Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat Aktin Normativ Nr.17 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022, i ndryshuar”.
Në fjalën e saj, Ministrja deklaroi se Akti Normativ ka për qëllim reflektimin e të ardhurave shtesë prej 5 miliardë lekësh përtej parashikimeve, si rezultat i performancës së realizimit të zërave të të ardhurave për periudhën 10 mujore të vitit 2022, duke arritur në nivelin e të ardhurave totale prej 581.8 miliardë lekë.
Ky akt normativ, theksoi Ibrahimaj, siguron rregullimet mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, duke synuar optimizimin e realizimit të tyre për pjesën e mbetur të vitit 2022, me një rritje neto po në masën 5 miliardë lekë, si dhe ruajtjen të pandryshuar te deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
“Rritja e të ardhurave të përgjithshme me 5 miliardë lekë mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave tatimore, vlerësimet e pritshme pozitive për mbylljen e vitit 2022, si dhe ndikimin në tatime ad-valorem të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve”, u shpreh Ibrahimaj.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 4.9 miliardë lekë mw shumw për periudhën 10 mujore, 1.2% më shumë se plani 10-mujor; 62.7 miliardë lekë ose 17.4% më shumë krahasuar me 10-mujorin e një viti më parë, prirje kjo që vijoi edhe gjatë 11-mujorit, ku rezulton një tejkalim të të ardhurave tatimore dhe doganore në masën 100.9% ose 4.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me planin.
Sipas Ministres Ibrahimaj, edhe për mbylljen e vitit 2022, parashikohet performancë pozitive në realizimin e të ardhurave doganore dhe tatimore, e cila reflekton përmirësimet në administrimin tatimor dhe doganor, luftën ndaj informalitetit dhe kontrollin e zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve, duke u përqendruar në ato segmente dhe tatimpagues, të cilët duhet të kontribuojnë më shumë në të hyrat e buxhetit të shtetit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit tonë.
Nga ana e shpenzimeve, ndryshimet konsistojnë në rritjen me 30.2 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, duke arritur nivelin prej 665.7 miliardë lekë. Kjo vlerë është përftuar përmes kombinimit të shkurtimeve në zërat që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë optimale. Fondet shtesë në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorët më të rëndësishëm, si: rindërtimi, infrastruktura, policia e shtetit, por edhe bujqësia.
Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:
I nderuar Kryetar i Komisionit,
Të nderuar deputetë,
Ky Akt Normativ ka për qëllim reflektimin në kahun e të ardhurave shtesë përtej parashikimeve të fundvitit prej 5 miliardë lekësh, si rezultat i performancës së kënaqshme të realizimit të zërave të të ardhurave për 10 mujorin 2022, duke arritur në nivelin e 581.8 miliardë lekë. Ky akt siguron, gjithashtu axhustimet mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, duke synuar optimizimin e realizimit të tyre për pjesën e mbetur të vitit 2022, me një rritje neto po në masën 5 miliardë lekë, si dhe ruajtjen të pandryshuar te deficitit buxhetor dhe borxhit publik.
Sa i takon këndvështrimit makroekonomik, ekonomia jonë është përshtatur dhe ka performuar relativisht mirë gjatë vitit 2022, duke treguar një stabilizim të aktivitetit ekonomik. Rritja ekonomike për 6-mujorin e parë 2022 ishte rreth 4.17 % dhe ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe përfshin thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.
Rritja e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimi i ekonomive partnere, si dhe politikat mbështetëse fiskale e monetare, kanë sjellë rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve. Nga këto zhvillime kanë përfituar si sektori prodhues, edhe ai i shërbimeve, duke ofruar rimëkëmbje për biznesin dhe punësim, si dhe krijuar premisa të mira për perspektivën afatmesme.
Gjithashtu, edhe zhvillimet në tregun e punës deri më tani kanë qenë relativisht pozitive. Papunësia në tremujorin e tretë të vitit 2022 ishte 10.8%, kundrejt 11.6% që ishte për të njëjtin 3-mujor të një viti më parë. Inflacioni në muajin nëntor për herë të parë u ul në 7.9%, dhe vijon të jetë ndjeshëm më i ulët se sa në vendet e rajonit, apo se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.
Kreditё me probleme kanë vijuar të ulen, duke shënuar në fund të muajit tetor nivelin prej rreth 5.0% nga 8% që shënonin rreth dy vite më parë.
Rritja e të ardhurave të përgjithshme me 5 miliardë lekë mbështetet në ecurinë pozitive të të ardhurave tatimore, vlerësimet e pritshme pozitive për mbylljen e vitit 2022, si dhe ndikimin në tatime ad-valorem të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.
