Koncepti i një ekonomie pa përdorimin e cash-it po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, jo vetëm në qarqet financiare, por edhe në jetën e përditshme.
Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh në forumin “Digjitalizimi kundrejt parasë fizike”, organizuar nga Shoqata e Bankave, se reduktimi i cash-it në ekonomi sjell një sërë avantazhesh :
ul informalitetin,
frenon korrupsionin
minimizon fluksin e parave jo të ligjshme
Sipas Ministres, kalimi në një ekonomi pa para jo vetëm që lehtëson jetën e individit si në kryerjen e pagesave, ashtu dhe në drejtim të sigurisë personale, por gjithashtu ndihmon në vërtetimin dhe zyrtarizmin e transaksioneve që kryhen.
Ibrahimaj informoi, se MFE ka dhënë ndër vite një kontribut të rëndësishëm në këtë fushë përmes hartimit të një sërë reformave rregullative dhe teknike, si :
Pagesat e pagave të punonjësve të administratës përmes sistemit bankar
Pagesat e buxhetit të shtetit me përfitues individë përmes sistemit bankar
Zbatimi i Sistemit Informatikë Financiar të Qeverisë (SIFQ) sistem në të cilin kryhen të gjitha proceset e ekzekutimit të buxhetit të shtetit dhe raportimit financiar. Mesatarisht ekzekutohen 1,500-2,000 pagesa të buxhetit të shtetit çdo ditë. Për të rritur transparencën në procesin e ekzekutimit të buxhetit të shtetit është bërë e mundur zgjerimi i përdorimit të këtij sistemi tek njësitë e qeverisjes qendrore:
Anëtarësimi në SWIFT ( 2010) gjithashtu ka bërë të mundur që çdo pagesë e Qeverisë të ekzekutohet në sistemin e pagesave, duke eliminuar totalisht pagesat në formë cash.
Sipas Ministres, synohet që brenda vitit 2023 të përfundojë përfshirja e njësive të qeverisjes së përgjithshme në sistemin e arshivës elektronike të dokumentacionit mbështetës të transaksioneve buxhetore, që ekzekutohen nga struktura e Thesarit, proces i cili automatizon marrëdhënien fizike të këtyre njësive.
Gjithashtu Ministrja vlerësoi se Reforma e Fiskalizimit, e cila është drejt përmbylljes gjithashtu ka sjellë rezultate të kënaqshme sa i përket rritjes së transaksioneve dhe duke eliminuar totalisht pagesat në formë cash.
Futja e pagesave digitale përmes shërbimeve online përmes e-albania, u shpreh Ibrahimaj, do të ndihmojë në rritjen e numrin të transaksioneve elektronike, por do të jetë një mjet për të afruar akoma më shumë sipërmarrjen dhe qytetarin me këto pagesa.
Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:
I nderuar zoti Zv.kryeministër,
I nderuar Z. Guvernator
I nderuar Z. Shella,
Ju falënderoj për organizimin e këtij forumi kaq të rëndësishëm në debatet e ndryshme qoftë politike, qoftë të reformave, qoftë të ecurisë që koha na ndikon.
Koncepti i ekonomisë pa përdorimin e cash-it është një diskutim që merr gjithmonë vëmendje dhe ka qenë gjithmonë në vëmendjen tonë, dhe më vjen mirë që është tematika kryesore e kësaj konference.
Reduktimi i cash-it në ekonomi sjell ulje të informalitetit dhe studime të ndryshme tregojnë se nga vendet e zhvilluara deri te vendet në zhvillim mund të ketë një ndikim nga 5 deri në 13.5 % të ndryshimit të reduktimit të informalitetit, thjesht duke nxitur mos përdorimin e cash-it në ekonomi. Gjithashtu, ai frenon korrupsionin frenon apo minimizon fluksin e parave jo të ligjshme dhe kjo ka një ndikim të madh jo vetëm në ecurinë e ekonomisë por dhe në reduktimin e varfërisë. Gjithashtu edhe këtu studime të ndryshme tregojnë që mund të ketë ndikim deri në 3% të GDP në vendet në zhvillim.
Të gjitha këto janë prioritete të Qeverisë tonë dhe janë në nxitje dhe në vijim të rritjes së qëndrueshme të ekonomisë që të gjithë duam të arrijmë.
