Ibrahimaj prezanton platformën “National Single Window” për lehtësimin e procedurave doganore

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi nismën për krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (National Single Window), një platformë digjitale që synon modernizimin e procedurave doganore dhe lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare për bizneset shqiptare, përmes reduktimit të burokracisë dhe përshpejtimit të procedurave të importit dhe eksportit.

Sipas Ibrahimajt, sistemi i ri do të digjitalizojë proceset doganore dhe do të krijojë një platformë të vetme elektronike për paraqitjen dhe shkëmbimin e të dhënave të tregtisë ndërkombëtare, duke integruar institucionet që lëshojnë dokumente, leje dhe certifikata të nevojshme për procedurat e importit dhe eksportit. Ajo theksoi se projekti “revolucionarizon mënyrën se si bizneset shqiptare kryejnë tregti”, duke ulur kostot administrative dhe duke rritur transparencën në proceset doganore.

Platforma pritet të thjeshtojë procedurat e tregtisë ndërkombëtare, të ulë kostot administrative për biznesin, të përshpejtojë proceset e zhdoganimit dhe të përmirësojë koordinimin ndërinstitucional, duke rritur transparencën dhe integritetin e administratës doganore. Sipas ministres, modernizimi i procedurave është i rëndësishëm edhe për shkak të rolit të Shqipërisë si vend tranziti për rrjedhat tregtare drejt Bashkimit Evropian.

Ibrahimaj nënvizoi se sistemi do të kontribuojë në përafrimin e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Evropian dhe në përmirësimin e klimës së biznesit, duke ndikuar në rritjen e eksporteve dhe në integrimin e bizneseve shqiptare në zinxhirët evropianë dhe globalë të furnizimit. Sipas saj, përfituesit kryesorë do të jenë bizneset shqiptare, të cilat do të kenë procedura më të shpejta, më transparente dhe më pak burokratike në proceset e tregtisë ndërkombëtare.

Implementimi i National Single Window është pjesë e projektit rajonal për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, i financuar nga Banka Botërore. Në Shqipëri, sistemi do të menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe do të integrohet me platformën e-Albania, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është institucioni lider për zbatimin e tij.