Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare në rritje mbi mesataren e BE-së, të ardhurat buxhetore 6.3% më shumë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për media mbi prezantimin e ecurisë ekonomike, deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke u pozicionuar mbi mesataren e Bashkimit Evropian, si në rritjen ekonomike, ashtu edhe në stabilitetin makroekonomik. Ibrahimaj bëri të ditur se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit, një normë më e lartë se ajo e BE-së dhe e rajonit. Sipas saj, kjo tregon se ekonomia shqiptare ka ruajtur një stabilitet të qëndrueshëm gjatë periudhës post-pandemike, me ritme rritjeje nga 3.5% në 4%. Ajo theksoi se, pavarësisht pasigurive gjeopolitike dhe zhvillimeve të paqarta në ekonominë evropiane, treguesit makroekonomikë në Shqipëri kanë mbetur të qëndrueshëm. Një nga elementët kryesorë, sipas saj, është inflacioni, i cili gjatë vitit 2025 u rrit me 2.2%, brenda objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë. “Sa i takon inflacionit në vendet e BE-së ka qenë i ngjashëm me atë në vend, mesatarja e inflacionit në vendet e BE-së ka qenë 2.3%. Elementi kryesor i cili më së shumti diskutohet është inflacioni i çmimeve të ushqimeve, i cili është rritur me 2.6%, më lart se inflacioni i gjithë shportës së mallrave të konsumit,” u shpreh Ibrahimaj. Ministrja vuri në dukje gjithashtu se një tjetër tregues i rëndësishëm i stabilitetit ekonomik është borxhi publik, i cili ka ardhur në rënie vitet e fundit. Në fund të vitit 2025, borxhi publik zbriti në 53.4% të PBB-së. Ndërkohë, të ardhurat buxhetore kanë vijuar rritjen, duke arritur në 688 miliardë lekë për 11-mujorin e vitit 2025, ose 6.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në përfundim, ministrja theksoi se këta tregues konfirmojnë orientimin e ekonomisë shqiptare drejt investimeve, eksporteve dhe rritjes së produktivitetit, si bazë për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.