Reduktimi i cash-it jo vetëm jo vetëm lehtëson jetën e individit si në kryerjen e pagesave por jep dhe një siguri në drejtim të sigurisë personale, dhe gjithashtu ndihmon në vërtetimin dhe zyrtarizmin e transaksioneve që kryhen në drejtim të reduktimit të informalitetit.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndër vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për hartimin e reformave që kanë nxitur reduktimin e cash- it në ekonomi. Mund të përmenden që nga fillimet e nismave të para, si ato të kalimit të:
Pagesave të punonjësve të administratës përmes sistemit bankar;
Pagesat e buxhetit të shtetit me përfitues individë përmes sistemit bankar;
Zbatimi i Sistemit Informatikë Financiar të Qeverisë (SIFQ);
Anëtarësimi në SWIFT;
Ndonëse janë shumë të vjetra janë masa të cilat kanë ndikuar në përdorimin e mjeteve të pagesave.
Ne synojmë që brenda vitit 2023 të përfundojë e gjithë përfshirja e të gjithë njësive të qeverisjes së përgjithshme në sistemin e arshivës elektronike, e cila do të jetë një hap më tej në zhvillimin e transaksioneve buxhetore, të cilat ekzekutohen nga struktura e Thesarit.
U përmend nga të gjithë parafolësit reforma e fiskalizimit dhe unë nuk mund të mbetem pa e përmendur, e cila ka sjellë një rritje të transaksioneve, ka sjellë rezultate të kënaqshme në këtë drejtim dhe duke ndikuar kështu në uljen dhe reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi.
Një nga problematikat kryesore të përdorimit të POS-eve nga tregtarë të ndryshëm është pikërisht kostoja e lartë për tregtarin e përdorimit të POS-it. Mendoj që kjo nismë do të nxiste përdorimin e pagesave elektronike duke reduktuar kostot për tregtarin dhe duke rezultuar në arritjen e atyre objektivave që të gjithë bashkë kemi.
Sipas legjislacionit që kemi aktualisht në fuqi, maksimumi i pagesës që mund të kryhet nëpërmjet cash-it është 150, 000 lekë. Mbase diskutimet e sotme mund të na ndihmojnë në arritjen e një limiti tjetër për përdorimin e cash-it në tregti dhe mund të arrijmë ta rivlerësojmë këtë limit por jo pa analizuar detajet dhe ndikimin që ai mund të sjellë në shoqëri.
Nëse i referohemi të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë dhe efekteve të Ligjit të Pagesave dhe të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, u përmend dhe nga Guvernatori, që pagesat elektronike janë rritur për frymë nga niveli 12.5 nga 10 që ka qenë objektivi i Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër pjesa më e madhe e popullsisë se rreth 69% zotëron një llogari pagese dhe gjithashtu përdorimi i pagesave me karte është po zë një vend gjithmonë e më të rëndësishëm në pagesat on-line.
Unë mendoj që pavarësisht rezultateve të arritura deri tani ndonëse janë inkurajuese ka akoma shumë për të bërë për përmirësimin dhe uljen e pagesave në cash në ekonomi.
Një nga nismat që Qeveria ka ndërmarrë, e cila u përmend dhe nga zv.kryeministri, është bashkëpunimi me sistemin bankar, Bankës së Shqipërisë me qëllim futjen e pagesave digitale për të paguar shërbimet on-line nëpërmjet e-albania.
Ne kemi ngritur një grup teknik ku pjesa më e madhe juaj është pjesëmarrës, dhe jam e bindur që shpejt do të vijmë me një zgjidhje e cila do të ndikojë në numrin e transaksioneve por do të ndikojë dhe në rritjen e shërbimeve dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Një tjetër hap i cili ka filluar të ndërmerret nga Qeveria vjen në stimulimin e gjithëpërfshirës financiare dhe veçanërisht për shtresat në nevojë, zonave rurale apo ato që kanë pak akses bankar.
Në këtë drejtim Qeveria është duke iniciuar një proces ndaj drejtimit të kartës sociale nga ana e Postes Shqiptare, e cila aktualisht ka 494 pika shërbimi të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Përdorimi i kësaj karte, pra kryerja e pagesave shtetërore, nëpërmjet kartës së lëshuar nga posta, do të rrisë aksesin e pagesave elektronike dhe do të reduktojë cash-in ekonomi dhe do të shkojë dhe në drejtim të rritjes së edukimit financiar dhe nxitjes së pagesave elektronike.
Me rëndësi është edhe hartimi i një strategjie kombëtare apo plani pune të përbashkët për Edukimin Financiar, dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me sistemin bankar dhe Bankën e Shqipërisë.
Kemi diskutuar disa herë dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim që të kemi një qasje gjithëpërfshirëse për përdorimin inovacionit në fushën e pagesave, e cila sigurisht do të reduktojë cash-in në ekonomi, do të rrisë përfshirjen financiar dhe do të rrisë edukimin financiar.
Ne do të ndërmarrim një aksion të përbashkët në këtë drejtim dhe unë uroj që gjatë këtij forumi të keni diskutime të frytshme.
Faleminderit.