Ibrahimaj: Grant 2026 me bonus 5% për startup-et e grave dhe ekonomisë së gjelbër
Thirrja e programit “Grant 2026” për startup-et do të përfshijë një bonus prej 5% mbi pikët e vlerësimit për projektet që plotësojnë disa kritere të përcaktuara, bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Sipas saj, bonusi do të aplikohet mbi rezultatin total të vlerësimit të aplikimit nga komisioni dhe jepet vetëm një herë, nëse përmbushen dy kushte njëkohësisht: aplikuesi është vajzë ose grua, ose ekipi i startup-it përbëhet nga të paktën 51% gra, si dhe aktiviteti kryesor i startup-it ofron zgjidhje në ekonominë e gjelbër dhe/ose në sektorin digjital.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se ky mekanizëm synon të nxisë pjesëmarrjen e grave në sipërmarrje dhe të mbështesë zhvillimin e zgjidhjeve inovative në ekonominë e gjelbër dhe sektorin digjital, të cilat përbëjnë edhe dy nga prioritetet kryesore të programit.
“Grant 2026” përfshin një skemë të gjerë mbështetjeje për startup-et, e cila synon zhvillimin e ideve të reja dhe rritjen e bizneseve inovative në vend.
Në fazën fillestare (F1), skema garanton mbulim 100% të kostove të projektit deri në 1.500.000 lekë, duke mundësuar që sipërmarrësit të fokusohen te zhvillimi i idesë pa pasur barrën e kostove fillestare. Për startup-et në fazën e validimit (F2), mbulimi arrin në 85% të buxhetit të miratuar, deri në 4.500.000 lekë, duke ndihmuar testimin dhe përsosjen e produkteve në treg. Për projektet në fazën e rritjes (F3), programi ofron mbulim prej 75% të kostove të buxhetit, deri në 9.000.000 lekë, me synim mbështetjen e shkallëzimit dhe zgjerimit të bizneseve me potencial të lartë.
Mbështetja e sipërmarrjes inovative mbetet një prioritet i qeverisë, pasi kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e ekonomisë.