Ibrahimaj: Reduktimi i cash-it dhe zgjerimi i pagesave digjitale, prioritet kombëtar për transformimin ekonomik
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në Forumin “Connect Albania – E ardhmja është digjitale”, deklaroi se reduktimi i përdorimit të parasë fizike dhe zgjerimi i pagesave digjitale është një nga prioritetet kryesore të transformimit ekonomik të vendit. Ajo shtoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në digjitalizimin e shërbimeve publike, por ky progres nuk mund të gjenerojë impakt të plotë ekonomik pa një përdorim të gjerë të pagesave elektronike.
Shqipëria renditet sot e teta në Bashkimin Europian dhe ndër 20 vendet e para në botë për digjitalizimin e shërbimeve publike, me 98% të tyre të aksesueshme online. Sipas Ibrahimajt, sfida e radhës është sinkronizimi i këtij niveli digjitalizimi me mënyrën se si kryhen transaksionet financiare në vend.
Ministrja bëri të ditur se një plan i plotë masash për nxitjen e pagesave digjitale është tashmë gati dhe do të diskutohet së shpejti me sektorin bankar, institucionet publike dhe aktorët e tjerë të zinxhirit të pagesave. Pjesë e këtij plani është edhe masa e parashikuar në Paketën Fiskale që paraqitet sot në Parlament, e cila parashikon detyrimin që çdo tregtar të ketë të paktën një POS, me një zbatim të shkallëzuar deri në vitin 2026.
“Ky është një nga hapat e parë drejt realizimit të objektivit tonë ‘Shqipëria Cashless 2030’, objektiv që do të kontribuojë në uljen e informalitetit dhe në përmirësimin e performancës dhe inovacionit në ekonomi,” u shpreh ministrja, duke falënderuar “Mastercard” për mbështetjen në zbatimin e programit POS dhe hartimin e planit të masave për vitet e ardhshme, si dhe Bankën e Shqipërisë për kontributin kyç në zhvillimin e pagesave digjitale dhe bankingut elektronik.