Kështu, përsa i përket të ardhurave nga tatimet dhe doganat vlen të theksohet për 10 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 4.9 miliardë lekë ose 1.2% më shumë se plani 10-mujor. Ky nivel është njëkohësisht edhe 62.7 miliardë lekë ose 17.4% më shumë, krahasuar me 10-mujorin e një viti më parë. Kjo prirje vijoi edhe gjatë 11-mujorit, ku rezulton të kemi një tejkalim të të ardhurave tatimore dhe doganore në masën 100.9% ose 4.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me planin. Rrjedhimisht, bazuar në analizën dhe vlerësimet e MFE-së, referuar sa më sipër, rritja e të ardhurave u propozua të zbatohet në ato zëra që kanë shënuar një realizim apo tejkalim të planit përgjatë 10 mujorit dhe konkretisht:
- Plani i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar shtohet me +3 miliardë lekë
- Plani i Kontributeve shoqërore dhe shëndetësore shtohet me +2 miliardë lekë.
Propozimi për këtë rritje vjen si rrjedhojë e një analize të mirëfilltë, bazuar në zhvillimet e procesit të fiskalizimit, reduktimit të barrierave burokratike dhe zgjerimit të ndjeshëm të shërbimeve elektronike dhe reformave të ndjekura deri më tani.
Gjithashtu, edhe për mbylljen e vitit 2022, parashikohet performancë pozitive në realizimin e të ardhurave doganore dhe tatimore, e cila reflekton përmirësimet në administrimin tatimor dhe doganor, luftën ndaj informalitetit dhe kontrollin e zinxhirit të transaksioneve ndërmjet operatorëve, duke u përqendruar në ato segmente dhe tatimpagues, të cilët duhet të kontribuojnë më shumë në të hyrat e buxhetit të shtetit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit tonë.
Nga ana e shpenzimeve, ndryshimet konsistojnë në rritjen me 30.2 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, duke arritur nivelin prej 665.7 miliardë lekë. Kjo vlerë është përftuar përmes kombinimit të shkurtimeve në zërat që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë optimale.
Sa i takon shpenzimeve kapitale, gjatë vitit 2022, kemi monitoruar në mënyrë sistematike ecurinë e projekteve, duke marrë të gjithë informacionin e nevojshëm nga ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore, dhe në vijim kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të arritur objektivat e vendosura në fillim të vitit. Megjithatë, për shkak edhe të kushteve jo të zakonshme, të cilat sollën rritjen e çmimeve të inputeve të ndërtimit, rritjen e çmimeve të energjisë, disa projekte nuk kanë patur ecurinë e parashikuar në fillim të vitit. Rrjedhimisht, për të mirëmenaxhuar financat publike me eficiencë dhe efektivitet, kemi ndërmarrë iniciativën që, përmes këtij akti normativ, t’i rialokojmë burimet nga projektet me ecuri të ngadaltë, në ato me performancë me të mirë. Gjithashtu, në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria për uljen e detyrimeve te prapambetura, me anë të këtij Akti Normativ, janë alokuar fonde shtesë për këtë qëllim.
Referuar sa më lart, shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorët më të rëndësishëm, si: rindërtimi, infrastruktura, policia e shtetit, por edhe bujqësia. Në terma konkret, rritjet më domethënëse janë zbatuar për:
- Fondin e Rindërtimit, në masën +12.4 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim;
- Projektet në vazhdim në sektorin e Infrastrukturës, kryesisht në programin “Transporti rrugor”, në masën 5 miliardë lekë, për avancimin e projekteve strategjike si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Tiranës, krahas shlyerjes së detyrimeve të prapambetura;
- Sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, në masën 2 miliardë lekë, për projektet në vazhdim për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë dhe reduktimin e detyrimeve të prapambetura;
- Korporatën Shqiptare të Investimeve (AIC), në masën 2 miliardë lekë, në formën e transfertës kapitale për mbështetjen e disa projekteve zhvillimore;
- Mbeshtetjen e dy kompanive publike: Aviacionin Civil, në masën +2 miliardë lekë dhe Albgaz, në masën +2 miliardë lekë, bazuar në parashtrimin e kërkesave specifike nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Këto kërkesa janë bazuar në nevojën për një mbështetje financiare shtesë, në kuadër të zbatimit të Master Planit, hartimit të politikave zhvilluese të transportit ajror, përmirësimit të kuadrit ligjor, teknik dhe administrativ. Gjithashtu, mbështetja financiare për Albgaz sh.a lidhet me nevoja emergjente në përgjigje të dinamikave të fundit në kuadër të sigurisë energjetike, diversifikimit të burimeve dhe politikave të dekarbonizimit, duke pranuar rolin thelbësor të gazit natyror për ekonominë në mbarë botën;
- Policinë e Shtetit, në masën 1 miliard lekë, për nevoja operative si uniforma, karburant etj.;
- Mirëmbajtjen rrugore ka një buxhet shtesë në masën 800 milionë lekë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të akumuluara;
- Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për projektet në vazhdim me financim të huaj të Bankës Botërore, “Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë dhe emergjenca Covid”, në masën +674 milionë lekë;
- Projektet në vazhdim për dixhitalizimin dhe qeverisjen elektronike për Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në masën +500 milionë lekë;
- Skemën Kombëtare të Fermerëve, në masën +200 milionë lekë si financim shtesë, në kuadër të numrit të shtuar të kërkesave për aplikim;
- Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në masën +250 milionë lekë, për financimin e infrastrukturës sportive në vend lidhur me projektin e sportit në shkolla;
- Federatën Shqiptare të Futbollit, në masën +70 milionë lekë, për mbështetjen e Ekipit Kombëtar të Futbollit;
- Fondin rezervë të buxhetit të shtetit, në masën +150 milionë lekë, me qëllim sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare deri në fund të vitit 2022, në rast të vijimit të materializimit eventual të riskut nga përmbytjet apo situata të tjera të paparashikuara.
