Ibrahimaj në konferencën e FMN: Politikat e ndërmarra nga qeveria shqiptare zbutën ndikimet negative të krizave të fundit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj në konferencën e FMN: Politikat e ndërmarra nga qeveria shqiptare zbutën ndikimet negative të krizave të fundit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Politikëbërja në “ujëra të turbullta”: Nxitja e Elasticitetit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE)”, e cila u mbajt në datat 2 dhe 3 Qershor, në Dubrovnik të Kroacisë, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Kombëtare e Kroacisë.

Konferenca u fokusua në mënyrën se si të nxitet elasticiteti në CESEE, në një mjedis ekonomik ku rreziqet e fragmentimit janë rritur dhe goditjet e furnizimit si kriza e vazhdueshme e energjisë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe, në mënyrë të pashmangshme, ndryshimeve klimatike.

Diskutimet u përqendruan duke pasur në fokus të ardhmen, në menaxhimin e ekonomive kur ka paqartësi të mëdha, me konkluzionin që vëmendja duhet të jetë gjithmonë në atë që pritet të ndodhë, në kujdesin për zhvillimin ekonomik dhe ambientin.

Politikëbërësit kryesorë nga rajoni, akademikë, ekspertë të organizatave ndërkombëtare, diskutuan mbi sfidat dhe opsionet e politikave për : rritjen e sigurisë energjetike mes tregjeve të fragmentuara të energjisë; përshtatjen me ndryshimet e vazhdueshme në modelet tregtare dhe të investimeve të huaja direkte në mes të nacionalizmit ekonomik dhe rimendimit të zinxhirëve të furnizimit; drejtimi i politikave makroekonomike dhe strukturore përmes një bote me goditje më të shpeshta të ofertës.

Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e sesionit “Tryeza e Politikës: Drejtimi i politikave makroekonomike përmes goditjeve më të shpeshta të ofertës”, së bashku me drejtoren menaxhuese të FMN, Kristalina Georgieva, Zëvendës President Ekzekutiv të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, dhe Kryetarin e Bordit të Bankës së Lituanisë, Gediminas Šimkus.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u fokusua në rolin e politikës fiskale sa i përket sfidës së uljes së nivelit të inflacionit dhe stabilizimit të ekonomisë përballë goditjeve të ofertës, si dhe nevojën që kanë vendet e rajonit për të rindërtuar hapësirën fiskale dhe forcuar kuadrin e politikave fiskale, në mënyrë që të përballojnë goditjet e mundshme në të ardhmen.

“Disktuam mbi impaktin e krizave të njëpasnjëshme që bota ka kaluar dhe efektet e krizave, se si e shohim botën në të ardhmen, se sa e rëndësishme është që të përballojmë krizat, që politikat fiskale dhe politikat monetare të jenë të ndërthurura dhe të koordinuara, me qëllim përballimin e krizave aktuale, por pa e ulur vështrimin nga ajo që na pret në të ardhmen.

Gjerësisht u diskutua mbi tranzicionin e gjelbër dhe mbi rëndësinë e investimeve të mëdha në fushën e energjisë, por edhe vëmendjen ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat janë në zemër të zhvillimit ekonomik, por janë edhe në zemër të familjeve dhe të të ardhurave familjare qoftë Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera të botës”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj mbi diskutimet në konferencë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi faktin se Shqipëria në dy dekadat e fundit ka arritur të mbajë një politikë fiskale relativisht të pavarur, e cila ka qenë një faktor kyç në përballimin e disa goditjeve, si tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid 19 apo efektet e luftës Rusi-Ukrainë.

Ministrja përmendi disa masa të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat ndikuan në nivelin e inflacionit në Shqipëri, i cili rezultoi ndjeshëm më ulët se sa në shumë vende të tjera të rajonit, një prej të cilave ishte mbështetja e shtresave në nevojë, duke bërë disa prioritete të shpenzimeve dhe duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për këtë.

Ndërsa theksoi se politika fiskale mund të luajë një rol vendimtar në menaxhimin e inflacionit, Ministrja tha, se është e rëndësishme se ajo duhet të zbatohet në koordinimin me politikat e tjera makroekonomike dhe të udhëhiqet nga një strategji ekonomike gjithëpërfshirëse.

Edhe në rastin e krizës së pandemisë Covid 19 doli në pah rëndësia e masave fiskale për të mbështetur bizneset, për të ruajtur punësimin dhe për të stimuluar aktivitetin ekonomik.

“E parë në aspektin social dhe politik, qoftë në mënyrë indirekte duke stabilizuar ekonominë, qoftë përmes masave më të drejtpërdrejta të synuara, politika fiskale në mënyrë indirekte ishte e dobishme për familjet e cenueshme duke ruajtur vendet e punës, nivelet e të ardhurave dhe aksesin në mallra dhe shërbime thelbësore”, tha Ibrahimaj.

Megjithatë, Ministrja tha se vetëm politika fiskale mund të mos jetë e mjaftueshme për të adresuar të gjitha sfidat e paraqitura nga goditjet e ofertës. Në këtë drejtim, përpjekjet bashkëpunuese me politikën monetare, reformat strukturore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar shpesh janë të nevojshme për të arritur një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe efektive.

Ministrja tha se vendet e rajonit duhet të rindërtojnë hapësirën fiskale dhe forcojnë kuadrit e politikave fiskale për të rritur elasticitetin dhe aftësinë e tyre,  për të përballuar goditjet e e mundshme në të ardhmen.

Një gjë e tillë, sipas Ibrahimaj, ndihmon në identifikimin dhe adresimin e dobësive, duke reduktuar rreziqet në ekonomi; rritjen e besimit të investitorëve dhe tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, si dhe investime financiare dhe jofinanciare;  sigurimin e një qëndrueshmërie fiskale afatgjatë.

“Politikat e shëndosha fiskale, duke përfshirë menaxhimin e qëndrueshëm të borxhit, diversifikimin e të ardhurave dhe racionalizimin e shpenzimeve, janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të parandaluar disbalancat fiskale. Kjo, nga ana tjetër, forcon elasticitetin ndaj goditjeve të ardhshme dhe siguron një bazë solide për rritje të qëndrueshme ekonomike”.

Vendet në rajonin e EQLJ-së, tha Ibrahimaj, duhet t’i japin përparësi rindërtimit të hapësirës fiskale dhe forcimit të kuadrit të politikave fiskale për të rritur elasticitetin dhe aftësinë e tyre për të përballuar goditjet e ardhshme.

Gjatë konferencës, Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë edhe e tryezës informale të FMN, ku merrnin pjesë Ministrat e Financave dhe Guvernatorët/Zv.Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të CESEE.

 

Previous Kalabri, Kryeministri Rama viziton Eparkinë Arbëreshe të Ungrës