Ibrahimaj në Kuvend: Ndryshimi i buxhetit 2022 mbështet investimet dhe vijimin e zhvillimit ekonomik - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj në Kuvend: Ndryshimi i buxhetit 2022 mbështet investimet dhe vijimin e zhvillimit ekonomik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare Aktin Normativ nr.17 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022, i ndryshuar”.

Akti Normativ ka për qëllim reflektimin e të ardhurave shtesë prej 5 miliardë lekësh përtej parashikimeve, si rezultat i performancës së realizimit të zërave të të ardhurave për periudhën 10 mujore të vitit 2022, duke arritur në nivelin e të ardhurave totale prej 581.8 miliardë lekë.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi se performanca e mirë e mbledhjes së të ardhurave është ndikuar edhe nga miradministrimi fiskal nëpërmjet procesit të fiskalizimit, nga reduktimi i barrierave burokratike dhe zgjerimi i ndjeshëm i shërbimeve elektronike, si dhe nga reformat që qeveria ka ndërmarrë, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes.

Ministrja u shpreh se përmes Aktit Normativ do të vijojë mbështetja e atyre sektorëve të ekonomisë të cilët janë të nevojshëm për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, do të mbështetet financimi i projektit madhor të rindërtimit dhe i projekteve të mëdha infrastrukturore, të cilat do të kenë një efekt direkt në zbatimin e buxhetit duke ruajtur të pandryshuar objektivin madhor të MFE që është konsolidimi fiskal dhe stabiliteti makroekonomik.

Ndryshimi i buxhetit 2022, vijoi Ibrahimaj, nuk e ndryshon objektivin për reduktimin e borxhit dhe për një normë më të ulët të deficitit, pasi qëllimi i tyre është mbështetja e investimeve dhe ecuria ekonomike e vendit edhe për vitin 2023.

“Politika jonë fiskale do të vijojë të synojë një trajektore rënëse të borxhit publik, ndërsa balanca primare do të rikthehet në nivel pozitiv që prej vitit të ardhshëm 2023. Në vitin 2022 pritet që borxhi publik të bjerë në rreth 68.8 % të PBB, nga rreth 73.2 % që ishte në fund të vitit 2021 dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 67.5% në vitin 2023”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas Ministres, konsolidimi fiskal vijon të jetë objektivi themelor i politikës fiskale, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premisë thelbësore për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

 

Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar  zonja Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Tanimë është një praktikë normale që çdo qeveri në fund të vitit bën një analizë të mirëfilltë të rezultateteve, të realizimeve, të mos realizimeve apo angadalësimeve të projekteve që kemi iniciuar që nga fillimi i vitit.

Buxheti i vitit 2022 është një buxhet i cili fillimisht u përgatit në përputhje me planet, me vizionin dhe programin e qeverisë, i orientuar drejt prioriteteve dhe objektivave tona zhvillimore. Megjithatë, edhe viti 2022 rezultoi një vit i cili nuk ishte një vit normal. Zbatimi i buxhetit u kushtëzua nga pasojat e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, të cilat nuk po ndihet vetëm në vendin tonë.

Impakti që ka pasur kjo luftë në ekonominë tonë e kemi ndjerë të gjithë në shportën e familjes sonë, në blerjet tona të përditshme, pasi janë ndikuar çmimet e konsumit, janë ndikuar çmimet e karburanteve, janë ndikuar çmimet e energjisë elektrike, janë ndikuar çmimet e ndërtimit dhe të gjithë këto elementë kanë kushtëzuar ecurinë e buxhetit të vitit 2022.

Sigurisht që ne kemi mbajtur lart objektivin tonë të mbështetjes së kategorive në nevojë dhe dy rishkimet e buxhetit që kanë ndodhur gjatë vitit 2022 kanë pasur si objektiv kryesor mbështetjen e shtresave më në nevojë, si në kuadër të përballimit të rritjes së çmimeve, ashtu edhe në kuadër të përballimit të rritjes së çmimeve të energjisë, që ka përbërë komponentin kryesor dhe masën kryesore të ndërhyrjes në buxhet, në muajin prill dhe qershor të këtij viti.

