Ibrahimaj takim me homologun japonez: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe investimet japoneze në Shqipëri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj takim me homologun japonez: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe investimet japoneze në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, z. Nishimura Yasutoshi.

Gjatë takimit, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu objektivin e qeverisë shqiptare për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes tyre.

Ministrja tha se Shqipëria ka një potencial të madh për investime në shumë sektorë strategjikë, si bujqësia, turizmi, energjia dhe manifaktura, ndërsa ka edhe potencialin gjeografik duke qenë në zemër të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përballë Europës.

Ministrja Ibrahimaj shprehu interesin për rritjen e investimeve japoneze në Shqipëri, sidomos në projektet e mëdha infrastrukturore të vendit tonë.

“Ne synojmë që nëpërmjet bashkëpunimit më të madh ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë të rrisim numrin e investimeve, duke synuar që edhe investimet e mëdha që po ndodhin, infrastrukturore në vend, të kenë bashkëpunim me Japoninë dhe të ketë pjesëmarrje të kompanive japoneze, të cilat treguan një interes të lartë. Vitet e fundit ka pasur një interes të lartë të produkteve shqiptare nga ana e Japonisë për tregti, për eksporte dhe në faktet shifrat e eksporteve e tregojnë këtë”, tha Ibrahimaj.

Nga ana e tij, Ministri z. Nishimura Yasutoshi vlerësoi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vite dhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, duke përmendur hapjen e ambasadës japoneze në Shqipëri në vitin 2017, nisjen e investimit të kompanisë Sumitomo në vitin 2019, hapjen e dhomës së tregtisë Japoneze në vendin tonë në 2020, etj.

Ministri z. Yasutoshi shprehu interesin për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe atë të rritjes së investimeve japoneze në Shqipëri.

Gjithashtu, z. Yasutoshi shprehu mbështetjen për Shqipërinë në rrugëtimin e integrimit në Bashkimin Europian dhe tha se Japonia synon të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me Shqipërinë dhe me vendet e Ballkanit.

Në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare, dy ministrat u shprehën kundër agresionit rus në Ukrainë, duke qenë të bindur së në botën e sotme nuk mund të tolerohet ushtrimi i dhunës ndaj shteteve.

Takimi mes ministrave Ibrahimaj dhe Yasutoshi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që një delegacion i qeverisë shqiptare me në krye Kryeministrin Rama është duke zhvilluar në Japoni, në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.

Previous Udhëzimi i ri për diplomat e ngjashme me fushat e mësimdhënies / Ministrja Kushi takon përfaqësuesit e fakulteteve të edukimit