Identiteti digjital, një hap i rëndësishëm drejt transformimit digjital të Shqipërisë

Identiteti digjital është një tjetër risi e transformimit digjital të Shqipërisë, i cili u prezantua sot si një hap domethënës për vendin në rrugën drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike. Me zhvillimet e reja, identiteti si një pjesë thelbësore, që lidh qytetarin me shtetin do të marrë një formë të re nga fizike në digjitale, me të cilin qytetarët mund të nënshkruajnë, paguajnë dhe të kryejnë veprime të sigurta nga telefoni në çdo vend, në çdo moment. Në eventin e zhvilluar me këtë rast u demonstrua mënyra e funksionimit të Identitetit digjital, ku Ministria e Brendshme është aktor kyç në sigurimin e standardeve për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu tha se projekti për identitetin digjital prek çdo qytetar shqiptar dhe është një hap përpara që ndryshon mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me shtetin, me bankën, me biznesin e me njëri-tjetrin. “Identiteti dixhital nuk është një detyrim europian, – u shpreh ajo – është një nevojë shqiptare, një mënyrë për ta bërë jetën e qytetarëve më të lehtë më të sigurtë.” Ndërsa, Kryeministri Rama i pranishëm në prezantimin e projektit tha se Shqipëria tashmë është një vend lider në rajon sa i përket sa i përket shërbimeve publike dhe inovacionit. “Ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit, prandaj jemi përkushtuar inovacionit duke u bërë faktikisht një vend lider në rajon përsa i përket shërbimeve publike përsa i përket inovacionit dhe duke krijuar një bazë solide për të imagjinuar transformime në çdo sektor, falë inovacionit dhe tanimë edhe falë AI.” – theksoi Kryeministri, ndërsa informoi se çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të raportit mes qytetarit dhe shtetit dhe në dispozicion të ekonomisë së vendit, në fillim të vitit të ardhshëm, duke e bërë Shqipërinë edhe në këtë rast pararojë të aplikimit të kësaj risie digjitale. Më shumë se një mjet identifikimi, ky projekt është çelësi për të hyrë në një epokë të re të sigurisë dhe lehtësisë së shërbimeve për qytetarët shqiptarë.