Akti Normativ që ju paraqitet synon të vijojë mbështetjen e atyre sektorëve të ekonomisë të cilët janë të nevojshëm për vazhdimin e zhvillimit ekonomik dhe më konkretisht synon kryesisht të mbështesë financimin e projektit madhor të rindërtimit, por edhe të projekteve të mëdha infrastrukturore, të cilat do të kenë një efekt direkt në zbatimin e buxhetit duke ruajtur të pandryshuar atë objektiv madhor të MFE që është konsolidimi fiskal dhe stabiliteti makroekonomik.

Buxheti që ju paraqitet është një buxhet që nuk ndryshon objektivin tonë për reduktimin e borxhit dhe për një normë më të ulët të deficitit krahasuar me normat e një viti më parë.

Siç e përmenda edhe më parë, ky nuk ka qenë një vit i lehtë por duhet të theksojmë që të gjithë stimujt e vendosur përgjatë vitit që po lëmë pas kanë treguar eficencë dhe kanë rezultuar pozitive duke prodhuar nxitje dhe rritje të treguesve makroekonomikë.

Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2022 ka shfaqur shenja inkurajuese, duke treguar stabilizim të aktivitetit ekonomik në vijim të ecurisë që aktiviteti ekonomik kishte pasur gjatë vitit 2021. Produkti i Brendshëm Bruto për 6-mujorin e parë 2022 ka shënuar rritje me 4.17%, ndërkohë që janë rikuperurar dhe disa elementë të tjerë të ekonomisë, si punësimi, i shfaqur në rritjen e normave të punësimit, të numrit të të punësuarve dhe në reduktimin e normës së papunësisë, duke arritur në nivel më të ulët se sa ai i parakrizës.

Ndërkohë, inflacioni që ka qenë kryefjala e debateve ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë botën, ka rezultuar në nivelin mesatar rreth 6 % ndërkohë që ka kaluar pikun, që ishte në muajin tetor, dhe në muajin nëntor ka filluar të japë shenja ngadalësimi, që do të thotë se politikat fiskale dhe monetare të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse kanë filluar të japin rezultatet e tyre.

Duhet theksuar që ky inflacion është rreth sa gjysma e inflacionit të vendeve të rajonit. Kjo është dhe falë politikave që kemi ndjekur të mos ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike, që ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe në presionet inflacioniste vendase, duke rezultuar në  inflacionin më të ulët të vendeve të rajonit dhe ndjeshëm më të ulët se sa mesatarja e BE.

Konsolidimi fiskal vijon të jetë objektivi themelor i politikës tonë fiskale, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premisë thelbësore për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

Politika jonë fiskale do të vijojë të synojë një trajektore rënëse të borxhit publik, ndërsa balanca primare, siç kemi diskutuar gjerësisht gjatë diskutimit të buxhetit 2023, do të rikthehet në nivel pozitiv që prej vitit të ardhshëm 2023 dhe nuk do të presim afatin ligjor të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, vitin 2024.

Në vitin 2022 pritet që borxhi publik të bjerë në rreth 68.8 % të PBB, nga rreth 73.2 % që ishte në fund të vitit 2021 dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 67.5% në vitin 2023.

Sa i takon treguesve të borxhit publik, gjatë vitit 2022 përpjekjet tona kanë qenë të përqendruara, për të patur një portofol borxhi cilësor, me sa më pak risqe, edhe pse viti 2022 ka qenë aspak i lehtë në këndvështrimin e menaxhimit të treguesve të borxhit. Të gjithë kemi qenë prezentë dhe kemi parë rritjen e normës bazë të interesit dhe në zbatim të politikës shtrënguese monetare të BSH, me qëllim reduktimin e inflacionit, të cilat kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm në normat e tregtimit të titujve të qeverisë. E megjithatë, ne vijojmë të kemi tregues të qëndrueshëm dhe pozitivë të menaxhimit të borxhit.

