Ibrahimaj: Forcohet monitorimi i çmimeve të karburanteve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zhvilluan një takim me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve për të analizuar situatën e çmimeve të karburanteve në tregun vendas dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Në fokus të diskutimit ishte ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut, e cila shërben si referencë për gazoilin dhe benzinën, si dhe raporti ndërmjet çmimeve të importit, çmimeve të shitjes me shumicë dhe atyre me pakicë në tregun vendas.

Gjatë takimit u theksua nevoja për forcimin e monitorimit të tregut dhe rritjen e transparencës mbi mënyrën se si reflektohen lëvizjet e bursave ndërkombëtare në çmimet e karburanteve në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të vendosë një mekanizëm të përditshëm monitorimi të çmimeve, do të analizojë periodikisht raportin mes çmimeve të bursës Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg, do të koordinohet me operatorët dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg, si dhe do të kryejë informimin periodik të publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to.

Ministria e Financave do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore për të rritur kontrollin dhe efikasitetin në sektorin e hidrokarbureve. Kjo strukturë do të monitorojë marzhet e fitimit në të gjithë zinxhirin e tregtimit, nga importi deri te shitja me pakicë, me qëllim që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale të tregut ndërkombëtar dhe të shmangen rritjet abuzive, si dhe do të garantojë që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.

Autoritetet nënvizuan se situata në tregjet ndërkombëtare kërkon vëmendje të vazhdueshme institucionale për të ruajtur stabilitetin e tregut. Monitorimi i përditshëm i bursave ndërkombëtare dhe i tregut vendas do të vijojë, duke ndërmarrë masat e nevojshme në rast të devijimeve të pajustifikuara të çmimeve. Institucionet mbeten të angazhuara për garantimin e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri.