Ibrahimaj në Javën Globale të Sipërmarrjes: Paketa fiskale 2026 nxit korporatat të financojnë ekosistemin e start up-eve

Qeveria do të ofrojë lehtësime fiskale për korporatat që investojnë në ekosistemin e start up-eve, një masë që synon të nxisë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se nga viti i ardhshëm sponsorizimet dhe financimet për ekosistemin e start up-eve do të njihen si shpenzim i zbritshëm deri në 5% të fitimit para tatimit, në kuadër të Paketës Fiskale 2026 që pritet të miratohet së shpejti.

Njoftimi u bë gjatë ceremonisë së hapjes së “Javës Globale të Sipërmarrjes 2025”, që zhvillohet në Tiranë më 17-23 nëntor nën moton “Së bashku ndërtojmë”. Edicioni i këtij viti strukturohet mbi katër shtylla kryesore: modernizimi ekonomik përmes inovacionit, fuqizimi i ekosistemit me Shqipërinë si qendër rajonale inovacioni, përfshirja e gjerë e qytetarëve dhe aftësimi i brezit të ri.

Ibrahimaj theksoi se lehtësia fiskale synon të motivojë korporatat të investojnë në kërkim-zhvillim dhe inovacion, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e sektorit privat. Ajo shtoi se bizneset mbeten motori kryesor i zhvillimit ekonomik dhe se politikat publike duhet të lidhen ngushtë me nevojat e tyre për të nxitur rritje të qëndrueshme.

“Java Globale e Sipërmarrjes” është kthyer në një platformë të rëndësishme shkëmbimi idesh dhe përvojash mes sipërmarrjes dhe qeverisë, duke u zhvilluar për të tretin vit radhazi në Shqipëri. Në këtë edicion planifikohen rreth 63 aktivitete në Tiranë dhe qytete të tjera, me fokus rininë, inovacionin dhe ndërmarrjet me potencial rritjeje.

Për herë të parë, gjatë kësaj jave do të prezantohen dy raporte të rëndësishme: Raporti i Ekosistemit të Start up-eve, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i hartuar në bashkëpunim me Start-up GNOM dhe Raporti i Trendeve të Tregut të Punës në sektorin e teknologjisë së informacionit, një sektor që po rritet me shpejtësi dhe gjeneron punësim me paga të larta.