Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, i cili pas diskutimeve nga ana e deputetëve u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ky projektligj përbën një tjetër mjet të rëndësishëm të ndërhyrjeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për menaxhimin e borxhit publik të vendit. Përmes tij rregullohen disa procese të lidhura me menaxhimin efektiv të skemave të veçanta të Garancive Sovrane, të cilat i kanë ardhur në ndihmë biznesit në situatat e vështira që ekonomia ka përballuar në tre vitet e fundit.
Projektligji parashikon një riorganizim të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, e cila tashmë do të quhet Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, do të ketë kompetenca të shtuara dhe do të mundësojë ndjekjen efektive të rikuperimit të detyrimit që lind pas pagesës së Garancive Sovrane.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi angazhimin e vazhduar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë sa i përket menaxhimit efektiv të borxhit publik dhe reduktimit të tij.
“Gjatë vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, normat e borxhit publik kanë ardhur duke u reduktuar, duke shënuar nivelin 63 % në tremujorin e parë të vitit 2023, normë kjo më e ulët se norma e parakrizave, pra norma e vitit 2019. Këto rezultate kanë ardhur si pasojë e politikave që qeveria ka ndërmarrë”, u shpreh Ibrahimaj.
Sa i përket Eurobondit të fundit të emetuar nga vendi ynë në vlerën e 600 milionë euro, Ministrja Ibrahimaj tha se dalja e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare ishte një dalje e suksesshme. Edhe pse një Eurobond me normë më të lartë interesi për shkak të situatës së përkeqësuar të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe normave të larta të interesit të bankave qendrore, Ministrja tha se kërkesa e investitorëve të huaj për titujt e qeverisë ishte rreth dyfish i shumës që u pranua në përfundim, ndërsa norma e interesit të siguruar ishte më e ulët se sa vendet e rajonit. “Ishin rreth 87 investitorë që ishin të interesuar të blinin titujt e qeverisë shqiptare, duke treguar dhe duke garantuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe besimin që investitorët e huaj kanë në ecurinë e saj. Ndonëse ne kemi një vlerësim më të ulët se sa vendet e rajonit, arritëm të marrim një normë interesi më të ulët se sa ato, që do të thotë se reformat strukturore që ne kemi bërë, me qëllim forcimin e ekonomisë, kanë dhënë rezultatet e tyre dhe janë të dukshme jo vetëm në shifrat që ne analizojmë përditë por dhe në besimin e investitorëve ndërkombëtarë”, tha Ibrahimaj.
Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja shprehu angazhimin e MFE për të vijuar me reduktimin e borxhit në vend, duke synuar një balancë primare pozitive që në vitin 2023.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Të nderuar deputetë,
Sot jam këtu tek ju për të prezantuar projektligjin e ri “për Menaxhimin e Garancive dhe kredive të pakthyera”.
Ky projektligj është një tjetër mjet i rëndësishëm në bashkësinë e ndërhyrjeve tona për të përmirësuar menaxhimin e borxhit publik në Shqipëri.
Më lejoni t’ju bëj një panoramë të plotë të gjithë nismave dhe ndërhyrjeve që ne kemi ndërmarrë gjatë 18 muajve të fundit, me qëllim kryesor reduktimin e borxhit publik.
Këto tre vite ne kemi kaluar disa goditje, të cilat kanë pasur nevojë për të ndërmarrë masa emergjente dhe të gjithë këto masa kanë rezultuar në përmirësim të aktivitetit ekonomik të vendit, në përmirësim të treguesve kryesorë makroekonomikë, duke filluar që nga Prodhimi i Brendshëm Bruto, i cili pati rritje të lartë në vitin 2021 dhe në vitin 2022, si dhe vijon të jetë me rritje dhe në vitin 2023; duke vazhduar me të dhënat e punësimit dhe me të dhënat e papunësisë; por edhe me të dhënat e investimeve apo ecurisë së sektorëve tanë prioritarë dhe strategjikë, siç është turizmi.
