Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në një takim të zhvilluar me qëllim bilancin e sezonit turistik veror, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ministrja tha se qeveria e konsideron turizmin si një sektor strategjik dhe për këtë arsye në vitet e fundit vëmendja dhe investimet në këtë sektor janë rritur, sidomos ato në infrastrukturë.
Ministrja Ibrahimaj garantoi se mbështetja për sektorin e turizmit do të vijojë edhe në vitet në vijim, pasi shprehu besimin se potenciali i sektorit është shumë më i lartë se sa aktualisht.
Vetëm për vitin 2021, kontributi i sektorit të turizmin në GDP e vendit ishte 7.5 %, ndërkohë nëse do të llogariten edhe sektorët që indirekt kontribuojnë në turizëm, ky kontribut shkon deri në 17.5 % të GDP-së.
Sa i përket vitit 2022, vetëm për periudhën qershor-gusht, ka pasur një rritje të qarkullimit të sektorit me 30 % dhe rritje të punësimit me 4% në krahasim me vitin e kaluar, që sipas Ministres tregojnë se për një ecuri pozitive, rritje të numrit të bizneseve, numrit të netë qëndrimeve, rritjet të kapaciteteve dhe shfrytëzimit të kapaciteteve turistike.
Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se për sektorin e turizmit qeveria ka ndërmarrë një politikë fiskale lehtësuese për të nxitur investimet, ku:
-Janë përjashtuar nga tatim fitimi të gjithë hotelet me 4 dhe 5 yje;
-Është reduktuar TVSH për të gjithë strukturat akomoduese në 6 % dhe gjithashtu për hotelet me 4 dhe 5 yje është reduktuar TVSH-në për restorantet.
“Jemi munduar që nëpërmjet politikave tona fiskale të nxisim investimet në këtë sektor dhe nëpërmjet ligjit të investimeve strategjike kemi dhënë disa lehtësira të tjera që lidhen me taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet në këtë sektor. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim sektorin e turizmit sepse besojmë fort se potenciali është shumë më i lartë se sa kaq. Sipas parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare në fushën e turizmit, në të gjithë botën, pritet që ky sektor të rritet me 5.8 % vit pas viti deri në vitin 2030. Ky është edhe synimi ynë, që të vazhdojmë ta rrisim sektorin më shumë se sa rritja e përgjithshme e vendit”, u shpreh Ibrahimaj.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Faleminderit për ftesën për të qenë sot këtu prezent me ju, për të bërë një bilanc të përgjithshëm të sektorit që në fakt në vitet e fundit ka marrë peshën si një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit tonë.
Pandemia na tregoi se sektori i turizmit kushte një peshë të rëndësishme në punësim, kishte një peshë të rëndësishme në qarkullim, në vlerë të shtuar në ekonomi në vend.
Viti 2020 ishte një vit që na tregoi se ky sektor dhe investimet që qeveria kishte bërë për këtë sektor ishin të duhurat, pasi gjithë ngadalësimi që ndodhi ishte kryesisht nga frenimi i sektorit të turizmit.
Që në vitin 2021 ne patëm një rikuperim të mirë të shifrave të turizmit, patëm një rritje qoftë të nivelit të punësimit, qoftë të nivelit të qarkullimit, qoftë të numrit të bizneseve, ndonëse edhe ky vit pati reduktime përsa i përket lëvizjeve ndërkombëtare.
Në këtë vit, kontributi i sektorit të turizmit në GDP-në e vendit rezultoi 7.5%. Kur them për sektorin e turizmit, e kam fjalën vetëm për ato struktura që lidhen ngushtësisht dhe drejtpërdrejt me turizmin, pra hotelet, restorantet, agjencitë e udhëtimit apo kompanitë e dhënieve me qira të shtëpive apo makinave.
