Ibrahimaj në Kuvend: Aktin normativ, vullnet i qeverisë për të qenë afër qytetarëve dhe biznesit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj në Kuvend: Aktin normativ, vullnet i qeverisë për të qenë afër qytetarëve dhe biznesit

Kuvendi miratoi në seancën plenare të radhës Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të këtij akti normativ në parlament, vlerësoi se  ky dokument i rëndësishëm konfirmon edhe një herë vullnetin e qeverisë për të qenë afër qytetarëve që kanë më shumë nevojë, për të qenë afër biznesit, si shtylla kryesore e ekonomisë, dhe për të përmbushur detyrimin dhe angazhimin për të ruajtur parametrat kryesorë makroekonomikë të vendit.

Në fjalën e saj, Ministrja shpjegoi se nëpërmjet këtij AN, mbështetet dhe paketa e dytë e rezistencës që qeveria ka prezantuar.

“Të gjitha masat kanë një kosto financiare. Në total për këtë vit, duke i shtuar 28 miliardë lekë të mbështetjes për energjinë elektrike, buxheti ka përballuar një kosto prej 43 miliardë lekësh, një shifër jo pak e konsiderueshme”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi faktin se akti normativ parashikon të rrisë financimin për përballim e efekteve të krizës në 43 mld lekë ose mesatarisht 65 % e buxhetit të investimeve, duke i ardhur në ndihmë 1.2 milionë shqiptarëve, individë, fermerë, peshkatarë apo biznese.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj – Akti Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”

E nderuar kryetare e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Vij sot përpara jush për të prezantuar një nga aktet më të rëndësishëm të këtij viti, Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit, i cili është një akt i drejtuar te qytetarët dhe frymëmarrjes së ekonomisë.

Ky është një dokument i rëndësishëm, i cili konfirmon edhe një herë vullnetin e qeverisë për të qenë afër qytetarëve që kanë më shumë nevojë, për të qenë afër biznesit, si shtylla kryesore e ekonomisë, dhe për të përmbushur detyrimin dhe angazhimin tonë për të ruajtur parametrat kryesorë makroekonomikë të vendit.

Gjatë kohës kur ne po punonim për të hartuar këtë Akt Normativ, jemi përballur me akuza nga më të ndryshmet, qoftë nga foltoret, tryeza të ndryshme, apo edhe njoftime në mediat sociale, se ne nuk po kujdeseshim për atë që po ndodhte.

Në fakt këtë refren akuzash e dëgjuam edhe në muajin mars, kur kriza sapo kishte filluar. Më lejoni që t’ju kujtoj edhe njëherë që ne në datën 12 mars miratuam paketën e parë të ndihmës, e cila synonte të mitigonte të gjithë problematikat që kriza do të sillte:

  • Rënien e të ardhurave të disponueshme të familjeve
  • Rënien e konsumit
  • Ngadalësimin e prodhimit
  • Mbylljen e bizneseve
  • Rritjen e normës së papunësisë

Të gjitha këto akuza na u thanë, e na u stërthanë në momentin që morëm vendimin për të mbështetur më shumë se gjysmë milioni shqiptarë, duke u mundur që t’i jepnin atë që do të vinte nga rritja e çmimit, duke mbështetur të gjithë popullatën, të gjithë konsumatorët me mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke mbështetur biznesin e vogël, duke rritur mbështetjen për fermerët, duke mbështetur transportin me qëllim që biletat të mos rriteshin. Pra, duke u mundur që të mbështesim të gjithë ato sektorë ekonomikë apo familje shqiptare që nuk mund ta përballonin këtë krizë.