Nisur nga sa më sipër dhe mbështetur në vlerësimin e ecurisë 10-mujore të treguesve fiskalë dhe buxhetorë, ky rishikim i fundit i ligjit të buxhetit 2022 siguron ruajtjen e parametrave kryesorë makroekonomikë: deficitit dhe borxhit publik. Ndryshimet kryesore në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit janë në rritjen NETO të tyre me 5 miliardë lekë.

Konkretisht, Akti Normativ që sjellim para jush ka reflektimin e kësaj rritjeje si rezultat i performancës së kënaqshme të realizimit të zërave për 10 mujorin, dhe në total të ardhurat arrijnë në nivelin 581.8 miliardë lekë.

Ky akt siguron, gjithashtu axhustimet mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, duke synuar optimizimin e realizimit të tyre për pjesën e mbetur të vitit 2022, me një rritje neto po në masën 5 miliardë lekë, si dhe ruajtjen të pandryshuar të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Përsa i përket të ardhurave nga tatimet dhe doganat, vlen të theksohet se, për 11-mujorin, rezulton se kemi një tejkalim të të ardhurave tatimore dhe doganore në masën 100.9% ose 4.1 miliardë lekë më shumë, krahasuar me planin. Rrjedhimisht, rritja e të ardhurave u propozua të zbatohet në ato zëra që kanë shënuar një realizim, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që shtohet me 3 miliardë lekë dhe Plani i Kontributeve shoqërore dhe shëndetësore që shtohet me 2 miliardë lekë.

Janë këto dy elementë të cilat lidhen me performancën pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti. Sigurisht efekt në rritjen e të ardhurave kanë pasur çmimet, por jo vetëm. Aktiviteti i shtuar ekonomik ka ndikuar në rritjen e numrave të të punësuarve, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Propozimi për rritje vjen pas një analize të mirëfilltë për zhvillimet që ka pasur në mbledhjen e të ardhurave, qoftë miradministrimi fiskal nëpërmjet procesit të fiskalizimit, por edhe reduktimi i barrierave burokratike dhe zgjerimi i ndjeshëm i shërbimeve elektronike dhe reformat që qeveria ka ndërmarrë, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes dhe kanë rezultuar në një performancë më të mirë të mbledhjes së të ardhurave gjatë vitit që po diskutojmë.

Nga ana e shpenzimeve, ndryshimet konsistojnë në rritjen me 30.2 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, duke arritur në nivelin 665.7 miliardë lekë. Kjo vlerë është përftuar përmes kombinimit të shkurtimeve të zërave që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor dhe alokimit të tyre për politikat dhe projektet të cilat kanë avancuar dhe kanë pasur performancë optimale.

Sa i takon shpenzimeve kapitale, kemi monitoruar në mënyrë sistematike ecurinë e projekteve dhe në vijim kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të arritur objektivat e vendosura në fillim të vitit. Megjithatë, për shkak edhe të kushteve jo të zakonshme, në të cilat ekonomisë shqiptare i është fashur të operojë gjatë këtij viti, si rritja e çmimeve të inputeve të ndërtimit, rritja e çmimeve të energjisë, të cilat kanë ndikuar domosdoshmërisht në vendimet e kompanive për realizimin e projekteve. Duke qenë se kostot janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, kemi pasur një ngadalësim për disa muaj të disa prej projekteve, ashtu si edhe një ngadalësim të realizimit të procedurave të prokurimit, nisur nga fakti që gjatë zbatimit të procedurave çmimet janë rritur ndjeshëm, na është dashur që këto fonde t’i rialokojmë në ato projekte që kanë pasur një ecuri më të mirë.

Gjithashtu, nëpërmjet këtij akti ne synojmë që të përmbushim një angazhim të ndërmarrë nga qeveria për uljen e detyrimeve të prapambetura.

