një vit më parë.

Individët kanë sot një mundësi investimi, e cila ka kthime shumë më të larta se sa mundësitë e tjera të investimit që mund të ekzistojnë nëpër tregje, kanë një mundësi investimi në disa tituj që riskun e kanë praktikisht zero pasi janë tituj që emetohen nga qeveria shqiptare dhe garantohen nga qeveria shqiptare.

Kur flasim për tituj, flasim për bono thesari dhe obligacione. Unë jam e bindur që për gjithë publikun e gjerë që na ndjek këto janë dy terma që me siguri i kanë dëgjuar shpesh, por gjithmonë i kanë etiketuar si terma shumë teknikë dhe shumë të vështirë për tu investuar në to.

Kjo është arsyeja pse ne do të fillojmë një fushatë ndërgjegjësuese me qëllim që të shpjegojmë se si individët mund të investojnë në bono thesari, mund të investojnë në obligacione dhe çfarë përfitueshmërie kanë.

Në ndihmën tonë në këtë fushatë ndërgjegjësuese vjen edhe Banka Qendrore, e cila shërben si agjenti fiskal i qeverisë, e cila ka hapur sportelet në 6 vendndodhje, në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, në Lushnjë, në Korçë dhe në Gjirokastër me qëllim tregtimin e bonove të thesarit dhe informimin më të mirë të qytetarëve për procedurat që duhet të ndjekin për të marrë informacione dhe përfitime nga këto.

Bonot e thesarit dhe obligacionet në fakt kanë dy procedura të ndryshme, por në këtë moment, në krahasim me vitin e kaluar, kanë një përfitueshmëri shumë më të madhe. Nëse bonot e thesarit tremujore deri në vitin 2021 kishin një normë interesi 1 %, sot kanë një normë interesi 2.78 %. Nëse bonot e thesarit 12 mujore deri vitin e kaluar kishin një normë interesi mjaft më të ulët, sot kanë një normë interesi 5.74 %.

Qeveria ka edhe tituj më afatgjatë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka punuar me qëllim që të rrisë maturitetin e titujve që tregton dhe ia ka arritur qëllimit. Gjatë vitit të kaluar ne kemi emetuar një obligacion 15 vjeçar për të parën herë dhe interesi nga tregu ishte shumë i lartë. Sot obligacionet 15 vjeçare tregtohen në nivelin 8.39 %, një normë interesi ndjeshëm më të lartë se sa ajo rreth 5% që tregtohej gjatë vitit të kaluar.

Në faqen zyrtare të MFE nga sot ka një seksion të dedikuar për shpjegimin e boneve të thesarit dhe obligacioneve, për shpjegimin e mënyrës se si të gjithë qytetarët mund të investojmë dhe gjithashtu ne do të bëjmë vizita në çdo sportel të BSH, me qëllim që të ndërgjegjësojmë qytetarët, jo vetëm për investimet në bono thesari dhe obligacione, por për edukimin më të mirë financiar.

Ne po punojmë për të ndërtuar një Strategji për rritjen e Edukimit Financiar në popullatë, e cila do të jetë një strategji kombëtare pasi është shumë e rëndësishme që individët, me përqendrim dhe me fokus kryesisht në të rinjtë, të kenë një kulturë më të rritur financiare dhe menaxhimit të parasë, pasi është e vetmja formë që ata mund të kujdesen për financat e tyre familjare dhe do të jenë investitorë të zotë të parave të tyre.

Ju falënderoj për prezencën tuaj dhe jemi të hapur për çdo lloj pyetje.

Pyetje: Është një lajm i mirë për atë pjesë të popullatës që ka mundësi të investojë, por rritja e interesit të bonove të thesarit ndikon te kreditë dhe një pjesë e madhe e popullatës është kredimarrëse. A ka një politikë? E kuptoj që është shumë i vogël aksesi për të ndërhyrë të bankat e nivelit të dytë, por nëpërmjet BSH, për të lehtësuar sadopak?

Për t’ju përgjigjur pyetjes dua ta hap diskutimin pak më gjerë. Ne që në fillim të këtij viti jemi kujdesur që buxhetet e familjeve shqiptare të ndikohen sa më pak nga lufta, nga kriza, nga çmimet e energjisë elektrike dhe nga inflacioni. Të gjitha masat që kemi ndërmarrë kanë synuar ruajtjen e buxheteve të familjeve shqiptare. Unë nuk do të resht së përsërituri që mbajtja e pandryshuar e çmimit të energjisë elektrike për familjet shqiptare do të thotë që nga 5.6 % që është sot pesha e energjisë elektrike në shportën e familjeve shqiptare, nëse ne do të kishim vepruar si të gjithë vendet e tjera, kjo peshë për familjen mesatare shqiptare, e cila konsumon rreth 87 mijë lekë në muaj, do të kishte shkuar mbi 20 %. Ky është elementi i parë dhe kryesor ku ne kemi ndikuar buxhetet e familjeve shqiptare.

Në vijim, ne kemi marrë masa për një shtresë të mesme, që janë të punësuar në sektorin shtetëror, duke rritur pagat me një normë më të lartë se sa norma mesatare e inflacionit gjatë këtij viti dhe kjo është kryer me qëllim që buxhetet e familjeve shqiptare të mos preken nga inflacioni, në këtë rast i shkaktuar nga lufta dhe kryesisht nga inflacioni i importuar.

Nga ana tjetër, ne kemi mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë bizneset, duke ndikuar në koston e prodhimit dhe duke ndikuar drejtpërsëdrejti në inflacion.

Nuk ndodh rastësisht që inflacioni mesatar në Shqipëri është sa gjysma e inflacionit mesatar në vendet e tjera të rajonit dhe më i ulët se sa në vendet e tjera të Europës. Pra, janë një sërë faktorësh dhe një sërë nismash që ne kemi ndërmarrë, me qëllim mos prekjen e buxheteve të familjeve shqiptare.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që patjetër një kategori familjesh janë prekur, kanë efekte dhe do të vazhdojnë të kenë efekte nga lufta, për sa kohë që lufta do të vazhdojë. Një nga efektet është dhe ndikimi i normave të interesit në normat e kreditimit. Megjithatë, sipas analizave që ne kemi bërë, kategoria e individëve të cilët kanë marrë një kredi, janë kategori individësh që kanë të ardhura mesatare mbi të ardhurat e mesme apo të ulëta.

Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një nismë që në buxhetin e vitit 2023 do të fillojmë të mbështesim familjet e reja me një garanci sovrane dhe jemi duke negociuar me bankat me qëllim që normat e interesit për kreditë e reja që do të merren të jenë më të ulëta.

Por, kur analizojmë kreditë, kryesisht kreditë që janë për blerje banese, ne duhet të faktorizojmë disa elementë. Në radhë të parë, norma e interesit janë ende më të ulëta se sa norma e inflacionit. Në radhë të dytë, që nga momenti i blerjes së banesës, çmimet dhe vlera e apartamenteve për të cilat është blerë banesa është rritur ndjeshëm, pasi vitet e fundit kemi pasur rritje, eksponenciale dhe këtu, të çmimeve të banesave dhe këto nuk janë faktorizuar në kosto shtesë por janë faktorizuar në elementë shtesë të pasurisë së familjeve shqiptare. Në momentin që një individ ka firmosur një kontratë kredie, ai ka marrë përsipër që të ketë dhe të operojë me një normë variabël, të varur nga bonot e thesarit 12 mujore, plus një marzh që bankat e kanë caktuar.

Sot jemi mbledhur për të folur për një mundësi tjetër investimi që kanë familjet shqiptare, nëse ato kanë kursime. Nëse do të analizojmë të dhënat e BSH, depozitat e individëve dhe bizneseve gjatë tre viteve të fundit janë rritur, në norma më të larta se sa në të gjithë 10 vjeçarin e fundit. Janë mbi 800 mijë individë që kanë depozita, që mund të investojnë dhe mund të krijojnë pasuri më të madhe duke investuar në bono thesari sot. Me këto fitime të shtuara që ata do mund të kenë në buxhetet e tyre, mund të balancojnë dhe rritjet e normave të kredisë që siç thashë, kur analizohet, duhet marrë në konsideratë që çmimet e banesave që ato kanë blerë sot kanë vlera shumë më të larta se sa kur ata kanë marrë kredinë. Sigurisht që është një shqetësim që ne kemi dhe është një shqetësim që do të mundohemi ta adresojmë gjatë kohës, edhe në bashkëpunim me bankat, me qëllim që familjet shqiptare të kenë sa më pak ndikim në përgjithësi në buxhetet e tyre nga efektet e luftës.

Mendoni se do të arrini që të ulni interesat e bonove të thesarit me anë të një interesi të shtuar nga publiku?

Gjatë këtij viti, patjetër që pasiguria e sektorit bankar dhe pasiguria për ku do të ankorohet norma bazë e interesit në fund të vitit ka bërë që normat të rriten në mënyrë më të përshpejtuar, pra normat e tregtimit të titujve qeveritarë. Siç e theksoi edhe Kryeministri, ne këtë nismë po e marrim për qëllim parësor që të informojmë publikun, të informojmë individët mbi mundësitë që ato kanë për të investuar në një formë tjetër investimi, ndryshe nga ato që mund të kenë përdorur gjatë viteve. Një formë investimi e cila, në një botë të pasigurt, është forma më e sigurt e investimit që çdo individ mund të përdorë.

Nga ana tjetër, ne presim që gjatë vitit të ardhshëm patjetër të kemi një stabilizim të normave të interesit të titujve qeveritarë, duke qenë se do të ketë një pasiguri më të ulët.