Ne që në fillim kemi thënë që kjo është një krizë e cila duhet ndarë. Ai që ka mundësi të paguajë, duhet të paguajë, pasi nuk mundet që vetëm qeveria të mbajë kostot e asaj që po ndodh, të një krize të pa shkaktuar nga ne, me të cilën jemi të detyruar të përballemi. Me përgjegjshmërinë më të madhe po përballemi dhe kemi prezantuar një plan masash, i cili ka si kryefjalë qëndrueshmërinë pasi nuk jemi më në kushtet e muajit mars. Në muajin mars ne kishim një pasiguri të lartë se sa do të zgjaste kjo krizë. Ne, ashtu sikurse shumë organizma ndërkombëtarë, mendonim që kjo do të ishte një krizë e cila do të fillonte të ngadalësohej gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe ekonomia do të rikuperohej gjatë gjysmës së dytë të vitit. Por kjo nuk ndodhi. Invazioni rus ndaj Ukrainës dhe kriza e shkaktuar  nga kjo po zgjat dhe ka gjasë të zgjasë edhe vitin tjetër.

Është përgjegjësia jonë që të marrim masa, të cilat të mos jenë tranzitore, për të përballuar një, dy apo tre muaj, por të jenë masa të qëndrueshme ku shqiptarët të kenë mundësi të përballojnë një krizë më në afatgjatë.

Në fakt efektet e paketës që ne prezantuam sot dhe janë pjesë e Aktit Normativ shtrihen edhe vitin 2023 e në vijim.

Kjo pasi masa e parë që ne do të marrim është indeksimi për herë të dytë i pensioneve gjatë këtij viti.

U tha pak më parë se indeksimi i pensioneve është detyrim dhe brenda procesit buxhetor të çdo vit. Po është e vërtetë. Është detyrim një herë në vit me indeksin mesatar të çmimeve të konsumit të një viti më parë. Ky është detyrimi që ne kishim këtë vit, të cilin jo vetëm e përmbushëm që në muajin mars duke filluar efektet e muajit prill, por nuk mbajtëm mesataren e 12 muajve të vitit të mëparshëm, por morëm mesataren e 12 muajve deri në muajin shkurt, me qëllim që indeksimi të ishte në vlerë më të lartë, në mënyrë që të ndihmonim 673 mijë pensionistë të cilët po vuanin nga pasojat e krizës që sapo kishte filluar.

Ne sot kemi vendosur që do indeksojmë ekstra, përveç 3.3% në muajin mars, me 6 %, duke  çuar masën e indeksimit në rreth 9.5 % për të gjithë pensionistët shqiptarë. Kjo masë ka një efekt në buxhetin e shtetit për muajt në vijim 2 miliardë lekë dhe ka një efekt në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm 8.4 miliardë lekë.

Ne jemi këtu që të marrim vendime të cilat do t’i rezistojnë kohës dhe jo për të marrë vendime të nxituara, të cilat mund të shkatërrojnë buxhetin e shtetit në të ardhmen. Jemi këtu për të përballuar krizën ashtu siç kemi bërë edhe në vitet e mëparshme.

Masa e dytë që është parashikuar në Paketë ka të bëjë me rritjen e pagave në sektorin publik.

Ne kemi marrë përsipër të rrisim pagat për pjesën më të madhe të sektorit publik, për administratën publike dhe institucionet e varësisë, për policinë e shtetit, për policinë e burgjeve, për gardën e Republikës.

Janë 41 mijë përfitues të cilët, nga muaji shtator, me efekt në pagën që do të marrin në muajin tetor, do tu rritet paga me 7 %. Sigurisht dikush që ka pagë më të madhe do të ketë përfitime më të mëdha, diku më pak, por mesatarisht policëve të burgjeve do tu rritet paga me rreth 10 mijë lekë, duke i barazuar pagat e tyre me pagat e policisë së Shtetit.

Policisë së Shtetit do t’i rritet paga me rreth 5,560 Lekë/Muaj mesatarisht. Administratës publike do ti rritet paga me rreth 5 mijë lekë. Por, ne nuk kemi menduar vetëm për punonjësit e shtetit.

Ne kemi menduar që për herë të dytë këtë vit të rrisim pagën minimale. Në fillim të vitit paga minimale ishte 30 mijë lekë, ndërkohë që me këtë vendim ajo shkon 34 mijë lekë. Pra janë 3500 lekë më shumë që do të marrin punonjësit që paguhen me pagë minimale në krahasim me atë që merrnin një vit më parë në këtë periudhë. Kjo është një shifër e konsiderueshme duke marrë në konsideratë efektet e inflacionit në shportën e konsumit të familjeve të cilët më shumë kanë nevojë.