Fondet dhe shpenzimet kryesore që ky buxhet që ju paraqitet për miratim adreson, janë shtesat për:

  • Fondin e Rindërtimit, në masën +12.4 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve të cilat kanë avancuar;
  • Projektet në vazhdim në sektorin e Infrastrukturës, kryesisht në programin “Transporti rrugor”, në masën 5 miliardë lekë, për avancimin e projekteve strategjike dhe sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, në masën +2 miliardë lekë.
  • Kemi alokuar fonde shtesë për projekte të cilat synohet të fillojnë nëpërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), në masën 2 miliardë lekë; kemi vendosur në dispozicion të të gjithë planit të rregullimit të transportit ajror një shumë 2 miliardë lekë; për projektet strategjike të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri, për shoqërinë Albgaz, 1.2 miliardë lekë;
  • Për policinë e shtetit është shtuar një shume prej 1 miliard lekë;
  • Projektet në vazhdim për dixhitalizimin dhe qeverisjen elektronike për Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në masën +500 milionë lekë;
  • Skemën Kombëtare të Fermerëve, në masën +200 milionë lekë si financim shtesë;
  • Gjithashtu, ka një fond shtesë për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

Shtesat dhe akomodimet e parashtruara më sipër konsistojnë kryesisht në shkurtimin me rreth -25.2 miliardë lekë të shpenzimeve korrente e kapitale të institucioneve buxhetore. Kjo, bazuar në vlerësimin e imtësishëm të zërave që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor, ku ndër më kryesoret përmendim uljen me rreth -9.8 miliardë lekë të shpenzimeve kapitale me financim të huaj, si rrjedhojë e ecurisë së ngadaltë në zbatim, rreth -5.9 miliardë lekë shkurtime në planin e shpenzimeve për interesa, bazuar në realizimin e ulët të huamarrjes së pritshme, në krahasim me atë që kishim planifikuar në fillim të vitit, si rezultat i menaxhimit të mirë nga ana e MFE të planit të huamarrjes, me qëllim reduktimin sa më shumë të jetë e mundur të impaktit të rritjes së normave të interesit në treguesit e borxhit të qeverisë qëndrore.

Sa i takon buxhetit vendor, ky Akt Normativ alokon 1 miliard lekë me qëllim uljen e detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor, alokuar kryesisht për ato bashki dhe qarqe të cilat kanë treguar seriozitet në reduktimin e shpenzimeve të detyrimeve të prapambetura, duke pasur një ulje të shpenzimeve nga viti 2018 dhe deri në rezultatin e vitit 2022. Sigurisht që ky alokim ndikoi në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.

Së fundi, në këtë akt normativ është parashikuar një instrument, i cili u hap rrugën investimeve publike në vitin e ardhshëm, ku një pjesë e fondeve do të shkojnë për shpronësimet. Pra, fondet të cilat do të kursehen do të shkojnë për shpronësimet e investimeve të vitit të ardhshëm.

Në përmbyllje të fjalës time, unë dua të garantoj se përgjegjshmëria e këtyre ndryshimeve që ne propozojmë është e lartë dhe qëllimi është për të mbështetur investimet dhe ecurinë ekonomike të vendit, jo vetëm në vitin që po mbaron, por edhe në vitin 2023.

Ritheksoj se ndryshimet e propozuara nuk e prekin deficitin buxhetor. Ai mbetet i pandryshuar, edhe falë ecurisë pozitive të të ardhurave që ka ndikuar realizimin e buxhetit dhe ka sjellë mbulimin e plotë të të gjitha nevojave për financim në kahun e shpenzimeve, të akomoduara përmes këtij Akti Normativ. Njëkohësisht, këto të ardhura do të shërbejnë për sigurimin e qëndrueshmërisë së parametrave kyç makro-fiskalë deri në fund të vitit 2022.

Ky është objektivi ynë i përbashkët madhor, i cili i shërben qeverisë dhe është në interes të qytetarëve.

Ndaj ju ftoj të votoni Aktin Normativ të buxhetit.

Faleminderit.

Previous Ministrja Ibrahimaj në Kuvend: Politikat tona synojnë reduktimin e nivelit të borxhit