Por, nëse do ta zgjerojmë pak më tej dhe nëse do të shohim dhe kontributin e atyre sektorëve që indirekt kontribuojnë në turizëm, si sektorët e transportit, të investimeve në struktura turistike, në ndërtime hotelesh, në ndërtime rrugësh, në ndërtime marinash etj, ky kontribut shkon rreth 17.5 për qind. Pra, sot kemi një sektor me kontribut që shkon deri në 17.5% të GDP-së, ndërsa nëse kthejmë kokën 10 vite më parë, sektori i turizmit kishte një kontribut 3 deri në 5 % të GDP-së.
Por këto janë shifrat e vitit 2021, që nuk është viti më i mbarë i turizmit në vend. Sa i përket vitit 2022, Ministrja e Turizmit përmendi rritjen e numrit të turistëve që kanë hyrë në vend, por unë dua ta zgjeroj pak gamën e shifrave.
Gjatë këtij viti, vetëm për periudhën qershor-gusht, kemi pasur një rritje të qarkullimit të këtij sektori me 30 %, ku sigurisht ka pasur qytete me rritje më të lartë si Saranda dhe Durrësi, por të gjitha qytetet kanë pasur një rritje të qarkullimit në turizëm mbi 28%, ku mesatarja është 30%.
Ne kemi pasur një rritje të punësimit në turizëm me 4% në krahasim me vitin e kaluar, që tregon se kapacitet janë rritur, që numri i bizneseve është rritur, që numri i netë qëndrimeve dhe i shfrytëzimit të kapaciteteve turistike është rritur, që tregon një ecuri shumë pozitive.
Që kur morëm mandatin në vitin 2013, qeveria shqiptare e ka konsideruar sektorin e turizmit si një sektor strategjik dhe kjo është arsyeja se pse ne kemi investuar, si në infrastrukturë. Vetëm në vitet e fundit janë ndërtuar rrugë të cilat i shërbejnë sektorit të turizmit dhe po vijohet me investime. Mund të përmend se është ndërtuar rruga e Arbrit, po ndërtohet tuneli i Llogarasë, janë ndërtuar të gjitha rrugët që lidhin jugun e vendit, të cilat i shërbejnë turizmit, po ndërtohet aeroporti i Vlorës, po ndërtohen marinat, ku ajo e Durrësit u përmend pak më parë, pra janë të gjithë këto investime që e i kemi bërë për t’i dhënë frymë sektorit dhe për të tërhequr më shumë investime dhe njerëz në turizëm.
Nga ana tjetër kemi pasur edhe një politikë, e cila ka nxitur nga ana fiskale investimet në sektorin e turizmit.
Ne kemi përjashtuar nga tatim fitimi të gjithë hotelet me 4 dhe 5 yje pasi synojmë që të rrisim standardin e investimeve dhe standardin e shërbimit në këtë sektor.
Ne kemi reduktuar TVSH-në për të gjithë strukturat akomoduese në 6 % dhe gjithashtu për hotelet me 4 dhe 5 yje kemi reduktuar TVSH-në për restorantet.
Pra, jemi munduar që nëpërmjet politikave tona fiskale të nxisim investimet në këtë sektor.
Ndërkohë, nëpërmjet ligjit të investimeve strategjike kemi dhënë disa lehtësira të tjera që lidhen me taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet në këtë sektor.
Ne do të vazhdojmë ta mbështesim sektorin e turizmit sepse besojmë fort se potenciali është shumë më i lartë se sa kaq.
Në të gjithë botën, sipas parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare në fushën e turizmit, pritet që ky sektor të rritet me 5.8 % vit pas viti deri në vitin 2030. Ky është edhe synimi ynë, që të vazhdojmë ta rrisim sektorin më shumë se sa rritja e përgjithshme e vendit.
Për këtë unë dua të falënderoj në radhë të parë të gjithë investitorët në turizëm që janë sot prezent, por edhe gjithë strukturat shtetërore që bëjnë të mundur krijimin e hapësirës dhe ambientin e duhur, të qetë dhe të sigurt, me mbështetje fiskale dhe buxhetore, në mënyrë që ky sektor të zhvillohet.
Faleminderit të gjithëve.