Përveç kësaj, ne do të rrisim ndihmën ekonomike me 10 % për të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike dhe ky nuk është një ushtrim buxhetor i përvitshëm apo nuk është një pjesë e planit të buxhetit tonë që kishim të parashikuar, as për vitin 2022, as për vitin 2023. Është një masë shtesë, e cila merret në kushtet e një inflacioni që deri në muajin korrik ka qenë mesatarisht 5.9 %.

Gjithashtu, për subjektet që janë brenda ndihmës ekonomike, ne kemi menduar të shenjëstrojmë ato që më shumë kanë nevojë.

Ne do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për:

Gratë kryefamiljare që kanë dy ose më shumë fëmijë;

Personat mbi 65 vjeç të vetmuar, që nuk janë përfitues të pensionit të  pleqërisë apo pensionit social.

Këto masa i vijnë në ndihmë atyre shtresave që kanë më shumë nevojë.

Nga ana tjetër, ne do të ndihmojmë personat me aftësi të kufizuara, duke indeksuar me 7.5 % përfitimet që ata kanë si dhe do të marrim një masë për të rritur rimbursimin e energjisë elektrike që ata marrin.

Por nuk mjafton me kaq.

Ne kemi vendosur që të rrisim masën e mbështetjes për fermerët, duke e shtuar skemën e naftës me 500 milionë lekë të tjera.

Gjithashtu, do të japim 500 milionë lekë mbështetje për mbjelljen e grurit, pasi gruri ka qenë kryefjala e krizës që ne po përjetojmë, ka qenë kryefjala e bllokimit të zinxhirëve të tregtisë pasi pjesa më e madhe e grurit prodhohet në Ukrainës dhe ka qenë një nga produktet me rritjet më të mëdha të çmimit gjatë këtij viti.

Ne do të ndihmojmë sektorin e peshkimit me 200 milionë lekë për subvencionimin e kostos së rritur të naftës me qëllim që ai sektor të ketë një frymëmarrje më shumë.

Në total, me mbështetjen që jemi duke dhënë, ne gjatë këtij viti do mbështesim 45.700 fermerë.

Unë dua t’ju rikujtoj se buxheti i këtij viti për sektorin bujqësor është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë. Vitin e kaluar, buxhetin për bujqësinë ka qenë 1.7 miliardë, ndërkohë që këtë vit ai ka arritur në nivelin 4.9 miliardë lekë.

Të gjitha masat kanë një kosto financiare. Në total për këtë vit, duke i shtuar 28 miliardë lekë të mbështetjes për energjinë elektrike, buxheti ka përballuar një kosto prej 43 miliardë lekësh, një shifër jo pak e konsiderueshme.

Kjo shifër, për t’ju dhënë një figurë të çfarë përfaqëson, është rreth 65-70 % të buxhetit që ne kemi për investime kapitale me financim të brendshëm. Pra, në një vit normal, ku të ardhurat dhe aktiviteti ekonomik janë rritur, këto para do të shkonin për më shumë investime, të cilat do të krijonin më shumë stimul për rritjen ekonomike, ndërkohë që ne kemi vendosur që me këto para të mbështesim 1.2 milionë përfitues, të cilët kanë përfituar ndërkohë nga skemat dhe masat që ne kemi ndërmarrë deri më sot.

Duke iu rikthyer Aktit Normativ, përmes tij rishikohet plani i të ardhurave me 30 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar sipas AN nr.3/2022, ose plus 40 miliardë lekë krahasuar me planifikimet në buxhetin fillestar të vitit 2022.

Nga analizat që kemi bërë deri tani, rritja e të ardhurave për periudhën Janar-Gusht ka qenë në nivelin 53.4 miliardë lekë ose 18.9 % më shumë se sa një vit më parë.

Kam dëgjuar këtu shpesh të flitet se si këto të ardhurat janë vetëm pasojë e rritjes së çmimeve të konsumit. Kam dëgjuar të përflitet që qeveria nuk po i përdor këto të ardhurave për të ndihmuar qytetarët, etj., dhe jam e bindur se do të vazhdoj ti dëgjoj.