Nga ana tjetër, më lejoni t’ju rikujtoj që kryefjala e gjithë debateve dhe diskutimeve që ne kemi pasur gjatë vitit të kaluar ka qenë inflacioni, pra rritja e çmimeve. Sigurisht që inflacioni ka sjellë disa dukuri zinxhir në gjithë rajonin, Europën dhe gjithë botën, ku rritja e normave të inflacionit u shoqërua me rritje të normave të interesit, ku Banka Qendrore Europiane arriti në normën e interesit 3.5 % nga norma negative e interesit që ishte në periudhën përpara agresionit rus ndaj Ukrainës, ndërsa disa banka të vendeve të rajonit arritën në nivele të normave të interesit 6 %.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë që inflacioni në vend dhe çmimet e përgjithshme të ushqimeve kanë ardhur duke u stabilizuar sipas të gjitha parashikimeve të MFE, por edhe të BSH dhe institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe BB. Në muajin qershor inflacioni arriti në nivelin 4.5 %. Dua t’ju rikujtoj që piku i inflacionit ishte gjatë vitit të kaluar, në tetor, kur arriti në 8.3 %, norma këto, siç e kemi diskutuar shpesh herë, ndjeshëm më të ulëta se normat e rajonit apo edhe të Europës. Këtu e kam fjalën jo vetëm për inflacionit total, por edhe për inflacionin e ushqimeve dhe aq më shumë për inflacionin e produkteve të lidhura me energjinë që kanë qenë problematika më e madhe që vendet e rajonit, Europës dhe të botës kanë pasur në përballimin e kësaj krize të jashtëzakonshme.
Gjithashtu, dua të theksoj se gjatë vitit 2022, por edhe në fillim të vitit 2023, normat e borxhit publik kanë ardhur duke u reduktuar dhe duke shënuar nivelin 63 % në tremujorin e parë të vitit 2023, normë kjo më e ulët se norma e parakrizave, pra norma e vitit 2019.
Këto rezultate kanë ardhur si pasojë e politikave që qeveria ka ndërmarrë, që Ministria e Financave ka ndërmarrë në bashkërendim me Bankën e Shqipërisë.
Më lejoni t’ju kujtoj se në muajin nëntor të vitit të kaluar ne, MFE, së bashku me Kryeministrin, i bëmë një thirrje të hapur qytetarëve shqiptarë me qëllim që të investonin në tituj e qeverisë, në bono dhe obligacione, që qytetarët të ndërgjegjësoheshin për një alternativë shumë fitimprurëse të investimeve, e cila do të sillte më shumë të ardhura në buxhetet e tyre familjare, por nga ana tjetër do të rriste kërkesën për titujt e qeverisë, që më tutje do të sillte në reduktim të normave të interesit, të cilat gjatë vitit të kaluar ishin jashtëzakonisht të larta.
Ftesa që ne i bëmë qytetarëve u dëgjua. Kërkesa për titujt e qeverisë u rrit në mënyrë të ndjeshme që pas muajit nëntor, fill pas thirrjes që kryeministri i bëri qytetarëve. Nëse më parë gjatë gjithë vitit ne kishim një kërkesë të pambuluar nga kërkesa e tregut, nga muaji nëntor e tutje kërkesa ishte mbi dyfish nga kalendari i emetimeve të titujve të everisë shqiptare dhe kjo solli në norma të reduktuara të yield-eve të bonove të thesarit, e cila në ankandet e fundit që MFE ka zhvilluar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë rezultoi në 3.09 %, ndërsa gjatë vitit të kaluar arritëm në pike të cilat kishim më shumë se 10 vite që nuk ishin arritur.
Ky yield është niveli më i ulët që është shënuar që nga muaji gusht i vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, politika e menaxhimit të borxhit ka qenë aktive ndër vite dhe ne nuk kemi qenë prezent vetëm në tregjet kombëtare, por kemi qenë prezent edhe në tregjet ndërkombëtare, ku kohët e fundit ne emetuam me sukses një Eurobond me vlerë 600 milionë euro.
