Ibrahimaj në Këshillin e Investimeve: Mbështetje për bizneset në përafrimin me standardet europiane dhe lehtësim të procedurave administrative
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në fokus të diskutimeve ishin përmirësimi i klimës së investimeve, mbështetja e sipërmarrjeve shqiptare në procesin e integrimit europian dhe thjeshtimi i procedurave administrative.
Gjatë mbledhjes u prezantuan analiza dhe rekomandimet e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve për adresimin e sfidave me të cilat përballen bizneset në përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se integrimi europian kërkon jo vetëm përafrimin e legjislacionit, por edhe përgatitjen konkrete të ndërmarrjeve shqiptare për të përmbushur standardet e reja të prodhimit, shërbimeve dhe konkurrueshmërisë në tregun e përbashkët europian.
Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nisur punën për një program mbështetës që do të ndihmojë bizneset në përmbushjen e standardeve europiane. Programi do të përfshijë informimin mbi kërkesat e BE-së, vlerësimin e nivelit të përgatitjes së ndërmarrjeve dhe identifikimin e nevojave për investime në teknologji, pajisje, infrastrukturë dhe certifikime.
Ibrahimaj bëri të ditur se mbështetja për certifikimin dhe modernizimin e bizneseve është përfshirë edhe në programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa po shqyrtohen instrumente të tjera financiare, përfshirë mundësinë e granteve të dedikuara.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte lehtësimi i procedurave administrative dhe reduktimi i barrierave për sipërmarrjen. Ministrja njoftoi se gjatë muajit dhjetor do të rinisin tryezat e konsultimit me sektorë të ndryshëm të ekonomisë, për të identifikuar dhe adresuar problematikat që lidhen me marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve dhe shërbimeve publike.
Në këtë proces, Ibrahimaj kërkoi angazhimin aktiv të komunitetit të biznesit dhe shoqatave përfaqësuese, me qëllim evidentimin e pengesave konkrete dhe hartimin e zgjidhjeve që lehtësojnë aktivitetin ekonomik.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te forcimi i mekanizmave të klasifikimit, monitorimit dhe inspektimit, përmirësimi i standardeve në sektorin e turizmit dhe garantimi i zbatimit të barabartë të legjislacionit për të gjitha subjektet.
Në përfundim, ministrja u ndal te projektligji i ri “Për investimet në Republikën e Shqipërisë”, aktualisht në konsultim publik, i cili synon krijimin e një kuadri ligjor të përafruar me standardet europiane, me mekanizma për mbrojtjen e investimeve, shqyrtimin e investimeve të huaja direkte dhe mbështetjen e investitorëve.
Ibrahimaj theksoi rëndësinë e vijimit të konsultimeve me biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe përgatitjen paralelisht të akteve nënligjore, për të siguruar një kuadër të plotë, funksional dhe të përshtatshëm për zhvillimin e investimeve në Shqipëri.