E vërteta qëndron se pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave po shkon për suport ndaj qytetarëve.

E vërteta qëndron se nga 53 miliardë lekë që janë akumuluar më shumë gjatë këtij viti, 20 miliardë lekë vijnë si pasojë e efektit të rritjes së çmimeve dhe 33.4 miliardë lekë vijnë si efekt i aktivitetit ekonomik. Këtë nuk e themi ne, por shifrat.

Aktiviteti ekonomik në Shqipëri është rritur gjatë 8 muajve të parë të vitit. Ne kemi pasur një rritje të numrit të vendeve të punës dhe në periudha krizash vendet e punës nuk rriten. Ne kemi pasur rritje të numrit të bizneseve, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në periudhë krizash dhe destabiliteti nuk krijohen biznese të reja. Në kemi pasur rritje të importeve dhe të eksporteve në vlerë, ndërkohë që kemi pasur rritje të importeve dhe eksporteve në vëllim për kategorinë “ushqime dhe pije”. Kjo është një kategori që, sa i takon importeve, është përafruesi më i mirë i konsumit.

Për periudhën 7-mujore, importet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur me 2.2 %, ndërkohë që janë rritur edhe eksportet e tyre që tregon se ka pasur një aktivitet të shtuar të prodhimit vendas.

Gjithashtu, janë rritur eksportet e atyre produkteve që lidhen me manifakturën, si tekstilet apo drurin. Këto janë shifra zyrtare të publikuara.

Nga ana tjetër, rënia në vëllim e totalit të importeve dhe të eksporteve lidhet me rënien e importeve apo eksporteve të karburanteve, e cila ka pasur si pasojë e çmimeve të larta të karburanteve.

Megjithatë, unë dua tu bëj me dije se pjesa më e madhe e karburanteve që importohet në vend është karburant që shkon për industrinë.

Muajt e fundit, industria, e cila është përfaqësuese e biznesit, që reagon shumë më shpejt se të gjitha pjesa tjetër e popullatës, është drejtuar drejt prodhimit dhe përdorimit të tyre produkteve të cilat kushtojnë më pak se sa karburanti. Kjo është një arsye pse kemi pasur reflektim të rënies së karburantit. Por, në muajin korrik dhe gusht, niveli i importit të karburanteve ka qenë i ngjashëm me nivelin e importit të karburanteve me një vit më parë. Kjo tregon dhe është pasojë gjithashtu e aktivitetit të turizmit në vend, i cili ka pasur një sezon të mirë këtë vit.

Përmes Aktit Normativ ne reduktojmë tavanin e deficitit. Më specifikisht, sa i takon deficitit buxhetor, në këtë AN është bërë një reduktim i tavanit të deficitit me  17 miliardë lekë, duke e ulur atë në nivelin 84 miliardë lekë nga 101 miliardë lekë që ishte parashikuar në planin e mëparshëm. Rrjedhimisht, në përqindje të PBB, ky nivel i rishikuar i deficitit ulet në nivelin 4.2%, nga 4.5% që rezultoi në vitin 2021.

Sa i takon burimeve të financimit të deficitit, ky reduktim është reflektuar i gjithi tek huamarrja e brendshme neto, e cila gjithashtu është reduktuar me 17 miliard lekë.

Reduktimi i huamarrjes neto çon dhe ndikon automatikisht në nivelin e borxhit të vendit. Niveli i pritshëm i borxhit për vitin 2022, në bazë të kuadrit të fundit makroekonomik që kemi hartuar, është 71.9% e PBB, nga 73.14% e PBB që rezultoi për vitin 2021. Sigurisht këto janë ende parashikime, pasi PBB e këtij viti do të dalë më tutje dhe mund të jenë subjekt rishikimi. Por, gjasat janë që ky nivel borxhi do të rezultojë më i ulët se sa në fund të vitit 2022 se sa shifra e parashikuar prej 71.9 %.