Ne mendojmë që kemi arritur një pikë, do të luhatemi rreth këtyre normave por nuk do të ketë një përshpejtim të mëtejshëm të normave të interesit dhe kjo nuk do të ndikohet nga investimet e individëve, pasi individët në të gjithë rastet sot kanë 10 % të tregut të bonove të thesarit dhe obligacioneve, dhe ne presim që këtë përqindje ta çojnë në 15 %. Ndërkohë, pjesën më të madhe të investimeve e ka dhe do të vazhdojë ta ketë sektori bankar, i cili do të jetë influencuesi kryesor i normat të interesit jo vetëm këtë vit, por për të gjitha vitet në vijim. Ne urojmë që të ketë investitorë, si fonde pensionesh private apo investitorë të tjerë të ndryshëm, të cilët të fillojnë të investojnë në bonot e thesarit dhe në obligacionet e qeverisë shqiptare. Kemi pasur interes nga investitorë të huaj që të investojnë në tituj të qeverisë të emetuar në lekë, si rrallë herë në historikun e shtetit tonë, MFE, dhe kjo tregon për një besim të shtuar në stabilitetin e qeverisë shqiptare, qoftë stabilitet ekonomik, makroekonomik fiskal, qoftë stabilitet politik të qeverisë.

Dua të theksoj që në të gjithë rastet ne kemi disa skenarë për përballimin e situatave të mundshme të vitit të ardhshëm dhe në asnjë nga skenarët ne nuk do të kemi një krizë të likuiditetit.

Ne për vitin e ardhshëm kemi parashikuar një dalje në tregun e brendshëm më të ulët se sa mesatarja e gjithë viteve të fundit, për arsye se duam t’i lëmë vetes hapësira që nëse interesi do të jetë më i madh, atëherë të mund ta rrisim akoma më tutje, ndërkohë që kemi të parashikuar edhe një dalje në Eurobond, e cila do të jetë e kushtëzuar me normat e interesit në tregjet ndërkombëtare dhe me kushtet e financimit në tregjet ndërkombëtare. Asnjëherë ne nuk do të marrim vendime të nxituara, duke rritur normën mesatare të interesit, pasi në të gjithë politikën tonë të viteve të kaluara kemi qenë të kujdesshëm që kjo normë të jetë sa më e ulët dhe kostoja e borxhit të jetë sa më e ulët. Dua t’ju siguroj që kemi disa alternativa me qëllim që t’i mbajmë sa më poshtë normat e interesit.

Ju drejtoni Bordin e Transparencës së hidrokarbureve. Vendimet që merr ky Bord duket se favorizojnë kompanitë e shitjes së karburantit në vendin tonë dhe jo qytetarët, pasi çmimet që ju vendosni nuk reflektojnë lëvizjen reale të çmimit që ndodh në bursë.

Bordi i Transparencës përcakton çmimet e tregtimit të hidrokarbureve prej disa muajsh. Unë ju sfidoj ju dhe këdo tjetër të vërtetoni atë që mediat kanë thënë dhe kanë rithënë në raste të përsëritura. Ju supozoni që Bordi merr vendime jo në bazë të ecurisë së bursës, por në bazë të interesave, të cilat në fakt janë inekzistente. Që në fillimin e operimit të Bordit, ne kemi ulur marzhet e tregtimit të hidrokarbureve dhe këto efekte janë të llogaritshme nga çdo qytetar dhe çdo ekonomist që mund të kërkojë informacione. Ne kemi ulur marzhin ndjeshëm, më shumë se sa në gjysmë të marzheve që operoheshin një vit më parë.

Nga ana tjetër, ju thoni që nuk reflektojmë çmimet e bursës. Ju mund t’i referoheni çmimeve të bursës së naftës bruto,  të cilët kanë luhatje të ndryshme nga çmimet e bursës të cilës ne i referohemi, ku kompanitë shqiptare tregtojnë dhe me çmimin që ato e blejnë. Ne përdorim çmimet Platts sp dhe mbi atë çmim aplikojmë marzhet e fitimit, taksat dhe një element shumë të rëndësishëm i cili nuk kalkulohet asnjëherë dhe nuk merret në konsideratë është dhe ecuria e kursit të këmbimit. Hidrokarburet kryesisht tregtohen në dollarë dhe ju me siguri e dini që gjatë këtij viti leku shqiptar është vlerësuar ndaj dollarit, për hir të gjithë funksionimit të tregjeve ndërkombëtare. Pra, një element i rëndësishëm, i cili kalkulohet çdo ditë në kalkulimet e çmimeve të bursës është dhe kursi i këmbimit.

Po marr rastin e të premtes së kaluar, kur në fakt çmimi referencë i bursës së hidrokarbureve që ne përdorim u rrit, por kursi i këmbimit ishte favorizuar dhe çmimi i tregtimit të hidrokabureve në vend u ul, ndonëse bursa ishte rritur. Kur bëhet një analizë, duhet bërë me të gjithë komponentët e saj. Bordi funksionon në bazë të një ligji, i cili është detyrim për çdo anëtar të bordit dhe unë me përgjegjësi të plotë ju them se aludimi që ju bëni nuk është i saktë dhe është jo korrekt.

Previous SHPALLJE VENDI VAKANT<br>1 (një) Përgjegjës Sektori në Sektorin e Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Drejtorinë e Informimit të Institucioneve, Hulumtimit dhe Përmbajtjes, në Agjencinë për Media dhe Informim – kategoria III-a