Ibrahimaj: Shqipëria dhe Egjipti thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe institucional
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi në Tiranë Sesionin e Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, Shkencor dhe Teknik Shqipëri-Egjipt, i zhvilluar në kuadër të Forumit të Biznesit, me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe konsolidimin e dialogut institucional. Delegacioni egjiptian u kryesua nga Ministrja e Planifikimit, Zhvillimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Arabe të Egjiptit, Rania A. Al-Mashat. Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se prioritet mbetet nxitja e investimeve të huaja direkte, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe zgjerimi i bashkëpunimit në sektorë kyç si tregtia dhe investimet, turizmi, energjia dhe uji, bujqësia, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, shëndetësia dhe industria farmaceutike, trajnimi profesional, prokurimi publik, industria, strehimi dhe zhvillimi urban, punësimi, kultura, rinia dhe sporti, teknologjia e informacionit, aviacioni civil dhe transporti detar. Ministrja vlerësoi gjithashtu bisedimet teknike të zhvilluara më 12-13 dhjetor, të koordinuara nga Zëvendësministri Enkelejd Musabelliu, të cilat shërbyen për harmonizimin e pozicioneve dhe përcaktimin e fushave prioritare të bashkëpunimit. Gjatë sesionit u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për Forcimin e Bashkëpunimit dhe Shkëmbimin e Ekspertizës në Politikëbërjen Ekonomike Ndërkombëtare, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet AIDA dhe GAFI, me synim shkëmbimin e ekspertizës, programet e trajnimit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe nisma të përbashkëta për inovacionin, dixhitalizimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Duke iu referuar të dhënave ekonomike, ministrja bëri të ditur se stoku i investimeve egjiptiane në Shqipëri ka arritur rreth 7 milionë euro, ndërsa rreth 370 ndërmarrje me partnerë egjiptianë operojnë aktualisht në disa rajone të vendit. Sipas saj, rritja e eksporteve dhe potenciali për diversifikimin e tregtisë dëshmojnë hapësira konkrete për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Në përfundim, Ibrahimaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Egjiptin, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe nisjen e projekteve të përbashkëta gjatë vitit 2026, si dhe gatishmërinë për zhvillimin e Sesionit të Dytë të Komisionit të Përbashkët në Kajro.