Ibrahimaj: Reforma e inspektimeve finalizohet në 2026, fokus te parandalimi dhe jo te gjobat

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan një takim me Kryeinspektorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e inspektoriateve në vend, ku u diskutuan sfidat e fazës së re të reformës së sistemit të inspektimeve dhe hapat për konsolidimin e saj në praktikë.

Gjatë takimit, Ibrahimaj theksoi se reforma synon konsolidimin e inspektoriateve, thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe forcimin e kapaciteteve të inspektorëve, si edhe uljen e konfliktit të interesit përmes ndarjes së proceseve të ankesave nga strukturat që vendosin penalitetet. Një tjetër element kyç mbetet përdorimi i modulit të riskut, për të shmangur kontrollet e shpeshta dhe të përsëritura ndaj bizneseve.

Sipas saj, qasja e re parashikon që gjobat të mos jenë masa e parë ndëshkuese, por të paraprihen nga paralajmërimi dhe parandalimi. Masa ndëshkuese do të aplikohen vetëm në rastet e shkeljeve të rënda me pasoja për interesin publik ose kur ligji parashikon pezullimin e aktivitetit.

Ministrja bëri të ditur se baza ligjore dhe shumica e akteve nënligjore janë miratuar, ndërsa institucionet pjesë e reformës po ristrukturohen. Roli i Inspektoriatit të Përgjithshëm është fuqizuar, duke përfshirë përgjegjësi më të mëdha në rekrutimin e inspektorëve, miratimin e planeve të punës dhe shqyrtimin e ankesave në bashkëpunim me inspektoriatet dhe dhomat e biznesit. Objektivi i qeverisë është që reforma të finalizohet brenda vitit 2026, paralelisht me ndërtimin e një sistemi monitorimi për të gjitha proceset.

Në këtë kuadër, Inspektoriati i Përgjithshëm do të administrojë edhe sistemin e ri të gjobave, të zhvilluar në bashkëpunim me AKSHI-n, i cili do të përmbledhë penalitetet e vendosura nga institucionet publike ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Të dhënat e këtij sistemi do të shërbejnë si një nga elementet kryesore për përcaktimin e nevojës për inspektim.

Reforma synon gjithashtu rritjen e transparencës për bizneset. Çdo subjekt që regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të informohet paraprakisht mbi detyrimet ligjore, inspektoriatet që mund të kryejnë kontrolle dhe penalitetet në rast mosrespektimi të legjislacionit.

Me përfundimin e reformës, marrëdhënia mes shtetit dhe biznesit pritet të bëhet më e qartë, e drejtë dhe konkurruese, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes në vend.