Inaugurohet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Ministri Gonxhja dhe Ambasadori Gonzato: Promovim i trashëgimisë kulturore si nxitje për turizmin dhe përafrimin me BE

Muzeu Arkeologjik i Durrësit është rihapur për publikun pas një restaurimi të plotë, të realizuar në kuadër të programit të Bashkimit Evropian EU4Culture, duke rikthyer në funksion një nga institucionet kryesore të trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019.

Muzeu u inaugurua në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Gjatë ceremonisë, ministri Gonxhja e cilësoi rihapjen si një investim që shkon përtej restaurimit fizik, duke e kthyer muzeun në një institucion aktiv edukimi dhe promovimi kulturor, në funksion të kërkimit shkencor dhe përfshirjes së komunitetit, veçanërisht të të rinjve.

I rindërtuar sipas standardeve bashkëkohore, muzeu ofron një linjë të re muzeale dhe ekspozon mbi 3,200 artefakte, disa prej të cilave datojnë deri në 8500 vite më parë, duke sjellë një përvojë të pasuruar për vizitorët vendas dhe të huaj. Hapësirat janë rikonceptuar për të garantuar aksesueshmëri, siguri dhe informim më të mirë, ndërsa janë integruar elementë teknologjikë për interpretimin e historisë së qytetit të lashtë të Durrësit. Linja e re muzeale pasqyron periudhat kryesore historike dhe parashikon përditësim të vazhdueshëm të ekspozitës me gjetje të reja, ku një nga elementët më të spikatur është “Bukuroshja e Durrësit”.

Në kuadër të ristrukturimit, është rritur edhe kapaciteti i stafit në Qendrën Muzeore Durrës, me 17 punonjës shtesë, duke e çuar numrin total në 33. Ky zgjerim synon përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e rolit të profesionistëve të fushës, si arkeologë, restauratorë dhe guida, si dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me universitete dhe institucione kërkimore.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se projekti dëshmon angazhimin e BE-së për të mbështetur jo vetëm restaurimin e trashëgimisë kulturore, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Sipas tij, përmes programit EU4Culture janë krijuar kapacitete profesionale, mundësi punësimi dhe një model i qëndrueshëm bashkëpunimi që afron më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Projekti është pjesë e një programi më të gjerë të Bashkimit Evropian që ka mbështetur deri më tani restaurimin e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke kontribuar në rigjallërimin e sektorit kulturor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Me përfundimin e këtij projekti, programi EU4Culture mbyll misionin e tij në Shqipëri, ndërsa institucionet shqiptare marrin përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre aseteve kulturore.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet të shërbejë si një qendër e rëndësishme për promovimin e identitetit historik dhe kulturor, si dhe si një pikë kyçe për zhvillimin e turizmit në nivel lokal dhe kombëtar, në funksion të vizionit të Shqipërisë 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit të Durrësit.