Shtesat dhe akomodimet e parashtruara më sipër konsistojnë kryesisht në shkurtimin me rreth -25.2 miliardë lekë të shpenzimeve korrente e kapitale të institucioneve buxhetore. Kjo, bazuar në vlerësimin e imtësishëm të zërave që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor, ku ndër më kryesoret përmendim uljen me:
- Rreth 9.8 miliardë lekë të shpenzimeve kapitale me financim të huaj, si rrjedhojë e ecurisë së ngadaltë në zbatim dhe problematikave me shpronësimet;
- Rreth 5.9 miliardë lekë shkurtime në planin e shpenzimeve për interesa, bazuar në realizimin e ulët të huamarrjes së pritshme nga burimet e brendshme dhe të huaja, si rezultat i dinamikave të tregut dhe garancive të programuara;
- Rreth 5.3 miliardë lekë shkurtime të shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm, si rrjedhojë e ecurisë së ngadaltë në nivel 11-mujor, problematikave me procedurat e prokurimeve, efekteve negative të rritjes së çmimeve të inputeve të ndërtimit, etj.;
- Rreth 1.88 miliardë lekë kursime nga Paketa e Rezistencës Sociale, bazuar në përdorimet faktike të fondeve të planifikuara për këtë qëllim. Kjo, pasi disa zëra, si rritja e pagave, nuk u mbuluan tërësisht nga paketa siç ishte parashikuar, por pjesërisht edhe nga vetë kursimet e institucioneve.
- Rreth 1 miliardë lekë shkurtim të shpenzimeve të Fondit të Kompesimit të Pronarëve, si rrjedhojë e performancës së ulët gjatë vitit 2022.
Sa i takon buxhetit vendor, ky Akt Normativ parashikon:
- Shtesën në masën 1 miliard lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si pasojë e problematikës së ngritur nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për pamundësinë e shlyerjes së tyre nga ish-komunat. Ky fond do të përdoret duke i dhënë përparësi shlyerjes së detyrimit më të vjetër të papaguar. Fondi zë mesatarisht 15% të detyrimeve totale që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, theksojmë se akordimi i këtij fondi do të ndihmojë ato njësi të cilat janë në vështirësi financiare. Po ashtu, janë ndihmuar dhe bashkitë e vogla dhe të mesme që kanë aftësi të ulta fiskale. Ky fond do t’u vijë në ndihmë bashkive për të përshpejtuar procesin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar gjendjen e tyre financiare.
- Shtesën në masën 165 milionë lekë për transfertën specifike për sportin, përkatësisht për rikonstruksionin e pallatit të sportit në Gjirokastër dhe rikostruksionin e pallatit të sportit në Përmet.
- Shtesën në masën 70 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Kjo do të sjellë më shumë financim për buxhetin vendor, duke mundësuar ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët.
- Shpërndarjen nga fondi rezervë i transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme në masën 70 milionë lekë për transfertën e pakushtëzuar të përgjithshme për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive dhe të funksioneve për ato njësi të vetëqeverisjes vendore, që nuk kanë realizuar mjaftueshëm nivelin e të ardhurave, për të mos cënuar ofrimin e shërbimeve publike të domosdoshme.
Së fundi, në këtë akt normativ është parashikuar një instrument, i cili ndihmon dhe u hap rrugën investimeve publike për vitin e ardhshëm buxhetor. Konkretisht, fondet që mbeten të papërdorura në fund të vitit 2022 i kalojnë fondit të shpronësimeve që administrohet në llogarinë e posaçme në Bankën e Shqipërisë dhe përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Në përmbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj dhe rikonfirmoj përpara këtij Komisioni se, ndryshimet e propozuara nuk e prekin deficitin buxhetor. Ai mbetet i pandryshuar, falë ecurisë pozitive të të ardhurave buxhetore për 10-mujorin 2022 që ka vijuar edhe gjatë 11-mujorit, si dhe nga pritshmëria pozitive e realizimit të tyre në nivel vjetor. Kjo ka sjellë mbulimin e plotë të të gjitha nevojave për financim në kahun e shpenzimeve që janë akomoduar përmes këtij akti normativ. Njëkohësisht, këto të ardhura do të shërbejnë për sigurimin e qëndrueshmërisë së parametrave kyç makro-fiskalë deri në fund të vitit 2022.
Ky është edhe objektivi ynë madhor, si Ministri e Financave dhe Ekonomisë dhe si Qeveri, në interes të qytetarëve.
Ju faleminderit.