Natyrisht që ky Eurobond ka një normë interesi më të lartë se Eurobondet e viteve të kaluara, për shkak të situatës së përkeqësuar të tregjeve financiare në tregjet ndërkombëtare, për shkak të normave të larta të interesit në Bankën Qendrore Europiane dhe në Bankën Qendrore Amerikane, pra në bankat qendrore të vendeve kryesore të cilat ndikojnë normën efektive të interesit.
E megjithatë, dalja e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare ishte një dalje e suksesshme. Kërkesa e investitorëve të huaj për titujt e qeverisë ishte rreth dyfish i shumës që u pranua në përfundim. Ishin rreth 87 investitorë që ishin të interesuar të blinin titujt e qeverisë shqiptare, duke treguar dhe duke garantuar qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe besimin që investitorët e huaj kanë në ecurinë e saj.
Unë do të doja të bëja një krahasim me vendet e rajonit, të cilët po në vitin 2023 kanë dalë me tituj në tregjet ndërkombëtare, të cilat kanë pasur një maturitet të ngjashëm me maturitetin që ne emetuam, pra me maturitetin 5 vjeçar.
Maqedonia e Veriut emërtoi në muajin mars një Eurobond, i cili pati një kupon 6.25 % dhe një normë interesi 7.25 %; Serbia pati një kupon 6.25 % dhe një normë interesi 6.34 %; ndërsa titujt shqiptarë arritën të marrin një kupon 5.9 % dhe një normë interesi 6.25 %. Dua të theksoj këtu se Shqipëria mori një normë më të ulët se vendet e rajonit, ndërkohë që agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit i kanë vlerësuar vendet e rajonit më lartë se Shqipëria. Pra, ndonëse ne kemi një vlerësim më të ulët se sa vendet e rajonit, arritëm të marrim një normë interesi më të ulët se sa ato, që do të thotë se ecuria e ekonomisë shqiptare, reformat strukturore që ne kemi bërë, me qëllim forcimin e ekonomisë, kanë dhënë rezultatet e tyre dhe janë të dukshme jo vetëm në shifrat që ne analizojmë përditë por dhe në besimin e investitorëve ndërkombëtarë.
Të nderuar deputetë,
Projektligji që sjellim sot për miratim është një tjetër përmirësim i rëndësishëm i kuadrit ligjor në ndihmë të optimizimit të menaxhimit të borxhit publik. Ky projektligj rregullon disa procese të lidhura me menaxhimin efektiv të skemave të veçanta të Garancive Sovrane që i vijnë dhe i kanë ardhur në ndihmë biznesit në të gjitha situata e vështira që ekonomia shqiptare dhe biznesi shqiptar ka përballuar.
Në dhjetor të vitit 2022 ne miratuan në Kuvend ndryshimet dhe shtesat në Ligjin Nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për Huamarrjen Shtetërore, Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore të Huasë në Republikën e Shqipërisë”. Këto ndryshime përfshijnë parashikimet përkatëse për këto lloj skemash garancie dhe procedurat që ligji parashikon për lëshimin e garancive. Ky projektligj synon të plotësojë menaxhimin dhe rikuperimin e këtyre garancive.
Në kushtet e diktuara nga pandemia Covid-19, Qeveria Shqiptare ndërmori disa masa të menjëhershme që kishin si synim jo vetëm mbështetjen financiare të biznesit apo edhe individëve, por edhe garantimin e likuiditetit të nevojshëm për rimëkëmbjen e aktiviteteve tregtare dhe ruajtjen e vendeve të punës, përmes garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare. Ky instrument është përdorur gjerësisht nga disa vende me qëllim mbështetjen e bizneseve të prekura. Përmes Garancisë Sovrane 1 dhe 2, qeveria akordoi një fond total prej 24.14 Miliardë lekë dhe Garancitë u arritën të përthitheshin kryesisht nga bizneset që operonin në sektorët e tregtisë, prodhimit, turizmit, ndërtimit apo shërbimeve, çka tregoi se kishim marrë vendimin e duhur me qëllim që këto instrumente të ndihmonin në arritjen e objektivave që ne kishim vendosur, pra garantimin e vijueshmërisë së punës së biznesit, garantimin e likuiditeteve të nevojshme me qëllim që ekonomia shqiptare dhe biznesi shqiptar të goditej sa më pak.
