Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, dhe Elisabeth Brasacq, Ambasadore e Francës në Tiranë, zhvilluan një vizitë në kompaninë “Marlotex”, në Berat, të cilës iu dorëzua dhe certifikata e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO).
Kompania “Marlotex” e krijuar në vitin 2005 në Berat, është investim shqiptaro-francez në fushën e industrisë tekstile. Ajo ka të punësuar 250 punëtorë, ndërsa modeli ekonomik i saj është i bazuar vetëm në eksport.
Pasi pa nga afër të gjithë proceseve të punës, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se nismat e qeverisë janë në funksion të krijimit të një klime të favorshme të biznesit.
“Në fakt sot kemi ardhur këtu pikërisht për një nga këto elementë që ne përdorim, me qëllim që t’i lehtësojmë jetën bizneseve, me qëllim që të heqim disa barriera, të lehtësojmë disa procedurat, që konkretisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka futur në funksion pak vite më parë dhe vetëm këtë vit ne në fakt patëm një vlerësim për njohjen e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, të cilët janë njohur edhe nga BE dhe përveçse procedurat tona janë njohur nga BE, ne kemi vendosur në vendet e “Open Balkans” që AEO të njihen dhe brenda për brenda nesh. Pra këto janë lehtësira për subjektet që marrin këtë status, të cilin ju do e merrni sot, do jenë të ndërsjellëta dhe për vendet e Open Balkans dhe gjithashtu për vendet e BE”.
Duke vlerësuar dhe punën e bërë nga ky biznes, Ministrja tha, se “uroj që ju të jeni shembull për të gjithë bizneset e tjera që operojnë në këtë fushë, e cila ka qenë punëdhënësi kryesor i biznesit shqiptar në vitet e fundit, pra pikërisht manifaktura, dhe uroj që nëpërmjet bashkëpunimeve tona më të mira ne të rrisim akoma më shumë investimet në këtë fushë, duke rritur investimet në të gjithë zinxhirin e vlerës, jo vetëm në procese të caktuara, ashtu sikurse ju bëni aktualisht”.
Mbështetja e sipërmarrjes në këtë drejtim nuk do të mungojë, tha Kreu i Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, duke motivuar biznesin që të jetë bashkëpunues dhe partner me ADSH, për përfitimin e këtij statusi.
“Dua të përcjell vëmendjen e qeverisë Rama, veçanërisht ministres, për t’i qëndruar pranë biznesit dhe për të përcjellë gjithë shpejtësinë, lehtësinë, strukturën e administratës doganore pranë biznesit dhe dhënia e këtij statusi në këtë rast konkret që është AEO është një domethënie e përcjelljes së këtij mesazhi”, tha Gazheli.
Drejtuesi i kësaj kompanie, Gazmen Toska, shprehu falënderimet e tij në emër të strukturave të cilat në çdo moment, sipas tij, janë treguar të gatshëm në mbështetjen me asistence teknike.
Aktualisht në vendin tonë kanë marrë statusin e AEO-së 9 biznese, ndërkohë që ka disa të tjerë në proces.
Sa i përket statusit OEA, kompanitë që aplikojnë për këtë status, mund të themi se përfitimet që sjell janë: një trajtim i favorshëm dhe prioritar në vlerësim të riskut dhe kontrolleve doganore, si dhe akses në përdorimin e të gjitha thjeshtimeve dhe lehtësive që parashikon legjislacioni doganor.
Njohja reciproke e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar nga autoritetet doganore në të gjitha vendet e rajonit konsiderohet një mundësi e madhe për zhvillimin e biznesit në tregun rajonal dhe në të ardhmen dhe më gjerë në atë europian.