Të gjitha shifrat që përmenden shpesh herë këtu në këtë foltore, ku deklarohet se borxhi është mbi 100 % e PBB, janë shifra që nuk qëndrojnë as në qiell e as në tokë. Janë shifra të thëna nga goja e atyre që borxhet nuk i kontabilizonin në kontabilitetin e financave publike, i mbanin të fshehura, i linin pa u paguar fatura bizneseve, pasi kjo ishte qeverisja e tyre: të shpëtojmë sot se nesër nuk i dihet.

Ne nuk i marrim vendimet në këtë formë. Ne mendojmë për sot, për nesër dhe për pasnesër, sepse mendojmë për qytetarët shqiptarë.

Akti Normativ që ju paraqitet parashikon rritje me rreth 13 miliardë lekë të Shpenzimeve të Përgjithshme, të cilat pas kësaj, arrijnë në nivelin 660.7 miliardë lekë nga 647.7 miliardë lekë që ishin sipas AN nr.3/2022.

Pjesë e këtyre shpenzimeve është edhe Paketa që ne kemi prezantuar.

Gjithashtu:

  • +1.67 miliardë lekë janë parashikuar për përballimin e efekteve eventuale të Aktit Normativ nr.10 datë 18.05.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg gjatë vitit 2022”. Ky Akt Normativ i shkon në ndihmë të gjithë biznesit shqiptar, i cili është duke vuajtur nga rritjet e kostove të ndërtimit, nga rritjet e produkteve përbërës të kostove të ndërtimit, me qëllim që investime publike prioritare të mos ngadalësohen, pasi ato krijojnë një stimul të ekonomisë, nxisin rritjen ekonomike, mbajnë njerëz në punë dhe në rast do të ndërpriteshin do të kishim efekte negative në ekonominë shqiptare.
  • +1.72 miliardë lekë për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti.
  • +1.2 miliardë lekë për blerjen e teksteve shkollore falas dhe për mbulimin e shpenzimeve të transportit për mësuesit dhe nxënësit.
  1. Rreth -5.1 miliardë lekë shkurtime të shpenzimeve korrente, referuar zërave që kanë shënuar mosrealizim në nivel 6 mujor, ku ndër më kryesoret përmendim:
    • Rreth -2.9 mld lekë shkurtime në planin e shpenzimeve korrente.
    • Rreth -2 mld lekë shkurtime të shpenzimeve kapitale me Financim të Brendshëm. Të gjitha ato projekte që nuk janë prioritare, të cilat ishin të ngadalta kur u hartua ky akt normativ u vendosën të hiqen nga ky buxhet, me qëllim që të rritej buxheti për suportin që ne do ti japim të gjithë familjeve shqiptare.

Të nderuar qytetarë, ky akt normativ parashikon të rrisë financimin për përballim e efekteve të krizës në 43 mld lekë ose mesatarisht 65 % e buxhetit të investimeve.

Ne vlerësojmë që nëpërmjet këtij akti ne i vijmë në ndihmë 1.2 milionë shqiptarëve, individë, fermerë, peshkatarë apo biznese.

Sfida më e madhe dhe pesha më e madhe në këtë buxhet të alokuar këtë vit është përballimi i çmimeve të energjisë elektrike.

Ne jemi duke ndërmarrë masa të qëndrueshme, të cilat do të jenë aty për qytetarët dhe për bizneset dhe për vitin e ardhshëm, pasi jemi duke përballuar një krizë e cila me shumë gjasa do të jetë e qëndrueshme dhe do të japë efektet e veta edhe për vitin në vijim.

Ky nuk është parashikimi ynë, por i institucioneve ndërkombëtare, i cili është materializuar dhe në të gjithë ekonomitë më të zhvilluara e që presin recesion gjatë vitit të ardhshëm.

Gjasat janë që Shqipëria nuk do të ketë recesion vitin e ardhshëm. Nëse ecuria e ekonomisë do të vijojë të jetë e tillë, ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2023 të jetë në nivelin 2-3 % dhe me masat që po marrin dhe do të ndërmarrim ne do të bëjmë të mundur që kjo rritje të vazhdojë të jetë e tillë.

Faleminderit.

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare

Leave Your Comment