Por, ekonomia shqiptare sërish u përball me një tjetër sfidë, këtë herë të shkaktuar nga konflikti Rusi- Ukrainë, dhe sërish biznesi kishte nevojë për ndërhyrjen tonë. Në Qershor të vitit 2022 u emetua skema e 3-të e Garancisë Sovrane, këtë herë për t’i ardhur në ndihmë subjekteve që tregtonin produkte ushqimore bazë me shumicë, në mënyrë që ato të kishin gjithashtu likuiditetin e nevojshëm për të siguruar mbajtjen e rezervave, për të paktën një periudhë 3 mujore.
Përdorimi i këtyre instrumenteve bëri të mundur ofrimin e një sigurie më të madhe financiare në një kohë ku paqartësitë ekonomike janë të larta dhe shteti duhet të marrë rolin e vet si garantues i zhvillimit ekonomik.
Pas tre vitesh dhe pas 3 skemash garancie të suksesshme të miratuara për biznesin me një disbursim total prej 25 miliardë lekë dhe 1000 biznese përfituese, ne sot jemi gati të bëjmë një bilanc paraprak të këtij instrumenti specifik në ndihmë të biznesit.
Deri sot kanë qenë vetëm dy raste të thirrjes së garancisë nga bankat me një vlere prej 3 milionë lekë, dhe këto skema kanë rezultuar shumë të suksesshme. Biznesi ka treguar fleksibilitet dhe elasticitet në përthithjen e të gjitha goditjeve me të cilat ekonomia është përballur.
3 milionë lekë përbëjnë më pak se 0.02% të totalit të garantuar nga këto 3 skema së bashku.
Këto dhe detyrimet e tjera të akumuluara ndaj buxhetit të shtetit nga nënhuatë dhe garancitë në sektorët e energjisë, ujësjellësve dhe pushtetit vendor, kërkojnë që baza ligjore për shtimin e mekanizmave ligjorë për mbledhjen e të drejtave që lindin MFE, në kuadrin e këtyre garancive, të pësojë një ndryshim.
Në këtë kuadër, Agjencia e Trajtimit të Kredive, që tashmë do të quhet Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, do të ketë kompetenca të rëndësishme dhe do të marrë ato kompetenca të cilat deri tani i ka pasur Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera do të mundësojë ndjekjen efektive të rikuperimit të detyrimit që lind pas pagesës së Garancisë sovrane.
Një tjetër kompetencë e shtuar është kalimi në këtë agjenci të funksionit të mbledhjes së atyre garancive sovrane që qeveria ka emetuar për marrëveshje të nënhuave, siç thashë, me institucione shtetërore apo me pushtetin lokal.
Të nderuar deputetë,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fokus të punës së saj konsolidimin e mëtejshëm fiskal dhe ruajtjen e parametrave kryesorë makroekonomikë. Ky qëndrim është konfirmuar me menaxhimin e situatave emergjente me të cilat jemi përballur vitet e fundit.
Ne jemi të angazhuar për të vazhduar me reduktimin e borxhit në vend, duke u mbështetur në ligjin organik të buxhetit dhe rregullat fiskale të vendosura në të. Synimi ynë është të kemi një balancë primare pozitive që në vitin 2023, ndonëse ligji na e kërkon arritjen e balancës primare pozitive në vitin 2024.
Kjo tregon që ne jemi të angazhuar të garantojmë stabilitetin makroekonomik të vendit, të ruajmë konsolidimin fiskal dhe të jemi gati për të përballuar çdo lloj sfide që e ardhmja mund të na sjellë.
Faleminderit.